OKB: Diversiteti gjinor në botë lë mjaft për të dëshiruar
28 Tetor 2018Victor Madrigal-Borloz, e ka marrë këtë detyrë më 1 janar 2018. Emërtimi i funksionit të tij është i gjatë: Ekpert i pavarur i Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi me bazë seksuale ose identitet gjinor. Në mes të kësaj jave (25.10) ai prezantoi para Asamblesë së OKB raportin e tij të fundit.
Raporti tingëllon çuditërisht disi pozitiv. Jo se bota ka ndryshuar, por sepse Madrigal Borloz ka mbledhur në të përvojat e mira të botës. "Në këtë fushë ekzistojnë përvoja të mira në të gjitha rajonet e botës. Njihet historikisht fakti që diversiteti në identitetin gjinor kanë qenë të njohura në të gjitha kulturat dhe traditat dhe distancimi dhe stigmatizimi ka filluar me kolonializmin dhe futjen e normave në konceptimin e gjinive”.
Puna për mbrojtjen e LGBT ka aktualisht si synim heqjen e patologjizimit për forma të caktuara gjinore, gjë që bëhet në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Drejtimi tjetër ka të bëjë me detyrimin e shtetit që të njohë orientimin gjinor si pjesë të identitetit, dhe ta mbështesë këtë me aspektin ligjor. Në raport tregohet udha që duhet të ndjekë shteti për të adresuar si duhet dhunën dhe diskriminimin e bazuar në identitetin gjinor.
Sepse megjithë eksperiencat e mira, në pjesë të ndryshme të botës, situata e LGBT është „ofenduese për qënien njerëzore". "Këta persona vuajnë nga dhuna dhe diskriminimi. Ata jetojnë të shkëputur nga shërbimet shtetërore si arsimi, shëndetësia, banimi dhe shërbime në sektorë të tjerë,” thotë Madrigal-Borloz, i cili përmend shumë emra me të cilën quhen njerëzit me identitet divers gjinor, por zgjedh për vete përcaktimin "trans", të cilën do ta përdorim edhe në këtë shkrim.
Pjesa më e madhe e transëve jetojnë në vakum ligjor. "Por kur shtetet duan ta njohin identitetin gjinor të personave me diversitet gjinor bëhen shpesh kërkesa abuzuese, si çertifikimi mjekësor, operacionet, trajtime, sterilizime etj. "Në këtë mënyrë mjekët kanë mundësinë për të vendosur për jetën dhe fatin e transëve. Këto janë procese arbitrare pa bazë ligjore”, shton eksperti. Jeta mesatare e personave trans është shumë e ulët dhe tregon për pasojat e vuajtjes dhe dhunës. Jeta mesatare grave trans për shembull është 35 vjeç.
Mosnjohja nga shteti e identetit gjinor çon në kriminalizim
Në 71 vende të botës diversiteti në identitetin gjinor kriminalizohet ende. Në 20 vende kriminalizohen forma të caktuara të identitetit gjinor. "Shqetësimi im është se midis rrezeve të shpresës dhe pozitivizmit, ekzistojnë lëvizje që i identifikojnë transët me kulturat kriminale të shoqërisë. Unë kam parë dëshmi të shumta kur personat asociohen direkt me aktivitete të caktuara që janë të kriminalizuara. Kjo do të thotë se dhuna është shumë e lartë për këtë komunitet,”thotë eksperti.
Një nga sfidat është mungesa e të dhënave, që do të thotë se ekzistojnë vetëm pak elemente, mbi të cilat mund të ngrihen të dhëna. Dokumentat zyrtare dhe të dhënat janë shumë të rëndësishme për të gëzuar të drejtat. Mënyra se si vendoset se cila e dhënë është relevante për identitetin gjinor është shumë e rëndësishme, duke filluar që me inicialet që vihen në çertifikatat e lindjes dhe më pas në letërnjoftime, kartat e sigurimit shëndetësor, etj. Po ashtu, kur ngrihen të dhëna, ato duhen bërë në bazë të identifikimit që personi i bën vetes.
Mosha optimale për të vendosur për identitetin gjinor
A ka moshë optimale për fëmijët dhe adoleshentët për të vendosur për identitetin gjinor?
"Jo,” thotë Victor Madrigal-Borloz. "Praktikat e mira krijojnë standardin. Por edhe mbrojtjet për të siguruar që fëmijët nuk i nënshtrohen procedurave regresive". Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, WHO, diagnoza e „çrregullimit në orientimin gjinor të fëmijës" është zëvendësuar me „mospërputhje gjinore e fëmijës", diagnozë e cila do të përdoret vetëm para pubertetit.
Shumë shtete thonë se fëmijët nuk janë në gjendje të marrin vendime për procedurat e njohjes gjinore. Kështu fëmijët janë de jure dhe de facto të përjashtuar nga njohja gjinore. Vetëm pak vende në botë i lejojnë fëmijët të vendosin vetë për gjininë. Edhe kur e bëjnë vendosin një moshë.
Në Europë tetë vende nuk kanë kufi moshe, Austria, Azerbaxhiani, Estonia, Kroacia, Gjermania, Malta, Moldavia dhe Zvicra.
Argjentina me përvojën më të mirë
Vendi që ka adaptuar më së miri ligjet për identitin gjinor është Argjentina, e cila ka futur procesin e njohjes gjinore pa kërkesa abuzive mjekësore, trajtime mjekësore, sterilizime dhe ndarje bashkëshortore. Po ashtu me garantimin e trajtimeve hormonale dhe ndërhyrjeve kirurgjikale në bazë të vendimeve të lira. Një nga praktikat më të mira në botë.
Argjentina është vendi i parë që ka njohur të drejtat e fëmijëve për të ndryshuar identitetin gjinor nëpërmjet një vendimi gjyqësor. Gjykatësi e bazoi vendimin me një ligj të Kodit Civil, duke pranuar kapaciettin psikologjik të minorenëve pët të vendosur për çështje që kanë të bëjnë me trupin e tyre.