OKB dënon mosmarrëveshjet e BE-së për refugjatët
26 Gusht 2018Shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet t'u ofrojnë rreth 150 emigrantëve në bordin e anijes së rojes bregdetare italiane "Diciotti", mundësi "urgjente" strehimi, kërkoi UNHCR-ja në një deklaratë të botuar në Gjenevë. Organizata i bëri thirrje Italisë që t'u lejojë menjëherë emigrantëve të zbresin nga bordi i anijes.
Komisioneri i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi e dënoi trajtimin e emigrantëve në "Diciotti" si "të rrezikshëm dhe imoral". Jeta e refugjatëve është në rrezik, "ndërsa shtetet po zhvillojnë një betejë politike për zgjidhje afatgjata", kritikoi ai.
Kërcënime nga Italia
Italia, e cila me rreth 20 miliardë euro, është kontribuesja e tretë më e madh në BE, pas Gjermanisë dhe Francës, ka kërcënuar se do të ndalojë pagimin e kontributeve në arkat e BE-së, nëse shtetet anëtare nuk do ta ndihmojnë për shpërndarjen e refugjatëve në vende të tjera. "Linja e butë nuk funksionon më, tani do të ndjekim linjën e fortë, nuk do të paguajmë fondet në qoftë se ata nuk dëgjojnë", tha zëvendëskryeministri Luigi Di Maio.
Italia, ku pjesëtare e qeverisë, është edhe partia ksenofobike Lega, po ndjek që nga fillimi i detyrës së qeverisë së re në qershor, një vijë të ashpër në politikën e refugjatëve.
Strehim në Sicili
Anija e rojes bregdetare italiane "Diciotti" shpëtoi javën e kaluar 190 vetë, 13 prej tyre u dërguan menjëherë në spital. Qeveria italiane fillimisht i refuzoi anijes së rojës bregdetare që të ankoronte në portet italiane. Por ndërkohë anija "Diciotti" u lejua të ankoronte në Catania.
Të mërkurën (22.08.) Italia lejoi fillimisht 27 të mitur të pashoqëruar që të zbrisnin nga anija. Pas kësaj kjo jua lejua edhe 16 nga 150 refugjatët e mbetur në anije. Për dy nga njëmbëdhjetë gratë dhe pesë burrat e kltoj grupi dyshohet se kanë tuberkuloz, njoftoi agjencia e lajmeve Ansa. Italia kërkon nga vendet e tjera të BE-së që t'i pranojnë refugjatët. Megjithatë, edhe pas një takimi të dhjetë vendeve të BE-së, që u zhvillua të premten (24.08.) në Bruksel nuk u arrit asnjë përparim në çështjen e refugjatëve.