1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB: Luftimi i varfёrisё nё botё ndёr sfidat e Agjendёs 2030

Aida Cama
30 Dhjetor 2018

Varfëria në botë është përgjysmuar që nga viti 2000, megjithatë një në dhjetë persona që jeton në vendet në zhvillim ende vazhdon të jetojë me më pak se 1,90 dollarë në ditë.

https://p.dw.com/p/3An4M
UN 17 Nachhaltige Entwicklungsziele
Fotografi: United Nations

Dhënia fund e varfërisë në të gjitha format e saj është një nga 17 synimet e Agjendës 2030 të OKB, për zhvillimin e qëndrueshëm. Synimi i agjendës është "Të sigurojë mobilizimin e burimeve, përfshirë bashkëpunimin që vendet në zhvillim dhe pak të zhvilluara të zbatojnë programe dhe politika për t'i dhënë fund varfërisë në të gjitha dimensionet e saj”.

Synimet e agjendës 2030 janë që të krijohen strategji zhvillimi në nivel kombëtar dhe rajonal që t'i sigurojë burrave dhe grave të drejta të barabarta mbi burimet ekonomike, si dhe akses në shërbime, pronësi dhe kontroll mbi tokën dhe format e tjera të pronësisë, trashëgimie, burime natyrore, teknologji të reja të përshtatshme dhe shërbime financiare, duke përfshirë mikrofinancën. Ulja e varfërisë në botë tregon se ky është një sukses që arrihet prej njerëzve. Banka Botërore ka vendosur synime të reja, për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme.

Gjendja në Shqipëri

Në Shqipëri 1,1 përqind të popullsisë jeton me më pak se 1,90 dollarë në ditë. Sipas Bankës Botërore 31,3 përqind e popullsisë në Shqipëri jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë. Më shumë se jetojnë në varfëri ekstreme, kjo pjesë e popullsisë lufton të përmbushë kërkesat bazë të jetës si banesa, shëndeti, edukimi dhe aksesi në ujë dhe kanalizime. 7,7 përqind e popullsisë jeton me 3,10 dollarë në ditë.

Varfëria, është shumë më tepër se mungesa e të ardhurave dhe e burimeve për të siguruar jetesën. Përveç urisë dhe mungesës së ushqimit të mjaftueshëm, varfëria është edhe akses i limituar në edukim dhe shërbime të tjera bazë, është diskriminim social dhe mungesë pjesëmarrjeje në vendimmarrje.

Indikatorët e varfërisë - Nisma e Universitetit Oxford

Iniciativa për zhvillimin human të Universitetit Oxford, ka përcaktuar në tre sektorë të jetës që janë shëndeti, edukimi dhe standardi i jetës dhjetë indikatorë që maten për matjen e varfërisë. Ato janë ushqimi dhe mortaliteti foshnjor, vitet e shkollimit, uji i pijshëm, banesa, kanalizimi, elektriciteti, lënda djegëse për gatim. Kur personi privohet nga 20 deri 30 përqind e këtyre indikatorëve atëherë ai është i prekur nga varfëria. Kjo shifër në Shqipëri është 10,3 përqind e popullsisë dhe është më e madhe në zonat rurale se në ato urbane.