Palestinezët nuk presin asgjë nga vizita e Ministrit të Jashtëm gjerman Joshka Fisher
4 Dhjetor 2004
Musa Dervishi është zëvendësdrejtor në Universitetin e Betlehemit. Ai shpreson se Ministri i Jashtëm gjerman do të përdorë influencën e tij në Bashkimin Evropian në favor të palestinezëve. Po qe se do të takonte Ministrin e Jashtëm gjerman Fisher ai do t'i thoshte:
"Fillimisht do ta falënderoja. Pasi gjermanët, populli dhe qeveria, jo vetëm që angazhohen për çështjen palestineze, por për çështjen arabe në përgjithësi. Dhe së dyti do t'i thoja: Ju lutem rriteni presionin ndaj Izraelit dhe ndiqeni nëse ky presion ka efekt. Evropianët kanë shumë mundësira të vendosin sanksione, sepse Izraeli nuk jeton në një vakuum.
Ai është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe duhet të veprojë po ashtu."
Në Betlehem këto ditë kanë filluar përgatitjet për festën e krishtlindjeve, përgatitje të trishtuara këto, pasi pritet një festë pa turistë në qytet. Qendra e qytetit është e shkretë, dyqanet rreth kishës së Betlehemit janë të mbyllura, hotelet tërëisht bosh. Dhe kjo kur vetëm para pak ditësh Ministri izraelit dhe palestinez kumtuan publikisht, se rajoni është i sigurtë për turistët. Xhadallah Shehade, famulltar në bashkësinë luteriane në Bejt Xhallahun fqinj dëshiron që në këtë zonë të vinë edhe turistë gjermanë:
"Kjo është edhe lutja jonë drejtuar Ministrisë së Jashtme. Ndoshta Joshka Fisher mund të bëjë diçka për këtë. Ne këtu kemi një bujtinë të Abrahamit, që i ngjason një hoteli me katër yje. Ne presim që grupet e turistëve të vinë këtu, të banojnë dhe kur të investohen këtu para, atëherë unë mund që të siguroj edhe vende pune. Ky është principi ynë. Vende punë në vend të lëmoshës, ndihmë për vetëndihmë. Në rast se Ministria e Jashtme gjermane e shfuqizon vendimin për mosudhëtimin në rajon, për së paku për ato zona që vetë shteti i Izraelit i quan të sigurta, atëherë kjo do të na ndihmonte mjaft."
Bujtina me emrin e Abrahamit, që shërben si hotel i bashkësisë luteriane në Bejt Xhallal u inaguarua një vit më parë. Ajo ishte paraparë si strehë për pelegrinazhet e të rinjve nga Gjermania apo e gjithë bota, pra të shërbente si vendtakimi i rinisë. Me të ardhurat, famulltari dëshiron të ndihmojë jetimoren dhe rrjetin mjaft të degëzuar social në Bejt Xhallah. Por dhomat e mobiliara mirë qëndrojnë bosh, pasi asnjë turist nuk guxon të vijë nga këto anë. Por çfarë pret famulltari Shehade nga vizita e Ministrit gjerman:
"Të them të drejtën, nuk pres shumë nga Joshka Fisher. Këto ecejake ai po i bën prej vitesh. Dhe çdo herë ne kemi pritur një ndryshim, por asgjë nuk ka ndodhur edhe pse Joshka Fisher ka qenë këtu."
Famulltari Shehade është hidhëruar shumë për shkak të murit që ka ngritur Izraeli për t'u mbrojtur nga atentatet kamikace. Ky mur izolon Betlehemin dhe rrethinat nga bota e jashtme. Ai nuk mund ta kuptojë se si Ministri i Brendshëm gjerman, Oto Shilli gjatë vizitës së tij në shtator në Izrael, shprehu mirëkuptimin e tij për ngritjen e murit.
Lidhur me këtë ai do ti thoshte Ministrit gjerman Fisher:
"Do t'i thoja se së pari, ju keni përvojën tuaj me murin. Nuk mund t'a kuptoj që kur një ministër në Gjermani ka përjetuar vetë epokën e murit, vjen këtu dhe thotë: Po, muri ka justifikimin e tij. A nuk e ka parë ai murin 8 metër të lartë, A nuk ka parë se qytetet janë rrethuar me të?
Ndoshta ai ka parë murin vetëm nga ana e Izraelit, në veri ku mund të shohësh vetëm 80 cm."
Përveç kësaj famulltari Shehade dëshiron që gjermanët të justifikojnë përgjegjësinë e tyre historike. Dhe sipas tij, kjo përgjegjësi nuk qëndron vetëm tek Izraeli, por edhe tek palestinezët, të cilët duhet t'i hapnin rrugë këtij shteti.