1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Tiranë besim dhe skepticizëm për hapjen e negociatave

Ani Ruci'
27 Prill 2019

Besimi se Këshilli Europian do të hapë negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë shoqërohet me skepticizëm dhe pasiguri nga analistë e studiues në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/3HVjm
Albanien Tirana - 7th Western Balkans Civil Society Forum
Fotografi: EU Delegation

Vlerësimet e fundit të Komisionit Europian që "Shqipëria i ka bërë mjaftueshëm mirë detyrat e shtëpisë" konsolidojnë shpresat e optimistëve. Ndërkohë faktorë të tjerë si zgjedhjet europiane ngrenë pikëpyetje mbi përbërjen dhe prioritetet e institucioneve të reja të BE: Parlamentit dhe Komisionit të ri Europian, që do të dalin pas zgjedhjeve në muajin e ardhshëm.

Skeptikët dhe pesimistët i kthejnë sytë tek kriza aktuale politike në Shqipëri, që në fakt, ka nxjerrë në pah dobësi të sistemit demokratik dhe shkujdesje ndaj vlerave europiane si dialogu dhe kompromisi. Konfererenca në Berlin për Ballkanin Perëndimor, e organizuar  nga kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron, më 29 Prill, ngjall pritshmëri që ajo të ndalet edhe në situatën aktuale në Shqipëri, përderisa në qendër të saj do të jetë stabiliteti dhe zhvillimi i mirë i rajonit. Krizës politike në Shqipëri nuk i mungon potenciali i destabilitetit. 

Gledis Gjipali European Movement Albania
Fotografi: DW/A.Muka

Gjipali: Besim në hapjen e negociatave

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiuv i organizatës "European Movement Albania – EMA" është optimist se Këshilli Europian do të marrë një vendim pozitiv për Shqipërinë.

"KE ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shqipëria ka realizuar "detyrat e shtëpisë” në atë nivel që e bëjnë të mundur hapjen e negociatave, nga pikëpamja e procesit politik dhe teknik. Vetë Këshilli Europian vendosi vitin e kaluar ta shtyjë për sivjet marrjen e vendimit, por duke njohur progresin e arritur. Shqipëria nuk ka bërë hapa mbrapa që KE të ketë një qëndrim tjetër. Këtë realitet pozitiv e ka vënë në dukje sivjet edhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn. Procesi është shumë kërkues pas hapjes së negociatave, kur fillojnë reformat europianizuese, që do ta ҫojnë Shqipërinë drejt pranimit” thotë për DW, Gledis Gjipali.

Por optimizmi i tij është i përmbajtur përballë rezultateve të panjohura të zgjedhjeve europiane. "Vendimi i Këshillit Europian do të reflektojë përbërjen në Parlamentin e ri Europian, nëse do të ketë rritje të numrit të forcave populiste dhe qëndrimeve kundër zgjerimit të BE . Këto do të ndikojnë tek vendimmarrja e Këshillit Europian,”thekson ai.

Rakipi: Koha e ndarjes nga trashëgimia konfliktuale

Dr. Albert Rakipi, Drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare është skeptik lidhur me marrjen e një vendimi pozitiv nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave.

”Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat. Sistemi politik nuk funksionon. Parlamenti është jashtë funksionit, opozita është jashtë sistemit, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka dialog mes qeverisë dhe opozitës. Protestat e vazhdueshme mund të ҫojnë në destabilizim, zgjedhjet lokale pa opozitën kanë rrezikun e gjenerimit të destabilitetit. Ruajta e statusquo-së është e dëmshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të ndahet nga trashëgimia konfliktuale e tranzicionit, nga zgjedhjet e kontestuara, nga përdorimi i parave të drogës dhe ndikimi i të fortëve. BE duhet të heqë dorë nga stabiliteti në Shqipëri në kurriz të vlerave evropiane të demokracisë, sepse ky lloj stabiliteti nuk është i qëndrueshëm", thotë për DW, Albert Rakipi.

Albert Rakipi
Fotografi: DW/A.Muka

Ai mendon se situata në Shqipëri dhe ecuria e procesit për hapjen e negociatave do të jenë pjesë e axhendës së Konferencës për Ballkanin Perëndimor, më 29 prill në Berlin, edhe pse jo temë qëndrore.

Normaliteti politik dhe procesi zgjedhor – të rrezikuara në Shqipëri

Analisti i pavarur në Tiranë, Aleksandër Çipa, nuk beson që negociatat do të hapen. "Parlamenti Europian ka përcaktuar dy tregues të rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë  në procesin e afrimit me BE: normalitetin politik dhe procesin e mbarë zgjedhor, në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Të dy këta tregues aktualisht janë shumë të rrezikuar. Braktisja e parlamentit nga opozita ka kosto të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit europian. Është provë e paqëndrueshmërisë së demokracisë institucionale në Shqipëri: Klasa e saj politike ndodhet në një moment kthimi pas”, thotë Aleksandër Çipa.

Lidhur me pritshmëritë nga Konferenca e Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor, më 29 prill, ai  mendon se do të këmbëngulet në forcimin e shtetit ligjor në BP, do të vlerësohet Reforma në Drejtësi në Shqipëri dhe do të kërkohet një proces zgjedhor sipas standarteve ndërkombëtare, në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Aleksander Cipa Medien Analyst
Fotografi: DW/A.Muka

Çështjet e përbashkëta në rajon do të përqëndrohen në inkurajimin e nismave që zgjidhin mosmarrëveshjet historike dhe ҫojnë drejt forcimit të kohezionit rajonal dhe sidomos në dialogin Kosovë – Serbi dhe gjasat për arritjen e marrëveshjes mes tyre, duke patur parasysh deklaratat konsekuente të kancelares Merkel për mosndryshimin e kufijve.

"Konferenca do të vlerësojë kapacitetin e BP për të tejkaluar mosmarrëveshjet historike, duke u nisur nga kapërcimi i problemeve mes Greqisë dhe Maqedonisë. Çështje tjetër mendoj se do të jetë kontributi diplomatik i rajonit për stabilitetin, marrëveshjet mes vendeve të tij në kontekstin gjeopolitik të rajonit”, thekson Aleksandër Çipa.