1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ora e mësimit për Solidarnostin

Magdalena Gwozdz-Pallokat
15 Dhjetor 2020

Shumë e dinë se çfarë ishte Solidarnosti dhe si nisi lëvizja polake e punëtorëve. Ajo që njihet më pak është se revolucioni paqësor i vitit 1989 në Poloni kishte pararendësin e tij të përgjakshëm në dhjetor 1970.

https://p.dw.com/p/3mioT
Polen I Dezember 1970, Arbeiteraufstand
Fotografi: Jan Juchniewicz/ Europäisches Solidarność-Zentrum

Ishte një e hënë dhjetori, dhjetë ditë para pragut të Krishtlindjeve. Kishte kaluar një javë që kur Willy Brandt u gjunjëzua para Memorialit të Getos në Varshavë dhe Republika Federale e Gjermanisë de facto njohu kufirin Oder-Neisse.

Në Republikën Popullore të Polonisë, udhëheqësi i partisë Władysław Gomułka qeveriste një shtet me "mungesa të përhershme", thotë Przemysław Ruchlewski nga Qendra Evropiane e Solidarnostit. Njerëzit shpenzonin gati gjysmën e pagave të tyre mujore për ushqimet. Shummëllojshmëria ishte e kufizuar. Rritjet e ndjeshme të çmimeve pak para Krishtlindjeve, veçanërisht për ushqimet, nuk u pritën mirë për shumë njerëz. Por udhëheqja komuniste në Varshavë nuk e priste që gjendja shpirtërore të ndryshonte. Ajo e mbivlerësoi shumë jehonën pozitive për "suksesin diplomatik" të traktatit me Gjermaninë Perëndimore.

"Gomułka ndoshta mendoi se njerëzit do të ngopeshin me të. Por çfarë i duhet një punëtori një "sukses diplomatik"? thotë Ruchlewski për DW. Vendi ishte në krizë. Të rinjtë në veçanti nuk kishin perspektivë. Kjo është një nga arsyet pse njerëzit reaguan kaq dhunshëm, vlerëson Ruchlewski.

Ç'të hyn në punë një televizor kur ke uri?

Në të njëjtën kohë, u ulën çmimet për makinat, aspiratorët dhe frigoriferët, por raporti nuk ishte i duhuri. "Njerëzit mendonin: 'Ne të blejmë televizor në mënyrë që të shohim ndonjë program budalla me stomak bosh?", vazhdon Ruchlewski. Dhe kështu zemërimi u shkarkua dhe shpërthyen protestat. Shkëndija kërceu nga kantieri i anijeve në Gdansk / Danzig drejt kompanive të tjera - dhe askush nga të fuqishmit nuk guxoi të fliste me punëtorët e zemëruar dhe të zhgënjyer. Tensioni u rrit. Pas nëntë orësh, erdhi urdhri për të "mbytur revoltën që në embrion". Një luftë e pabarabartë, sepse protestuesit kryesisht të rinj kishin të bënin me 9.000 milicë dhe forca të tjera speciale, 27.000 ushtarë, 550 tanke dhe madje edhe helikopterë, thotë historiani: "Burgjet e paraburgimit ishin të mbipopulluara. Milicë të dehur rrihnin punëtorët, shuanin cigaret mbi ta, i torturonin".

Shtypja e protestës, dhjetor 1970
Shtypja e protestës, dhjetor 1970Fotografi: Jan Juchniewicz/ Europäisches Solidarność-Zentrum

Simboli i këtyre ditëve ishte 18-vjeçari Zbyszek Godlewski, të cilin e vranë në 17 dhjetor, në të "e enjten e zezë", rrugës kur shkonte për të punuar në kantierin e anijeve në Gdynia / Gdynia. Trupi i tij u mbajt mbi një derë nëpër rrugët e qytetit nga protestuesit.

Sipas shifrave zyrtare, gjatë atyre ditëve të përgjakshme u vranë 45 vetë dhe u plagosën më shumë se 1.000 të tjerë, në disa qytete në vend. Viktima më e re ishte vetëm 15 vjeç. Przemysław Ruchlewski thotë se udhëheqja politike menjëherë filloi të bënte mbulimin e së vërtetës. Autoritetet i paraqitën rastet si vetëvrasje dhe aksidente dhe falsifikuan çertifikatat e vdekjes. Viktimat i varrosën natën dhe në mungesë të familjeve të tyre, të cilët shpesh nuk e dinin se ku ishte vendi i qetësisë së fundit të fëmijës, burrit, babait.

Çfarë mësoi lëvizja Solidarnost nga protestat e vitit 1970

Bogdan Borusewicz, i cili më vonë bashkëthemeloi sindikatën e pavarur Solidarnost, është një nga organizatorët e grevave legjendare të gushtit të 1980, të cilat filluan përsëri në kantierin Lenin në Gdańsk. Në një intervistë me DW, ai kujton se grevat e Gdanskut u mbështetën në përvojat e "tragjedisë së dhjetorit". Ai është i bindur se pa ngjarjet e vitit 1970, nuk do të kishte ndodhur suksesi i gushtit 1980.

Lech Wałęsa I Solidarność
Lech WałęsaFotografi: fot.Giedymin Jabłoński/ Europäisches Solidarność-Zentrum

"Në dhjetor ne nuk ishim fare të përgatitur," kujtoi kohët e fundit Lech Wałęsa në një intervistë për DW. Wałęsa më vonë u bë kryetar i sindikatës Solidarnostdhe ishte anëtar i komitetit të grevës në kantierin Gdańsk që nga viti 1970. Atij i kujtohet se kishte menduar atëherë: "Ta përfundojmë shpejt këtë, të mbrojmë njerëzit dhe të përgatitemi". Ai pastaj kaloi dhjetë vjet duke u përgatitur dhe "atëherë ndoshta luftuam mirë deri në fund", gjykon ai vetë.

Në vitin 1980, kërkesave të reja ekonomike të punëtorëve iu shtuan edhe ato politike, duke përfshirë kërkesën për të ngritur një përmendore për të vdekurit e dhjetorit 1970. Por mësimi kryesor që kishin nxjerrë grevistët në vitin 1980 nga përvoja e vitit 1970 ishte: të mos largoheshin nga kantieri, "në mënyrë që punëtorët të qëndronin në fabrika për t'u përballur me sulmet në territorin e tyre", thotë Borusewicz.

Për të është ironi e historisë fakti, se ishte pikërisht kantieri Lenin vendi ku në fund të fundit u kapërcye Marksizëm-Leninizmi. "Kjo grevë ishte e drejtuar jo vetëm kundër pushtetit, por edhe kundër thelbit të ideologjisë së tyre të "sundimit të popullit punonjës". Protestat që u shtypën me gjak, sidoqoftë, tashmë mbanin farën e rënies së diktaturës, thotë Borusewicz, i cili është akoma aktiv në politikë edhe sot. Shpagimi është ende shumë larg. Në vitin 2013, pas një gjykimi 20-vjeçar, u shpallën fajtorë dy komandantë ushtarakë të asaj kohë - askush nga ish-udhëheqja e partisë nuk u nxorr kurrë para drejtësisë.