1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lirohet një nga punonjësit e arrestuar të UNMIK

Aida Cama
28 Maj 2019

Dy nga punonjësit e UNMIK u arrestuan sot nga policia e Kosovës. Njëri prej tyre është liruar ndërkohë. Të dy ndodhen në spital për trajtim.

https://p.dw.com/p/3JLq3
Farhan Haq
Fotografi: DW/A. Cama

Misioni i OKB në Kosovë, UNMIK shprehu sot shqetësim të madh për zhvillimet në veri të Kosovës, përfshirë edhe arrestimin nga policia e vendit, të dy punonjësve të misionit njërit me nacionalitet rus dhe tjetri me nacionalitet kosovar.

Në një deklaratë për shtyp lëshuar disa orë më parë, UNMIK, bëri të ditur se një nga të arrestuarit, një punonjës i UNMIK me nacionalitet rus, është liruar ndërkohë dhe është dërguar për trajtim në spital. Edhe punonjësi tjetër i arrestuar ndodhet në trajtim mjekësor. Nuk dihet ende nëse ai është ngarkuar me ndonjë vepër penale.

I pyetur në konferencën e shtypit, zëvendëszëdhënësi i OKB, Farhan Haq konfirmoi se njëri nga punonjësit e UNMIK të arrestuar në Kosovë është i nacionalitetit rus, kurse tjetri i nacionalitetit kosovar. Zoti Haq tha se të dhëna për trajtimin e dy të arrestuarve nga policia do të jepen më vonë. Ai paralajmëroi se nëse stafi i OKB në Kosovë do të preket më tej, do të ndërmerren hapa të tjera diplomatike dhe juridike në nivel vendas dhe ndërkombëtar.