1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ortek separatizmi pas referendumit britanik

Christoph Hasselbach26 Shtator 2014

Pas Skocisë tani edhe Anglia kërkon më shumë autonomi. Por a mund të jetë federalizimi zgjidhje për separatizmin evropian?

https://p.dw.com/p/1DLDC
Fotografi: Andy Buchanan/AFP/Getty Images

Panik i vërtetë sundonte tek tri partitë më të mëdha britanike: Pak përpara referendumit për pavarësinë e Skocisë u duk sikur ithtarët e kësaj ideje vërtetë do të fitonin. Konservatorët në pushtet, partneri i tyre në koalicion liberaldemokratët, dhe opozita laburiste ishin për herë të parë unike: në dëshirën për të parandaluar shkëputjen e Skocisë. Në dëshpërimin e tyre të tre kryetarët e partive premtuan dy ditë para votimit, se nëse Skocia i thoshte Jo pavarësisë do të merrte më shumë të drejta, veçanërisht në politikën fiskale dhe sociale. Askush nuk e di saktësisht se sa ka ndihmuar kjo që shumica të thoshte jo. Megjithatë kryeministri David Cameron u ka dhënë tani fjalën skocezëve. Por ai mund ta ketë bërë hesapin pa hanxhinë. Hanxhiu janë anëtarët të partisë së tij konservatore, që e quajnë premtimin ndaj Skocisë ekzagjerim dhe të padrejtë për Anglinë.

Një parlament vetëm për Anglinë?

Deputeti konservator James Wharton mendon: "Duhet të ketë diçka edhe për Anglinë." Rajonet periferike të Mbretërisë së Bashkuar - Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut - kanë të gjitha ndërkohë asambletë e tyre popullore dhe të drejtat e tyre të kufizuara, vetëm Anglia, që përbën pjesën më të madhe, jo. E padrejtë për shumëkënd është edhe fakti, se në parlamentin në Westminster ka deputetë skocezë, nga Uellsi dhe Irlanda, që votojnë për gjërat kanë të bëjnë me Anglinë, por jo anasjelltas. Zëdhënësi më i njohur i kësaj lëvizjeje brenda konservatorëve është kryetari i bashkisë së Londrës Boris Johnson. Ai shpesh shihet si kryetari i ardhshëm i partisë dhe mund të bëhej që tani i rrezikshëm për Cameronin. "Nëse u japim më shumë pushtet politikanëve skocezë, atëherë fare thjesht duhet të marrin në shqyrtim padrejtësinë e madhe ndaj Anglisë", tha Johnson në gazetën ditore Daily Telegraph. Cameron ndodhet si nën presionin e skocezëve ashtu edhe nën presionin e shtuar të anglezëve. Se ç'pamje mund të ketë federalizimi i Mbretërisë së Bashkuar, është e paqartë.

Në parlamentin britanik ka skocezë, por në parlamentin skocez nuk ka anglezë
Në parlamentin britanik ka skocezë, por në parlamentin skocez nuk ka anglezëFotografi: AP

Do të ishte gjithsesi një projekt i ndërlikuar, që do të prekte traditat e vjetra shekullore. Për gjëra të tilla nuk duhet nxituar, mendojnë në partinë laburiste, jo para zgjedhjeve të ardhshme në pranverë. "Me kushtetutën tonë nuk mund të bësh lojëra", tha politikani laburist Ed Balls në një intervistë për BBC. Ajo që ai nuk përmend: Partia laburiste është e përfaqësuar dukshëm në Skoci, por shumë më pak në Angli. Në një parlament të posaçëm anglez laburistët do të ishin në pakicë. Kështu çështja ka edhe një notë të pushtetit politik.

Secili rast është i veçantë

Separatistët në vendet e tjera evropiane ashtu siç kanë ndjekur nga afër referendumin skocez, do të vazhdojnë të vëzhgojnë edhe projektin e një federalizimi të mëtejshëm. Përkrahësit e Katalonjës së pavarur për shembulli janë ndikuar nga skocezët. Nga refuzimi me shumicë i skocezëve ata janë tulatur. Por nga qëllimi i tyre ata nuk duan të heqin dorë. Po me aq këmbëngulje e kundërshton edhe qeveria qendrore spanjolle një referendum në Katalonia.

A do ishte një federalizim i shteteve me tendenca separatiste një rrugë për t'i mbajtur nën kontroll këto rajone, qofshin ato Skocia, Katalonia apo Tiroli Jugor? Janis Emmanoulidis nga instituti studimor i Brukselit "European Policy Centre" thotë se duhet të kihet kujdes nga përpjekja për të kopjuar modele federale, kjo nuk funksionon. "Secilin rast duhet ta studjosh veç e veç. Njësitë federale si Gjermania, apo Zvicra janë krijuar në mënyrë të natyrshme, ata kanë bërë rrugën e tyre dhe kështu duhet të jetë në çdo rast."

Komisioni mbeshtet shtetet nacionale

Parakusht do të ishte natyrisht, që shtetet të lejojnë një federalizim. Qeveria qendrore spanjolle në këtë moment ndodhet në një kurs konfrontacioni me qeverinë rajonale katalanase dhe nuk dëshiron të lejojë asnjë kompromis. Dhe ky është trendi evropian, mendon Janis Emmanouilidis: "Qeveritë qendrore përpiqen të pengojnë, përpiqen të ofrojnë kompensime për të lejuar autonomi të kufizuara në raste të veçanta, por në thelb përpiqen t'i mbajnë nën kontroll këto përpjekje për autonomi." Dhe qeveria qendrore ka mbështetje nga një palë jo e zakontë: nga Komisioni Europian, i cili sipas mendimit të Emmanouilidis në fakt duhej "qëndronte larg" por "është përfshirë" duke paralajmëruar nga pasojat e pavarësisë. Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso vetë ka thënë se anëtarësimi i një Skocie të pavarur në BE do të jetë i vështirë. Arsye për paralajmërimin, sipas Emmanouilidis, janë "frika nga pasojat, si në Bruksel ashtu edhe në shtetet e tjera nacionale". BE do bëhej edhe më heterogjene, procesi i vendimmarrjes në nivel të BE edhe më i komplikuar se ç'është tashmë.

Komisioni Evropian kundër një Skocie të pavarur
Komisioni Evropian kundër një Skocie të pavarurFotografi: /AFP/Getty Images

Skocezët nuk e harrojnë premtimin

Pas referendumit skocez kryeministri Cameron tha se çështja e pavarësisë është përfunduar "për periudhën e një gjenerate". Por nacionalistët skocezë duan ta masin tanin Cameronin me veprat e tij. Për presion të vazhdueshëm do të kujdeset Nicola Sturgeon. Ajo mund të jetë pasuesja e Alex Salmond, i cili pas votimit do të japë dorëheqjen si kryetar i partisë nacionale skoceze. Sturgeon dëshiron që të ngrejë sërish çështjen e pavarësisë, kur të tri partitë kryesore britanike të mos e mbajnë premtimin e tyre. "Fakt është", thotë 44-vjeçarja, "se përkrahësit e pavarësisë së bashku me ata, që kanë thënë jo për shkak të premtimeve për të drejta të zgjeruara për Skocinë, do të bëjnë një shumicë të fortë për ndryshimin e vërtetë." Ky presion nuk ka për të rënë shpejt.