1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB: Dështon marrëveshja për armët

Rodion Ebbinghausen / Elert Ajazaj29 Korrik 2012

Gjashtë vjet përgatitje, një muaj maratonë negociatash dhe asnjë rezultat. Negociatorët thonë se u duhet më shumë kohë për vendimin.

https://p.dw.com/p/15g1V
Fotografi: picture-alliance/dpa

Konferenca e OKB-së për rregullimin e tregtisë globale të armëve, e cila arrin shuma miliardëshe, dështoi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina thanë se u duhet më shumë kohë për t'i shqyrtuar çështjet. Delegacionet nga më shumë se 190 shtete negociuan gati një muaj intensivisht për traktatin e parë të vlefshëm në mbarë botën mbi kontrollin e tregtisë së armëve. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, shprehu zhgënjim për mosarritjen e marrëveshjes dhe e quajti këtë një hap prapa. Megjithatë, kryetari i konferencës, Roberto Garcia Moritan, shprehu besim se marrëveshja mund të arrihej deri në fund të këtij viti dhe se ajo është e pashmangshme. Edhe Ban u inkurajua prej faktit që vendet pjesëmarrëse janë marrë vesh të vazhdojnë t' i përmbahen synimit për traktatin.

Projektmarrëveshja parashikonte që eksportet e armatimeve duhet të ndaloheshin prej shteteve në rast se me to mund të kryheshin krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Përveç kësaj marrëveshja synonte të pengonte rënien e armëve në duart e terroristëve, të rebelëve ose të kriminelëve. Shtetet e Bashkuara u akuzuan prej disa delegatëve se po përkuleshin para lobit të fuishëm të armëve në prag të zgjedhjeve presidenciale. SHBA refuzuan që në tekstin e marrëveshjes të përfshihej edhe municioni. Një tjetër çështje mospajtimi ishte edhe bërja e dallimit midis tregtisë me armë dhe dhënies së armëve pa para. Kina donte që marrëveshja të vlente vetëm për pjesën komerciale.

Dështimi ka edhe një anë të mirë

Negociatat ishin produkti i një fushate gjashtëvjeçare i një lidhjeje organizatash joqeveritare, përfshirë këtu Amnesty International dhe Oxfam. Në një intervistë të programit anglisht të stacionit arab të lajmeve Al Xhazira, përfaqësuesja e organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, Widney Brown, tha se dështimi i konferencës mund të rezultojë edhe si diçka pozitive: "Mendoj se efekti i gjithë kësaj mund të jetë forcimi i vendosmërisë së një numri të madh vendesh, të cilat e dinë se sa e rëndësishme është ta kemi këtë traktat. Dhe në njëfarë mase ne mund të përfundojmë në një marrëveshje më të fortë, sepse SHBA-ja e ka humbur disi kredibilitetin e saj në këto negociata."

Negociata në kushte të vështira

Vullneti politik u paralizua, pasi marrëveshja mund të arrihej vetëm njëzëri. Me 193 palë të përfshira kjo nuk është diçka e lehtë. Para së gjithash sepse biznesi me armët arrin 60 miliardë dollarë. Gjithashtu, në Shtetet e Bashkuara prej industrisë së armëve varen tre milionë vende punë, në Gjermani janë 80.000.

India këmbënguli për një rregull të veçantë për partnerët e një alence mbrojtëse. Pavarësisht gjendjes së të drejtave të njeriut partnerët në aleancë duhet të lejohen sipas saj që t'i livrojnë armë njëri-tjetrit. Një aleancë si ajo midis Rusisë dhe Sirisë nuk do të ishte prekur në kushte të tilla prej marrëveshjes.