1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinioni i GJND-s gurthemeli për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në OKB

22 Korrik 2010

Prof. Josef Marko nga Universiteti i Gracit, ekspert i së drejtës kushtetuese, njohës i Ballkanit, vlerëson se opinioni i GJND do të lehtësojë procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

https://p.dw.com/p/ORuc
Logoja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

DW: Gjykata Ndërkombëtare e Hagës shpalli se pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. A mund të themi se me këtë hap u vulos nga ana ligjore pavarësia e Kosovës përfundimisht?

Prof. J. Marko: Gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është një vendim në një proces gjyqësor ndërmjet dy shteteve, çështja u soll në Gjykatë me kërkesën e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Këtu në të vërtetë është bërë fjalë për një kërkesë ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kështu nga ana ligjore ky gjykim nuk ka ndonjë influencë. Në kuptimin përfundimtar çështja e pavarësisë së Kosovës nga ana ligjore mbetet e pasqaruar. Mendoj se Serbia nuk do të mjaftohet me këtë opinion ligjor të GJND, por duke u mbështetur edhe nga partneri i saj kryesor, Rusia do të ndërmarrë iniciativa të reja diplomatike, për ta mbajtur të hapur çështjen e statusit dhe me këtë të detyrojë rihapjen e negociatave.

DW: Por a nuk ndodhet Serbia tani në një pozicion më të vështirë?

Prof. J. Marko: Serbia ndodhet tani në pozicion më të keq, kur peshorja si nga ana politike dhe morale qëndron në anën e qeverisë së Kosovës. Brenda Serbisë sigurisht kjo do të çojë në atë që forcat nacionaliste do të jetë tepër të pakënaqura, dhe do ta quajnë joneutral, opinionin neutral të gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare. Ata sigurisht do të përpiqen që ta cilësojnë GJND-në si të njëanshëme. Mund të ketë edhe mobilizim të popullatës serbe në Kosovë, përmes protestave. Nga ana tjetër forcat e moderuara dhe reformiste në Serbi dhe ata që duan t'i përshpejtojnë proceset integruese në BE forcohen me këtë opinion të GJND-së.

DW: Ministri i Jashtëm serb, Jeremiç pas opinionit të GJND-së tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Çfarë hapash të tjerë mund të ndërmarrë tanimë Serbia ?

Prof. J. Marko: Nga ana ligjore Serbia nuk ka më mundësi të tjera, sepse nuk pritet që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjysma e të cilëve e kanë njohur pavarësinë, të ndryshojnë mendim. Ndërsa anëtarët e tjerë të KS, të cilët deri më tani e kanë refuzuar njohjen e pavarësisë nuk kanë më mundësi ligjore të inistojnë për këtë. Kjo prek sigurisht edhe shtetet e tjera të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, nga ana ligjore nuk ka më mundësi të tjera, por nga ana politike, Rusia për shembull do të përpiqet të ushtrojë presion ndaj shteteve të veçanta.

DW: Çfarë do të ndodhë brenda Bashkimit Evropian pas këtij vendimi, kur dihet që një pjesë e shteteve të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Do të shërbejë opinioni i GJND-së si shtysë për to?

Prof. J. Marko: Brenda Bashkimit Evropian nuk besoj në ndonjë ndryshim të madh në qëndrimin e shteteve që kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës, para së gjithash Spanja, Sllovakia apo Qiproja. Pra nuk pres ndonjë ndryshim mendimi në elitën politike dhe diplomatike të këtyre vendeve. Nga ana tjetër shtetet që kanë hezituar deri më tani për shkak të pasigurisë ligjore në këtë çështje, do të ndjehen të inkurajuara nga opinioni i GJND-së dhe në gjendje ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu që në javët e ardhshme do të pritet një valë e re e njohjesh së pavarësisë së Kosovës. Sigurisht me këtë opinion do të lehtësohet edhe procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

DW: A i hap opinioni i GJND-së Kosovës rrugën për një vend në Kombet e Bashkuara?

Prof. J. Marko: Sigurisht që po. Mendoj se kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por me këtë opinion është vendosur një gurthemeli për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara, sepse me këtë argumentat kryesorë juridikë, të cilat përdoreshin deri më tani kundër pavarësisë së Kosovës, nuk mund të qëndrojnë më ashtu si më parë.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora