Palestina fitoi vendin e vëzhguesit në OKB
30 Nëntor 2012Askush nuk ka dyshuar në suksesin e presidentit të palestinezëve Mahmud Abbas. Pas refuzimit vitin e kaluar të anëtarësisë së plotë të Palestinës si shtet, krerët e palestinezëve donin që të fitojnë të paktën një status vëzhguesi. Në këtë drejtim është angazhuar me muaj të tërë edhe presidenti i palestienezëve Abbas. Para Asamblesë së Përgjithshme presidenti palestinez tha se ka ardhur koha "të lëshohet çertifikata e lindjes së shtetit palestinez". "Është ky shansi i fundit që bashkësia ndërkombëtare të shpëtojë zgjidhjen përmes krijimit të dy shteteve", theksoi ai.
Gjermania e përmbajtur
Abbasi arriti t'i bindë 138 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së. Ndër ato që mbështetën shtetin palestinez ishin edhe Spanja, Franca dhe Italia. Nëntë vende votuan kundër, ndër to edhe SHBA dhe Izraeli. Ndërsa Gjermania dhe 40 vende të tjera ishin të përmbajtura. Vendimi nuk ishte fare i lehtë, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. "Në njërën anë janë kërkesat legjitime të palestinezëve për krijimin e shtetit të tyre. Ndërsa në anën tjetër kemi përgjegjësinë për shtetin izraelit dhe zgjidhjen paqësore për këtë rajon", theksoi ministri i Jashtëm gjerman.
Westerwelle shpjegoi se vendi i tij angazhohet për krijimin e shtetit palestinez që do të ekzistonte paralelisht me Izraelin, por ekzistojnë dyshime se statusi i vëzhguesit për Palestinën tani "nuk do t'i shërbente procesit paqësor". Ekziston frika se ky vendim do të ashpërsojë qëndrimet mes izraelitëve dhe palestinezëve, tha ai.
Pa një linjë të përbashkët evropiane
Në këtë mënyrë dështuan përpjekjet e evropianëve për një qëndrim të përbashkët. Qeveria federale gjermane ka menduar javët e kaluara që të votojë kundër statusit të vëzhguesit për Palestinën. "Mosekzistenca e një qëndrimi të përbashkët është një dramë e vërtetë", mendon zëdhënësi i grupit parlamentar të socialdemorkatëve (SPD) në Bundestag, Rolf Mützenich. Në një bisedë me Deutschen Wellen ai thotë se Gjermania ka mundur të votojë me "po". "Besoj se ne duhet të ndërmarrim të gjitha që janë në mundësitë tona për mbështetjen e Palestinës dhe arritjen e një marrëveshje paqësore me Izraelin për krijimin e dy shteteve. Për këtë angazhohet edhe presidenti Abbas", pohon Mützenich.
Për presidentin Abbas megjithatë është e rëndësishme edhe përmbajtja e Gjermanisë, sepse ai gjendet në mes të konflikteve mes Hamasit dhe Fatahut. "Mungesa e mbështetjes prej qendrave më të rëndësishme evropiane, do të ishte një sinjal fatal për Abbasin", thotë politikani socialdemokrat.
Palestinezët shpresojnë mbështetjen ndërkombëtare
Edhe pse Mahmud Abbasi nuk siguroi një anëtarësim të plotë në OKB, statusi i tanishëm i vëzhguesit e forcon pozitën e tij. Në këtë mënyrë ai mund të kërkojë drejtësi para gjykatave ndërkombëtare kundër ngulitjeve izraelite. Politikania palestineze Hanan Aschrawi e quan këtë vendim si një "kthesë" dhe "filimin e një ere të re për palestienzët, të cilët angazhohen për paqe, pavarësi, përfundimin e okupimit izraelit dhe lirimin e njerzëve dhe të tokave palestineze."
Mes Izraelit dhe palestinezëve ekzistojnë edhe shumë çështje të hapura. Ambasadori izraelit në OKB Ron Prosor paralajmëroi në Nju Jork se kjo rezolutë dëmton procesin paqësor. Ndërkohë që Abbas mendon se ajo do t'i jep një shtytje të re procesit të negociatave. Ai tha se menjëherë pas këtij vendimi do të kërkojë vazhdimin e bisedimeve me Izraelin.