24 tetori është dita e Kombeve të Bashkuara
24 Tetor 201924 tetori është dita e OKB, një ditë e zgjedhur sepse më 24 tetor të vitit 1945 ka hyrë në fuqi Karta e OKB-së. Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë, se OKB është organizatë humanitare që bën bamirësi. Në fakt organizata ndan edhe ndihma humanitare, por kjo është vetëm një nga qëllimet e ekzistencës së saj, krah vendosjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
OKB është në fakt organizata që ka bërë bashkë 193 vende anëtare. Dhe janë vendet anëtare që marrin vendimet. Delegacionet e tyre përbëjnë organin kryesor të organizatës, Asamblenë e Përgjithshme, ku debatohen çështjet që preokupojnë botën.
Asambleja vendos edhe për buxhetin, i cili vitin e kaluar ka qenë për shembull 2,7 miliardë dollarë. Të gjitha vendet paguajnë kontributin në bazë të një formule të caktuar. Një qytetari gjerman OKB i kushton 9 dollarë në vit. Kurse në nivel botëror, çdo taksapagues paguan 1,40 dollarë në vit për OKB. Secili vend ka në Asamble të drejtën e votës në vendimmarrje. Asambleja zgjedh një herë në vit presidentin e vet dhe një herë në pesë vjet, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës. Në Asamble po ashtu zgjidhen anëtarët e përkohshëm të Këshillit të Sigurimit, një organ tjetër i organizatës krah Këshillit Ekonomik dhe Social, Këshillit të Besimit (për administrimin e territoreve dhe që është inaktiv që prej vitit 1994) si dhe Gjykatës Ndërkombëtare. Përveç tyre Sekretariati, me rreth 8 mijë punonjës përbën një pjesë të rëndësishme të OKB. Gjuhët zyrtare janë krah anglishtes, frëngjishtes dhe spanjishtes, edhe rusishtja, kinezçja dhe arabishtja. Nën mbikqyrjen e organizatës 80 vende janë çliruar nga kolonizimi. Trupa nga 120 vende kanë formuar policinë dhe trupat paqeruajtëse të OKB. Rreth 1 milionë vetë kanë shërbyer nën flamurin e OKB në pikat e nxehta të konflikteve në botë.
Ndërkohë që shumë njerëz janë të bindur për rolin e rëndësishëm që luan organizata, ka edhe të tjerë që e kritikojnë atë. Prandaj në prag të 70 vjetorit të organizatës, Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres do të anoncojë fillimin e një dialogu global për rolin që luan bashkëpunimi ndërkombëtar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë. Të gjithëve u kërkohet të thonë mendimin e tyre.