UNMIK duhet të ndryshojë prioritetet
18 Dhjetor 2018„Procesi i transformimit të Forcës së Armatosur të Kosovës është e drejtë sovrane e Kosovës," tha BE8, grupi i vendeve europiane, ish anëtare, anëtare aktuale ose anëtarë të ardhshëm të Këshillit të Sigurimit. Tetë ambasadorët në Kombet e Bashkuara të Hollandës, Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë, Italisë, Belgjikës, Gjermanisë, Francës dhe Polonisë dolën dhjetë minuta para fillimit të punimeve të Këshillit të Sigurimit në një deklaratë të përbashkët.
Deklarata që u lexua nga Ambasadori i Hollandës pranë Kombeve të Bashkuara, Karel J. G. van Oosterom, thotë se „një marrëveshje e detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve është thelbësore në rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE". Kosova është angazhuar të transformojë forcën e saj të sigurisë në koordinim të ngushtë me NATO dhe partnerët e tjerë. Vendet i kanë bërë thirrje Kosovës që transformimi i forcave të sigurisë të bëhet „10 vitet e ardhshme në një proces sa më transparent të jetë i mundur me pjesëmarrjen e gjithë komuniteteve".
UNMIK duhet të ndryshojë prioritetet
Një pjesë e delegacionit të BE8 u fut në Këshillin e Sigurimit, në takimin „e jashtëzakonshëm" të mbledhur për Kosovën. I pari e morri fjalën Jean Pierre Lacroix, zëvendës-sekretari i Përgjithshëm i OKB për misionet paqeruajtëse.
Mbasi numëroi ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë pas 14 nëntorit, kur Këshilli i Sigurimit mbajti takimin e radhës, Lacroix u përqëndrua në tre ligjet e aprovuara nga parlamenti, që "nuk ndryshojnë emrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por krijojnë mundësinë për një ndryshim thelbësor që duhet vënë në jetë me kohë, të mandatit, rolit dhe fuqisë së së FSK.” Qeveria e Kosovës, tha Lacroix, ka theksuar të drejtën e Kosovës të ketë një ushtri, multietnike dhe profesionale me standartet e NATO-s. Autoritetet serbe e dënuan aprovimin e ligjeve dhe Serbia e pa atë si agresion politik dhe shkelje të rezolutës 1244.
"Zhvillimet e fundit në Kosovë, tha zëvendëssekretari i Përgjithshëm, kanë përkeqësuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, që kanë qenë të tensionuara disa kohë, pa pasur progres në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”. Ai shprehu shqetësimin për rrezikun e tensioneve, sidomos në veri të Kosovës, dhe i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të mënjanojnë çdo aksion që i keqëson ato edhe më shumë. Ata duhet të angazhohen për dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve. "UNMIK, tha Delaxroix, duke ruajtur qasjen neutrale, duhet të punojë ngushtë me KFOR dhe sipas rezolutës 1244 dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë”. Ai thotë se misioni i OKB duhet të ndryshojë prioritetet, duke kaluar në krijimin e besimit midis komuniteteve, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Në Këshillin e Sigurimit folën po ashtu Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić, si dhe vende të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit.