OKB:Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Sirinë pa rezultat
6 Prill 2017"Nëse OKB-ja vazhdon të shkelë detyrimin e saj për veprim kolektiv, atëherë ne do të jemi të detyruar që të ndërmarrim masat tona", tha në Nju Jork ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley. Bashkë me Francën dhe Britaninë e Madhe SHBA-ja paraqiti një projektrezolutë, përmes së cilës duhej të dënohej ashpër sulmi. "Edhe sa fëmijë duhet të vdesin më, derisa Rusia të veprojë?", pyeti Haley në Këshillin e Sigurimit duke treguar fotografi të viktimave të sulmit të dyshuar me gaz toksik. Rusa duhet ta shfrytëzojë influencën e saj ndaj Sirisë në mënyrë që "t'u jepet fund këtyre akteve të tmerrshme", kërkoi ambasadorja e SHBA-së.
"Diplomatë, që nuk bëjnë asgjë"
Rusia e hodhi poshtë projektrezolutën. Zëvendësambasadori rus në OKB Vladimir Safronkov e sulmoi direkt homologun e tij britanik Matthew Rycroft: "A e keni verifikuar atë që keni shkruar? Kjo projektrezolutë është përgatitur me nxitim dhe jo saktë", akuzoi Safronkov britanikun. Ministria e Jashtme në Moskë ndërkohë paralajmëroi prej akuzave të nxituara për fajin adresuar qeverisë siriane dhe kritikoi projektrezolutën si "anti-siriane" dhe "të papranueshme".
Rycroft u shpreh i zhgënjyer në sfondin e mbledhjes urgjente pa rezultat. "Derisa Rusia të ndryshojë qëndrimin, Këshilli i Sigurimit do të mbetet i bllokuar", deklaroi ambasadori britanik. "Ky është realiteti i trishtueshëm, ndaj të cilit bota është ambientuar. Ju na shihni ne si një tryezë diplomatësh që nuk bëjnë asgjë, na janë lidhur duart, të detyruar prej ngurtësisë ruse."
1,7 miliardë Euro nga Gjermania
Ndërkaq pjesëmarrësit në Konferencën e Donatorëve për Sirinë në Bruksel miratuan një ndihmë prej gjithsej gjashtë miliardë Dollarësh, siç vuri në dukje pas takimit Komisari i BE-së, Christos Stylianides. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel premtoi për Gjermaninë një ndihmë shtesë prej rreth 1,7 miliardë Eurosh për viktimat e luftës civile në Siri. Mbeti e paqartë nëse shuma e përgjithshme prej gjashtë miliardë Eurosh do të vihet tani e plotë në dispozicion, apo nëse kjo rezulton si shumë e përgjithshme duke përfshirë edhe ndihmat e paguara deri tani.
Gjatë sulmit të dyshuar me gaz toksik në qytetin sirian Çan Sheihun në krahinën Idlib të martën (04.04), sipas të dhënave të fundit kanë gjetur vdekjen të paktën 86 vetë dhe mbi 160 të tjerë janë plagosur. OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) mendon, se gjatë sulmit është përdorur gazi toksik që dëmton sistemin nervor. Rebelët sirianë, Turqia dhe vende të tjera bëjnë përgjegjëse ushtrinë siriane për këtë sulm. Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur, se një avion sirian ka goditur një punishte municionesh të opozitës.