1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB afër zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës

Aida Cama
14 Shkurt 2019

Njoftimi zyrtar për ndryshimin e emrit të Maqedoonisë ka mbërritur ndërkohë në OKB, e cila po punon për përfundimin e procedurave administrative.

https://p.dw.com/p/3DLmU
Symbolbild | UN-Logo
Fotografi: Getty Images/AFP/N. Roberts

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, përshëndet zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila mes të tjerave parashikon dakordimin e palëve për emrin "Republika e Maqedonisë së Veriut”. Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm njoftoi se "ka marrë më 12 shkurt njoftimin zyrtar për hyrjen në fuqi të marrëveshjes”. Antonio Guterres e përshëndet "këtë zhvillim, i cili i jep zgjidhje një çështjeje që ka marrë shumë kohë midis Athinës dhe Shkupit dhe tregon se edhe çështje që duken të vështira mund të zgjidhen me dialog dhe vullnet politik”.

Sekretari i Përgjithshëm përshëndet dy vendet dhe kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev ,"për vendosmërinë që të krijojnë një vision që sheh nga e ardhmja në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për pajtim në rajonin e Ballkanit dhe më tej”. Ai falenderon të Dërguarin e posaçëm Matthew Nimetz, "për angazhimin dhe dedikimin e palëkundshëm në ndërmjetësimin e bisedimeve”.

USA Sprecher des UN-Generalsekretärs Stéphane Dujarric in New York
Stéphane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKBFotografi: Imago/ZUMA Press/M. Brochstein

Sekretari i Përgjithshëm i bëri thirrje vendeve anëtare, organizatave rajonale dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë "që të mbështesin këtë hap historik që palët kanë hedhur”.

I pyetur nga Deutsche Welle si do të veprojë OKB me emrin, zëdhënësi Stéphane Dujarric, tha të mërkurën (13.02) se: "Jemi afër përfundimit të procedurave administrative për të zbatuar krejtësisht Marrëveshjen e Prespës”.