Palestinezët njohin shtetin izraelit?!
28 Qershor 2006
Nën hijen e grumbullimit të forcave ushtarake izraelite rreth rripit të Gazës dhe paralajmërimeve të militantëve palestinezë për pasojat e një ndërhyrje të mundshme izraelite, dy grupet rivale palestineze kanë rënë dakord për njohjen e shtetit izraelit.
Presidenti Mahmut Abaz, lideri i Fatahut dhe kryeministri Ismail Hanija, shef i Hamasit, janë dakorduar në parim lidhur me këtë dokument. Në dokument bëhet fjalë për një zgjidhje e cila nënkupton krijimin e dy shteteve. Pra për krijimin e shtetit palestinez dhe njohjen e shtetit izraelit.
Palestina do të duhej të përfshinte Rripin e Gazës, Jordanin perëndimor dhe Jerusalemin lindor, i cili do të ishte edhe kryeqyteti palestinez. Pas marrjes së pushtetit prej Hamasit, në mars të këtij viti, SHBA, dhe Bashkimi Evropian i kanë vënë palestinezëve sanksione financiare, për shkak se Qeveria e re nuk e njeh shtetin izraelit, nuk ka hequr dorë nga dhuna dhe nuk i respekton marrveshjet e mëparëshme.
Në dokumentin e miratuar sot thuhet se zgjidhja duhet të shkojë në favor të interesave të palestinezëve. Lidhur me këtë zëdhënësi i Fatahut, Rauhi Fatuh thotë: "Në Komitetin për debate janë mënjanuar të gjitha pengesat". Komiteti përbëhet prej udhëheqësve të Fatahut dhe Hamasit. Mirëpo, Izraeli më parë ka pohuar se ky dokumet është cështje e brendëshme palestineze. Prandaj është irelevant.
Vendimi i sotëm erdhi në një kohë të tendosjeve të mëdha, pas rrëmbimit të një ushtari izraelit. Rrëmbyesit kërkojnë prej Izraelit lirimin e grave dhe të gjithë të rinjë nën 18 vjet, prej burgjeve izraelite. Kjo kërkesë është në përputhje me kërkesat e shumicës palestineze. Izraelitët kanë vazhduar përgatitjet për ndërhyrje të mundëshme, ndërkohë që militantët palestinezë thonë se ata do të rezistojnë.
"Cionistët armiqësorë duhet ta dinë se futja në Rripin e Gazës do të ishte një gabim i madh. Ne i sigurojmë se reagimi jonë do të jetë shumë i fuqishëm. Armiku do të jetë përgjegjës për këto aksione dhe do të pendohet", thotë një zëdhënës i cili i shmanget marrjes së emrit Izral në gojë.
Izraelitët mendojnë se ushtari i marrë peng gjendet në jug të Rripit të Gazës. Zgjidhja e këtij problemi konsiderohet edhe si testi i parë i rëndësishëm për presidentin Ehud Olmert dhe ministrin e mbrojtjes Amir Perez.