BE-ja mbetet partneri më BE i fortë i SHBA-së
9 Korrik 2016Samiti në Varshavë filloi me një takim mes presidentit amerikan Barak Obama dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Kjo në fakt do të kishte qenë rutinë, por vrasja e pesë policëve në Dallas hodhi hijen e saj mbi takimin SHBA-BE. Barack Obama, i cili kishte telefonuar më parë me kryetarin e bashkisë së Dallasit, doli së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian para kamerave në Varshavë. "Ky është një akt tinëzar dhe i neveritshëm dhe nuk ka asnjë vend më të vogël për justifikim," tha presidenti amerikan. Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Evropian dhe Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Evropian, i shprehën ngushëllimet presidentit të SHBA-së dhe popullit amerikan për viktimat e atentatit në Dallas.
Brexit-i në fokus të bisedimeve
Ndër temat e bisedimeve mes BEsë dhe SHBA-së ishte edhe Brexit-i. Presidenti amerikan Obama shprehu keqardhjen për këtë hap dhe kërkoi që bisedimet të zhvillohen tani në mënyrë të tillë që të mos krijohen dëme. Ai tha se integrimi evropian nuk duhet të vuajë prej Brexit-it dhe se Britania e Madhe duhet të krijojë tani një raport të ri me BE-në.
"Evropa e integruar është një nga arritjet më të mëdha të kohës sonë", tha Obama. "SHBA ka një interes të fortë për një Evropë të bashkuar." Kjo është kështu prej më shumë se 70 vjetësh dhe do të mbetet kështu edhe pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, tha Obama duke shtuar "Bashkimi Evropian mbetet një partner i domosdoshëm në skenën botërore me sfida të shumta."
Brexit-i duhet të mbetet një rast i vetëm
Donald Tusk, Presidenti i Këshillit të BE-së dhe ish-kryeministër i Polonisë, paralajmëroi me këmbëngulje kundër ksenofobisë, nacionalizmit dhe sloganeve anti-demokratike në të dyja anët e Atlantikut, por edhe në vendlindjen e tij, Poloni.
Lidhja mes SHBA-ve dhe BE-së është e fortë dhe shumë e rëndësishme. "Kushdo që sulmon SHBA-në, sulmon edhe BE-në dhe anasjelltas," tha Tusk. Ai paralajmëroi për pasojat gjeopolitike që mund të ketë Brexit-t. Edhe për këto folëm me mikun amerikan, tha Tusk-u dhe prandaj ai theksoi se do t'i dërgojë nga Varshava një sinjal të fortë botës : "Brexit-i është një ngjarje unikale dhe jo fillimi i një procesi. E them me zë të lartë dhe qartë, se nuk do të ketë vazhdim të kësaj historie."