1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orë vendimtare për koalicionin në Gjermani

19 Nëntor 2017

Një fundjavë shumë e rëndësishme për mundësinë e koalicionit të parë mes unionit konservator, liberalëve të FDP-së dhe të Gjelbërve në Gjermani. Koalicion tresh apo zgjedhje të reja?

https://p.dw.com/p/2nrUm
Deutschland Fortsetzung der Sondierungsverhandlungen
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Të shtunën përfaqësues të katër partive kryesore që zhvillojnë bisedime paraprake për koalicionin e mundshëm të njohur si Xhamajka janë shprehur të rezervuar. Në selinë e partisë CDU në Berlin, përfaqësuesit e partive kryesore diskutuan fillimisht për një nga temat kryesore të debatit, klimën. Më pas bisedimet vazhduan për temën tjetër të kontestuar, politikën ndaj refugjatëve. Kreu i CSU-së, Horst Seehofer u shpreh se "kemi përpara një punë të vështirë, sepse në rend të ditës janë temat më të rëndësishme."

Vendimet merren të dielën

Ndërkohë krerët e unionit dhe liberalët kanë përjashtuar mundësinë e një zgjatjeje tjetër të bisedimeve për mundësinë e koalicionit. "Jemi të gjithë të mendimit, se të dielën duhet të merret një vendim", tha kreu i grupit parlamentar të unionit, Volker Kauder (CDU). Edhe kryetari i partisë liberale, Christian Lindner kërkoi dhënien fund në kohën e duhur të bisedimeve. "Më së voni në orën 18:00 gjërat janë mbyllur", tha Lindner.

Berlin Jamaika Sondierungsgespräche Lindner
Kryetari i partisë liberale FDP, Christian LindnerFotografi: Reuters/H. Hanschke

Steinmeier: Nuk ka shkak për zgjedhje të reja

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier i bëri thirrje partive që negociojnë të marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre për të mënjanuar zgjedhje të reja. "Nuk ka asnjë shkas për debate paniku për zgjedhje të reja", tha Steinemier për gazetën "Welt am Sonntag." Në bisedimet për koalicione ka "gjithnjë përpjekje të partive për të ngritur lart çmimet". Por Steinmeier theksoi, se ai pret "që të gjitha palët të jenë të vetëdijshme për përgjegjësinë që kanë. Të trajtosh këtë përgjegjësi do të thotë të mos e rikthesh detyrën tek votuesit."

Frank-Walter Steinmeier
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

Pas dështimit të premten, bisedimet për mundësinë e një koalicioni për herë të parë me konservatorët, liberalët e Të Gjelbrit, u shtynë për në fundjavë. Krahas temave të nxehta të debatit si klima e refugjatët, bisedohet edhe për ekonominë, tranportin, ekonominë bujqësore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Të dielën në qendër të bisedimeve janë financat.

Berlin Sondierungsgespräche
Katrin Göring-EckartFotografi: picture-alliance/dpa/R. Hirschberger

Krerë të të gjitha partive kanë bërë thirrje për kompromise. "Por këto nuk duhet të tradhtojnë identitetin e ndonjërës palë", tha politikania e Gjelbër, Katrin Göring-Eckardt. Ndërsa politikani konservator bavarez, Alexander Dobrindt i CSU-së, theksoi se "tek të gjitha palët vullneti është i madh."