Opozita bjelloruse nderohet me Çmimin Saharov
23 Tetor 2020Çmimi i këtij viti për Lirinë e Mendimit Saharov iu akordua opozitës në Bjellorusi. Parlamenti i BE-së nderon kështu përpjekjet paqësore për demokraci të kundërshtarëve të presidetit bjellorus Alexander Lukashenkos dhe opozitën demokratike bjelloruse të përfaqësuar nga Këshilli i Koordinimit, aktivistë politikë si Svetlana Tihanovskaja dhe personalitete të shoqërisë civile si fituesja e Çmimit Nobel për letërsinë Svetlana Alexievitsh.
Parlamenti i BE-së është institucioni i parë që nderon protestat me një çmim në nivel ndërkombëtar. Çmimi që u akordohet luftëtarëve të shquar për të drejtat e njeriut, do të jepet në 16 dhjetor. Çmimi për Lirinë e Mendimit mban emrin e fizikanit sovjetik, disidentit dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqë Andrei Saharov (1921-1989).
Ndihmë e konsiderueshme për opozitën
Politikani opozitar bjellorus Valery Tsepkalo mendon se lëvizja kundër Lukashenkos forcohet në mënyrë të konsiderueshme nga Çmimi Saharov. Çmimi do të thotë që populli Bjellorus nuk është i vetëm në përballjen me "këtë regjim diktatorial", tha Tsepkalo për Deutsche Wellen. "Populli bjellorus e ndjen më tepër mbështetjen si nga bashkësia evropiane ashtu edhe nga ajo botërore." Ai shpreson që regjimi aktual do të marrë fund brenda disa muajsh, tha Tsepkalo në intervistë për DW, që njerëzit të kenë mundësi për të ndërtuar një shtet të lirë, demokratik dhe sovran.
Përveç opozitës bjelloruse në rrethin e ngushtë të të përzgjedhurve për çmimin ishin edhe aktivistja për mjedisin nga Hondurasi Berta Cáceres, e cila u vra në vitin 2016, dhe aktivistë të tjerë mjedisorë, si dhe kryepeshkopi i qytetit verior të Irakut Mosul, Najib Michail Musa.