Olaf Scholz: Jo, garë për furnizimin e Ukrainës me armë
8 Shkurt 2023Kancelari gjerman Olaf Scholz shpjegoi në Bundestag rolin e Gjermanisë në Evropë. Scholz tha se bëhet fjalë për "udhëheqje përmes bashkëudhëheqjes”. Kjo është busulla e qeverisë gjermane, edhe në samitin e BE-së, tha politikani socialdemokrat në fund të fjalimit të tij të mërkurën, më 8.02.2022. Scholz shpjegoi në parlament qëndrimin e Gjermanisë në prag të samiti të jashtëzakonshëm të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel. Seanca u hap me një minutë heshtje, ndër të tjera, edhe për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.
Një nga temat kryesore të samitit është Ukraina. Afro një vit pas fillimit të agresionit rus ndaj vendit fqinj, BE-ja do t'i zgjerojë sanksionet kundër Rusisë, tha kancelari. BE-ja do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme kundër sulmeve ruse, shtoi ai. "Putini nuk do t'i arrijë qëllimet e tij - as në fushën e betejës dhe as përmes një paqeje të diktuar," tha politikani socialdemokrat para parlamentit gjerman.
Scholz: Jo garë për furnizimin me armë
Por Scholz, i cili në muajt e fundit kishte qenë vazhdimisht nën presion për furnizimin me tanke të Ukrainës, paralajmëroi që vendimet për armatimin e Ukrainës me pajisje luftarake të mos orientohen nga presion mediatik: "Ajo që e dëmton unitetin tonë është një garë në publik se kush ofron më shumë tanke, nëndetëse dhe avionë në fushë të betejës”, paralajmëroi kancelari. Ai tha se debate dhe spekulime të tilla i vijnë në mbrojtje vetëm presidentit rus dhe propagandës së tij.
Duke pasur parasysh pikërisht kërkesën që vjen nga Ukraina për të dërguar avionë luftarakë, Scholz bëri të ditur, se kjo do të ndodhë nëse ne biem dakord me aleatët tanë, sikurse ndodhi në rastin e dërgimit të tankeve. "Vendimet përgatiten në mënyrë konfidenciale dhe vetëm më pas komunikohen, gjë që shërben për të mbajtur të bashkuar aleancën”, tha kryetari i qeverisë gjermane. Në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti ukrainasl, Volodimir Selenski, i cili aktualisht ndodhet në Londër. Nderkohë nga agjencitë r lajmeve u bë e ditur se Presidenti ukraibas do të jetë në mbrëmje në Paris, ku do të takohet me Scholz dhe Macron.
Scholz shpreson të arrihet një kompromis për azilin
Samiti i ardhshëm i BE-së zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, nën drejtimin e Suedisë, si kryetare e radhës. Në fokus të tij ishte parashikuar ndihma për Ukrainën, por edhe arritja e një kompromisi në politikën e migracionit.
Scholz u shpreh optimist për arritjen e një kompromisi, pas një stanjacioni të gjatë në politikat e azilit. Ai tha se "ne kemi nevojë për qartësi”. Duhet të dimë se kush vjen në Evropë dhe përse. Scholz u shpreh për forcimin e Frontex-it, por kërkoi gjithashtu që edhe vende të tjera të BE-së të shprehin më shumë gatishmëri për të marrë refugjatë.
Kreu i qeverisë gjermane foli për praktikën gjermane, për të arritur marrëveshje me vendet e sigurta të origjinës, që këta të pranojnë azilkërkuesit e refuzuar dhe njëkohësisht t'u jepet mundësia emigrantëve ekonomikë të vijnë të punojnë në vendet e BE-së. Një marrëveshje të tillë nga më modernet, e quajti Scholz, Gjermania sapo e ka përmbyllur me Indinë. Nga ana tjetër kancelari lëvdoi projektligjin e ri të migracionit, i cili po përgatitet aktualisht nga qeveria e tij, dhe që synon të mbulojë nevojën e Gjermanisë për fuqi punëtore të kualifikuar .
Scholz premton ndihmë për komunat
Gjermania aktualisht është duke u përballur me një fluks të madh refugjatësh nga Ukraina, gjë që e ka rritur presionin ndaj komunave. Kreu i qeverisë federale u premtoi shteteve dhe komunave mbështetje të vazhdueshme për pranimin e refugjatëve. Ai tha se e mirëpret faktin që Ministrja Federale e Brendshme Nancy Faeser (SPD) ka njoftuar një tjetër takim të nivelit të lartë me shtetet federale dhe bashkitë për këtë temë. Ashtu si në vitin e kaluar, qeveria federale "po jep miliarda për të ndihmuar landet dhe bashkitë këtë vit për të siguruar mirëqenien e atyre që mbërrijnë".
Në fillim të seancës parlamentare në mesditë ligjvënësit gjermanë përkujtuan viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri. Kryetarja e Bundestagut Baerbel Bas falënderoi organizatat humanitare dhe ndihmëse që janë nisur për shpëtimin e njerëzve nën rrënoja dhe tha se tani duhet të kenë akses në rajonet e prekura në Siri. "Tërmeti prek shumë njerëz që tashmë janë në nevojë të madhe. Sidomos në Siri. Situata e tyre tani po përkeqësohet”, tha politikanja e SPD-së të mërkurën në Bundestag. "Është edhe më e rëndësishme që organizatat e ndihmës të kenë akses shpejt në zonën e katastrofës." Në të njëjtën kohë, ajo siguroi: "Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë atë me të gjitha mundësitë e saj”.
Kancelari Olaf Scholz tha se Gjermania po dërgonte ndihma në Turqi dhe se është në kontakt të ngushtë me Kombet e Bashkuara për të furnizuar me ndihma humanitare edhe zonën e tërmetit në Siri.
"Sepse edhe atje nevoja është e madhe." Politikani i SPD-së theksoi: "Tani po tregohet edhe një herë se sa jetik është aksesi ndërkufitar, të cilin ne e kemi mbrojtur prej vitesh. "
Bas dhe Scholz falënderuan popullin gjerman për solidaritetin dhe ndihmën e tyre. "Në këtë mënyrë, ata tregojnë edhe se sa afër ndihemi me bashkëqytetarët tanë me rrënjë turke ose siriane, të cilët mund të jenë të shqetësuar për anëtarët e familjeve ose miqtë në zonat e prekura në këtë kohë”, tha Scholz.