1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinione mbi raportin e progresit të KE-së për Shqipërinë

Arben Muka9 Tetor 2014

Përmbajtja e progress raportit të fundit që Brukseli ka hartuar për zhvillimet në Shqipëri ka vlerësime por dhe kritika për ecurinë e reformave në vitin e fundit.

https://p.dw.com/p/1DSki
Fotografi: DW/A.Muka

Si pozitive janë përshkruar një serë nismash dhe angazhimesh të qeverisë për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në jug dhe veri të vendit, përpjekja për të vendosur kontroll mbi territorin duke ndaluar ndërtimet pa leje, mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë që nuk plotësonin kriteret etj. Por Komisioni Europian kërkon ende thellimin e reformave, sidomos në sektorë të tillë si administrata publike, sistemin e drejtësisë dhe forcimin më shumë të luftës kunder krimit dhe korrupsionit. Një thirrje hapur ishte dhe instalimi i bashkëpunimit dhe konsesusit mes mazhorancës dhe opozitës për çështjet kryesore.

Enton Abilekaj, drejtor i lajmeve në Televizionin News 24 e shikon gjithëpërfshirës proges raportin e KE, pasi aty permenden të gjitha arritjet e qeverisë në vitin e fundit si dhe vlerësohen perpjekjet për reformat. Diçka është bërë, por reformat mbeten prioritet, përpjekjet vlerësohen, por ama duhet të japin rezultat konkret thotë Abilekaj për Deutsche Welle-n.

Enton Abilekaj
Enton AbilekajFotografi: DW

Duhen rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbete një sfidë e vështire, në të cilën raporti vlerëson përpjekjet e autoriteteve. Shkatërrimi i plantacioneve të drogës në jug dhe në veri, është padyshim një arritje e madhe që nuk mund të mos vlerësohej, por kjo panoramë shëmtohet nga ngjarje si vjedhja e Bankës së Shqipërise apo vrasja e bankierit të njohur Artan Santo vetëm pak metra nga zyra e tij në qendër të Tiranës. Shqetësim mbetet krimi i organizuar që niset nga Shqipëria për t'u shpërndarë në të gjithë Europën. Ministri i Brendshëm Federla i Gjermanisë, e theksoi qartë këtë shqetësim ditët e fundit. Ai nënvizonte se bashkëpunimi me palën shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar mbetej problematik. Me pak fjalë, raporti i Brukselit ishte një vlerësim për sinjalet e forta dhe pritshmëria që kanë kancelaritë ndërkombëtare për rezultate sfiduese dhe konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.

Edhe prof. ass. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike, e shikon progress raportin e Komisionit Europian si dokumentin e vetëm, të detajuar, profesional, të paanshëm dhe të gjithëpranuar që skanon gjendjen dhe problemet kryesore në Shqipëri. Por ai ndalet në pjesën e tekstit ku analizohen sfidat e mëdha që ka vendi në përballje me krimin e organizuar, duke kritikuar mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse strategjike kundër tij. Dosjet e vrasjeve më të bujshme janë ende të hapura, premtimi për Byronë Antikrim ende nuk është jetësuar, thotë për Deustsche Welle-n prof. ass. Afrim Krasniqi.

Afrim Krasniqi
Afrim KrasniqiFotografi: DW

“Kritikat përsëriten edhe për rastet e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, dhe kudo reflektohet apeli për forcim të institucioneve të shtetit të së drejtës, - një nevojë jetike e Shqipërisë. Janë tri teza që qëndrojnë dhe përbëjnë sfidën reale të mazhorancës së sotme: a do arrijmë të kemi institucione funksionale, të cilat, mund të mos jenë të dëshirueshme për militantët e partive që vijnë në qeveri, por do të kishin efekt pozitiv për vendin. Për shembull, skandali në Bankën e Shqipërisë, skandalet në sistemin universitar dhe në kontrollin e territorit,do të ishin parandaluar nëse institucionet do kishin qenë funksionale, në anën e ligjit, më të forta në vendimmarrje dhe më larg kontrollit nga individët me interesa e mbështetje politike”.

Mungesa e dialogut po cënon shpresën për reforma me konsensus

Mimoza Koçiu, redaktore e politikës në televizionin informativ ABC, pasi është njohur me përmbajtjen e progres raportit të KE-së, shpreh skepticizëm për mënyrën diplomatike me të cilën, sipas saj, janë adresuar disa fusha kyçe të përparimit të Shqipërisë, që më shumë se me integrimin, lidhen me modelin e demokracisë, e cilësinë e jetës së cdo qytetari në këtë vend. Mungesa e dialogut politik mes një kryeministri dhe një kryetari opozite, që edhe kur qëllojnë në të njëjtën tryezë, pak centimetra larg njeri tjetrit, nuk e marrin mundimin, qoftë për sy e faqe të publikut, t'i japin dorën njëri tjetrit, kjo është një panoramë shumë elokuente e mënyrës sesi funksionon demokracia në Shqipërinë kandidate të Bashkimit Europian, thotë Koçiu për Deutsche Welle-n.

“Shprehja se ‘qeveria dhe opozita duhet të ndërmarrin hapa konkretë për kthimin e dialogut në parlament', ngjan më shumë me një formalitet cinik i raportit, sesa një presion pozitiv për zgjidhje. Kjo mungesë dialogu dukshëm po cënon shpresën për të patur reforma me konsensus në këtë vend. Kjo kulturë politike e llogoreve, padyshim ndikon tek drejtësia, për të cilën progres raporti vërente qartë se ka ende ndikime të politikës. Lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit mbetet një sfidë urgjente, pasi aksionet fillestare të qeverisë kanë ngecur tek ‘Gatet' e vegjël të Lazaratit, pa asnjë lloj sqarimi nëse do hetohen ‘peshqit' e mëdhenj të narkotrafikut.”

Për Mimoza Koçiun nga Televizioni ABC një diagnozë krejt të ftohtë e dha ditët e fundit Ministri i brendshëm Federal i Gjermanisë me konstatimin se mungon bashkëpunimi i duhur në këtë luftë, dhe se kërkohet guxim për ta luftuar kriminalitetin e organizuar, që ndërkohë ka depërtuar deri në strukturat e aparatit shtetëror.

“Në fakt ende nuk dimë se përse, e kush e vrau një biznesmen të njohur ditën për diell në qendër të Tiranës. E vjedhja në Bankën e Shqipërisë, mënyra se si u administrua ngjarja, janë dëshmi të brishtësisë së shtetit shqiptar. Mendoj se frazat tipike asnjanëse të progres raportit ‘duhet të vazhdojë puna për...', nuk do e ndihmojnë Shqipërinë që të afrohet shpejt me BE-në, por paralajmërojnë një rrugëtim akoma më të gjatë, një kosto për qytetarët e këtij vendi, që janë tkurrur tashmë në 86% në dëshirën e tyre për të qenë pjesë e BE-së”.

Prof. ass. Afrim Krasniqi i referohet mënyrës se si e kanë vlerësuar progres raportin vetë forcat kryesore politike, që sipas tij është tregues për klimën politike në tërësi. “Çdo kritikë e raportit u sprovua e saktë vetëm pak orë pas paraqitjes së tij, nga reagimi apolitik dhe jo serioz që iu bë nga aktorët kryesorë politikë vendorë. Në vend që palët të pranonin raportin, përgjegjësitë përkatëse dhe të reflektonin në qëndrime e aksionin politik, ata e shpërdoruan rastin e keqpërdorën raportin për të intimiduar palën rivale politike. Një mesazh i kundërt nga ai që ka nevojë Shqipëria dhe qytetarët të adresojmë në Bruksel”.