Protesta në Tiranë ndërsa zhvillohet samiti BE-BP
6 Dhjetor 2022Ish-kryeministri, Sali Berisha, u sulmua fizikisht në nisje të protestës që zhvilloi opozita në Bulevardin "Deshmorët e Kombit", ndërsa në Tiranë zhvillon punimet samiti BE-Ballkan Perëndimor.
Kreu i demokratëve u godit me grusht në fytyrë pak metra nga Selia Blu, teksa po marshonte me simpatizantët e tij. Berisha mori lendime në fytyrë, megjithatë ai vijoi të qëndrojë në protestë.
Partia Demokratike e cilësoi protestën një akt historik që populli opozitar të ngrejë zërin e tij përpara përfaqësuesve më të lartë të demokracive evropiane, dhe të denoncojë korrupsionin e qeverisë "Rama".
Tirana në masa të rrepta sigurie
Ardhja në Tiranë e 27 kryetarëve të shteteve, anëtare të BE, dhe atyre të BP ka vendosur kryeqytetin në masa të rrepta sigurie. Policia rrugore ka përcaktuar perimetrin e sigurisë së lartë.
Për mbarëvajtjen e samitit ajo ka publikuar hartën e rrugëve, në të cilat nuk lejohet kalimi dhe parkimi i automjeteve, Që në orën 06:00 të mëngjesit policia ka mbyllur hyrjet në Tiranë nga Durrësi, Elbasani dhe qytetet në veri të vendit.