Nënë Tereza: Ndërgjegjia e Kalkutës
2 Shtator 2016Kur sa kishte nisur të punonte si gazetar, Jamil Saagar e solli motoçikletën e tij një të diel në një oficinë riparimesh. Që atëherë ai kishte raportuar shumë për Nënë Terezën dhe gjithmonë kishte dashur që ta njihte personalisht. Kjo ndodhi në vitin 1995. Krejt papritur u plotësua dëshira e tij. Papritur Nënë Tereza u ndodh pranë ofiçinës, e rrethuar nga një grup i madh grash me veshje të bardha e blu. "Në këtë çast unë doja vetëm bekimin e saj", i kujtohet gazetarit. Ai hodhi tej cigaren që po pinte, eci me drojtje drejt saj dhe preku tokën para këmbëve të saj. "Kur dora e saj preku ballin tim, unë isha shumë nervoz. Deri sot e mbaj mend buzëqeshjen e saj të përzemërt", thotë Saagari në bisedë me DW.
Për këtë rrezatim të veçantë të Nënë Terezës flasin shumë njerëz në Kalkutë, të cilët patën mundësi ta njohin personalisht motrën e urdhërit. Disa e quajnë atë "ndërgjegjen e Kalkutës". Këtu Nënë Tereza u kujdes për dekada të tëra për më të varfrit, i furnizoi ata me ushqime dhe u kujdes për njerëzit e sëmurë rëndë. Këtë ajo e pa si misionin e saj dhe në vitin 1950 themeloi urdhërin "Misionarët e bamirësisë". Vetëm në Kalkutë, murgeshat sot kujdesen për 19 institucione për gra, fëmijë jetimë dhe njerëz në nevojë.
Simbol për kishën moderne
Që në moshën 19 vjeçare, në vitin 1929 udhëtoi murgesha shqiptare Anjezë Gonxha Bojaxhiu për në Indi dhe për vite të tëra dha mësim në Kalkutë, përpara se t'i kushtohej misionit të saj. Në vitin 1979 ajo fitoi për angazhimin e saj në baltrat e Indisë Çmimin Nobel të Paqes. Në këtë moment, India ishte kthyer në atdheun e saj: "Kur Nënë Tereza mori Çmimin Nobel, në Indi kishte kohë që atë nuk e shikonin më si të huaj", kujton gazetari Sagaar.
Veçanërisht për kishën katolike në Indi Nënë Tereza luan edhe sot një rol shumë të rëndësishëm, thotë baba Savarimuthu Sankar nga dioqeza katolike në Nju-Delhi. "Kur flet për kishën katolike në Indi, duhet të përmendësh Nënë Terezën. Të dyja i përkasin njëra-tjetrës." Ajo tregoi se kisha është më tepër se një institucion fetar, që mund t'u ndihmojë njerëzve në nevojë.
Vepra të mira me synime të këqia?
Megjithë famën e saj si shpirti i mirë i Kalkutës, që kur ishte gjallë ajo kishte herë pas here kritika. Sipas kritikëve, ajo donte t'i konvertonte njerëzit në nevojë dhe pranonte para nga të gjitha burimet për urdhërin e saj. Edhe pak javë më parë, një politikan indian tha se Nënë Tereza kishte qenë pjesë e një komploti, për ta përhapur edhe më tej krishtërimin në Indi.
Që Nënë Tereza ka qenë një mbrojtëse e hekurt e kishës romane-katolike, këtë gazetarja Ajitha Menon e pati dëgjuar disa herë. Ajo vetë u përket Hinduve dhe bashkëshorti i saj është mysliman. Ajo ka zhvilluar herë pas here intervista me murgeshën e famshme dhe pati mundësi ta vëzhgonte për vite të tëra punën e saj. "Ajo kurrë nuk u përpoq të më konvertonte", i tregon Menon Deutsche Welle. "Nënë Tereza ishte shumë e ndershme. Ajo ishte e gatshme që të pranonte çdo lloj mbështetjeje financiare, për t'i ndihmuar të varfrit. Por ajo thoshte edhe se ishte detyrë e të tjerëve që të verifikojnë se nga vijnë paratë."
Kalkuta po përgatitet
Në Kalkutë do të festohet me javë të tëra shenjtërimi i Nënë Terezës. Për nder të Nënë Terezës do të shfaqet edhe një festival filmi dhe një panair i madh i të korrave. Urdhëri i saj do të mbajë edhe disa mesha.
"Atë do ta quajnë këtu edhe më tej Nënë", thotë gazetari Jamil Saagar, "sepse nderi më i madh që mund t'i bësh një gruaje në Indi është ta quash nënë."