1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB dënon mosmarrëveshjet e BE-së për refugjatët

26 Gusht 2018

Italia kërcënon se do të ndalojë pagimin e kontributeve për BE-në, nëse shtetet anëtare nuk do ta ndihmojnë për shpërndarjen e refugjatëve.

https://p.dw.com/p/33lnL
Schiff mit mehr als 900 Flüchtlingen landet in Italien
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Scardino

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet t'u ofrojnë rreth 150 emigrantëve në bordin e anijes së rojes bregdetare italiane "Diciotti", mundësi "urgjente" strehimi, kërkoi UNHCR-ja në një deklaratë të botuar në Gjenevë. Organizata i bëri thirrje Italisë që t'u lejojë menjëherë emigrantëve të zbresin nga bordi i anijes.

Komisioneri i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi e dënoi trajtimin e emigrantëve në "Diciotti" si "të rrezikshëm dhe imoral". Jeta e refugjatëve është në rrezik, "ndërsa shtetet po zhvillojnë një betejë politike për zgjidhje afatgjata", kritikoi ai.

Deutschland Treffen Steinmeier mit Filippo Grandi in Berlin
Filippo Grandi Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Kërcënime nga Italia

Italia, e cila me rreth 20 miliardë euro, është kontribuesja e tretë më e madh në BE, pas Gjermanisë dhe Francës, ka kërcënuar se do të ndalojë pagimin e kontributeve në arkat e BE-së, nëse shtetet anëtare nuk do ta ndihmojnë për shpërndarjen e refugjatëve në vende të tjera. "Linja e butë nuk funksionon më, tani do të ndjekim linjën e fortë, nuk do të paguajmë fondet në qoftë se ata nuk dëgjojnë", tha zëvendëskryeministri Luigi Di Maio.

Italia, ku pjesëtare e qeverisë, është edhe partia ksenofobike Lega, po ndjek që nga fillimi i detyrës së qeverisë së re në qershor, një vijë të ashpër në politikën e refugjatëve.

Strehim në Sicili

Anija e rojes bregdetare italiane "Diciotti" shpëtoi javën e kaluar 190 vetë, 13 prej tyre u dërguan menjëherë në spital. Qeveria italiane fillimisht i refuzoi anijes së rojës bregdetare që të ankoronte në portet italiane. Por ndërkohë anija "Diciotti" u lejua të ankoronte në Catania.

Italien Migranten können Rettungsschiff «Diciotti» verlassen
Fotografi: Reuters/A. Parrinello

Të mërkurën (22.08.) Italia lejoi fillimisht 27 të mitur të pashoqëruar që të zbrisnin nga anija. Pas kësaj kjo jua lejua edhe 16 nga 150 refugjatët e mbetur në anije. Për dy nga njëmbëdhjetë gratë dhe pesë burrat e kltoj grupi dyshohet se kanë tuberkuloz, njoftoi agjencia e lajmeve Ansa. Italia kërkon nga vendet e tjera të BE-së që t'i pranojnë refugjatët. Megjithatë, edhe pas një takimi të dhjetë vendeve të BE-së, që u zhvillua të premten (24.08.) në Bruksel nuk u arrit asnjë përparim në çështjen e refugjatëve.