1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia refuzon çdo ndërhyrje në konfliktet e brendshme të Sirisë

1 Shkurt 2012

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u debatua gjatë të martën për një rezolutë për dhunën e vazhdueshme në Siri.

https://p.dw.com/p/13u7y
Fotografi: AP

Liga Arabe në fillim të seancës së posaçme të forumit më të lartë të OKB-së në Nju Jork bëri thirrje për dënimin e dhunës në Siri. Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elarabi, tha se Liga do që Këshilli i Sigurimit ta mbështesë planin e saj të paqes. Por sado që të këmbëngulin vendet arabe për një rezolutë kundër Sirisë, Rusia mbetet e papërkulur. OKB-ja nuk duhet të ndërhyjë në punët e shteteve të tjera, theksoi ambasadori rus në OKB Çurkin. Megjithatë Perëndimi shpreson, se do të ketë rezolutë. Të mërkurën (1.2.) Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të negociojë në nivel ambasadorësh. Brenda ditëve të ardhshme shpresohet se do të bëhet votimi.

"Liri për Sirinë" me këto parrulla dhjetra opozitarëve sirianë protestonin jashtë para ndërtesës së OKB-së në Nju York kundër dhunës në vendlindjen e tyre, ndërkohë që brenda në Këshillin e Sigurimit diskutohej sërish për projektrezolutën kundër Sirisë. Paraqitja e dy përfaqësuesve të lartë të Ligës Arabe, sekretarit të Përgjithshëm Al-Arabi si dhe kryeministrit të Katarit, sheiku al-Thani i ngjante një apeli për ndihmë drejtuar OKB-së. Makineria vrasëse e Assadit punon pa ndërprerje, vrasjet në Siri kanë marrë përmasa të pabesueshme, tha sheiku Al-Thani.

Dokumenti përkatës kërkon nga kreu i shtetit sirian Assad, që t'ia dorëzojë pushtetin zëvendësit të tij, për mundësuar krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar dhe zgjedhje të lira. Ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Clinton tha pas sesionit të posaçëm të OKB-së: "SHBA, ashtu si vendet e tjera perëndimore, ndjekin planet e Ligës Arabe. Vetëm dorëzimi i pushtetit nga presidenti Assad bën të mundura reformat demokratike."

Syrien Proteste
Fotografi: dapd

Rusia refuzon çdo ndërhyrje në konfliktet e brendshme të Sirisë

Edhe projektrezolutat e para kundër Sirisë dështuan në kundërshtimin e Kinës dhe në rradhë të parë të Rusisë. Ambasadori rus në OKB Vitali Çurkin tha në Nju Jork: "Këshilli i Sigurimit nuk mund të japë receta të gatshme, për zhvillimin e një procesi kombëtar politik në Siri."

Rusët i frikësohen një ndërhyrjeje ushtarake si në rastin e Libisë. Përveç kësaj ata kanë probleme me embargon e armëve. Moska sapo ka dërguar në Damask avionë luftarakë. Meqenëse presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë po shtohet, Çurkin sinjalizoi gatishmërinë e dialogut politik, duke theksuar besimin se duhet të ketë dialog.

Shanset për një rezolutë të përbashkët nuk mungojnë

Flash-Galerie 2011 Jahresrückblick national Deutschland
Fotografi: picture alliance/dpa

Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Link i ardhur nga Berlini për marrë pjesë në sesionin e posaçëm, tha se është optimist, për vullnetin e rusëve për të negociuar: "Sot ambasadori Çurkin ka qenë relativisht, nuk dua të them me tone pajtimi, por i hapur. Ai ka sinjalizuar në Këshillin e Sigurimit, se edhe Rusia mund ta imagjinonte një rezolutë dha ai ka përmendur disa elementë pozitivë të rezolutës së paraqitur nga Maroku, por ka kritikuar edhe shumë aspekte të tjera. Unë do të thoja, se kërkohet ende punë, por ka shanse konkrete, që së shpejti të ketë një rezolutë për Sirinë."

Edhe kolegët e tij, ministri i Jashtëm francez Alain Juppé dhe britaniku ëilliam Hague e vlerësuan sesionin e hapur të Këshillit të Sigurimit si sinjal të rëndësishëm në rrugën drejt një rezolute të përbashkët: "Gjermania ka këmbëngulur shumë, Ministri i Jashtëm Westerwelle ka këmbëngulur shumë që debati i hapur të zhvillohet sot. Mendoj se ky debat i hapur ka ndryshuar tonin dhe u ka bërë të qartë të gjithëve domosdoshmërinë e rezolutës."

Autor: Claudia Sarre/Angjelina Verbica

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora