Në Serbi dhe Shqipëri nacionalistët gjetën rastin
20 Tetor 2014Aleksandar Sekulić ka patur ditë edhe më të qeta pune. Ka një javë që aktivisti për të drejtat e njeriut udhëton nëpër Serbi kudo atje, ku janë sulmuar dyqanet me pronarë shqiptarë. Në veri të Serbisë janë shkatërruar apo u është vënë zjarri të paktën një duzine, në një rast u përdor madje një bombë. Edhe një xhami qe objektiv i nacionalistëve serbë. „Është vertetë fat, që nuk ka humbur jetën askush“, thotë Sekuliç, që punon në OJQ-në beogradase „Iniciativa rinore për të drejtat e njeriut“. Qeveria serbe dhe shoqëria civile i dënuan sulmet, disa autorë të dyshuatr madje janë arrestuar.
Gjithmonë fajtorë janë të tjerët
Shkaktar i rigjallërimit të tensioneve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve ishte ndeshja kualifikuese për kampionatin evropian të futbollit, e cila u ndërpre javën e kaluar (14.10.) në Beograd. Kaosi në stadium u krijua nga një dron i telekomanduar, në të cilin ishte vendosur një flamur me hartën e "Shqipërisë së Madhe". Ky vend i ëndërruar nga nacionalistët shqiptarë do të përshfinte edhe Kosovën dhe pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zit dhe Greqisë. Shfaqja e flamurit ishte një sinjal për huliganët serbë, për t'u turrur në fushën e lojës dhe për të sulmuar lojtarët shqiptarë. Që atëherë në Serbi ka shfaqje të nacionalizmit të egër, në internet përhapen thirrje genocidale, flamujt shqiptarë digjen. Madje në Vjenë ka patur një përleshje masive ndërmjet anëtarëve të dy grupeve etnike.
Si shumë shpesh në të kaluarën edhe kësaj rradhe në të dyja palët faji për përshkallëzimin e situatës kërkohet tek tjetri. „Opinioni shqiptar e injoron faktin se simbolet shqiptaromëdha nuk duhen marrë në mbrojtje. Nga ana tjetër në Serbi thirrjet raciste në stadium dhe dhuna kundër shqiptarëve justifikohet me sulmin me flamurin“, thotë Sekuliç për DW.
Vaj zjarrit i hodhën pastaj edhe politikanët nga të dyja anët. Presidenti serb Tomislav Nikoliç tha se shqiptarët urrejnë në përgjithësi serbët dhe do të mbeten të tillë edhe qindra vjet të tjerë. Kryeministri shqiptar Edi Rama nga ana e tij tha se serbët janë treguar edhe një herë nacionalistë notorikë dhe racistë.
Shtyhet fillimisht vizita
Në një atmosferë të tillë Rama duhej të vizitonte Serbinë të mërkurën (22.10.). Por takimi i parë bilateral prej 68 vjetësh, i planifikuar qëkur, u shty. Data e re është aktualisht 10 nëntori. Takimi i dy kryeministrave vlerësohej si një shans i rëndësishëm për afrimin e të dy popujve. Duket se kjo shpresë tani për tani është ngrirë.
Në Bruksel zhvillimet pas ndeshjes skandaloze u kritikuan me kudjes dhe përgjithësisht. Eurodeputeti gjerman David McAllister (CDU) i tha DW, se pajtimi në rajon duhet të përfshijë të gjitha shoqëritë dhe popujt. „Unë shpesoj që pamje të tilla të mos përsëriten", tha McAllister, i cili ka marrë së fundmi rolin e raportuesit për Serbinë në parlamentin evropian.
Çështja është Kosova
Në fakt vendet kandidate për pranim në BE, Serbia dhe Shqipëria, nuk kanë probleme të pakapërcyeshme ndërshtetërore. Armiqësia më shumë krijohet për shkak të interesave shumë të kundërta për çështjen e Kosovës. Vendi më i ri i Ballkanit, që shpalli pavarësinë në 2008 nga Serbia, njihet ndërkohë nga më shumë se njëqind shtete, ndër ta 23 shtete të BE. Qeveria në Beograd nga njëra anë nuk do ta njohë sovranitetin e provincës së saj të dikurshme, nga ana tjetër ajo e pranon „realitetin“, siç u pëlqen ta formulojnë pushtetarët në Serbi. Ky realität i kombinuar me presionin nga Brukseli bëri që Beogradi dhe Prishtina të nënshkruajnë disa marrëveshje.
„Ngjarjet e fundit dëshmojnë, se dokumentet e nënshkruara mund të jenë një hap i parë pozitiv, por nuk përfaqësojunë në asnjë mënyrë përfundimin e normalizimit“, mendon Iliriana Kaçaniku nga „Foandacioni për shoqërinë e hapur“ në Kosovë. Kanë kaluar 15 vjet që nga lufta, që filloi me shtypjen e përgjakshme të shqiptarëve nga regjimi i Millosheviçit dhe përfundoi me bombardimin e Serbisë nga NATO me qindra viktima civile dhe tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Që atëherë, thotë Kaçaniku në bisedë me DW, është folur shumë, por është bërë pak. „Politikanët drejtues në rajon nuk janë në gjendje të shohin nga e ardhmja. Me mentalitetin e vjetër nuk mund të zhvillosh një vend modern evropian“, mendon ajo.
Populizmi ende i kërkuar
Sot në Beograd dhe Prishtinë qeverisin armiqtë e dikurshëm: Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç në vitet 90-të bënte propagandë kundër shqiptaëve, si ministër i Informacionit ishte përgjegjës për censurën dhe propagandën shtetërore. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK), që duhet të jetë përgjegjëse për krime lufte kundër serbëve. Të dy prezantohen sot si mbrojtës të idesë evropiane, por në daljet e tyre në publik nuk heqin dorë nga parullat populiste. Në mënyrë të ngjashme vepron edhe Edi Rama në Shqipëri. „Retorika nacionaliste vazhdon të ofrohet, sepse qytetarët vazhdojnë t'ua blejnë atë. Dhe mediet japin ndihmën e tyre në këtë transaksion“, konkludon Kaçaniku.
Aktivisti serb për të drejtat e njeriut Sekulić beson se vetëm afrimi me BE nuk do ta zgjidhë problemin. „Brukseli duket i kënaqur me faktin se serbët dhe shqiptarët nuk vriten me njëri-tjetrin.“ Komisioni i ri i BE ka deklaruar tashmë se në pesë vitet e ardhshme nuk do të pranojë anëtarë të rinj në BE. Një tjetër arsye kjo, përse nuk duhet të presim gjithmonë impulset nga jashtë, mendon Sekuliç. „Nationalizmi në dekadat e fundit në Ballkan ka lënë pas qindra mijëra të vdekur, të dëbuar e të përvuajtur. Prandaj është detyra jonë që ta kundërshtojmë dhe ta luftojmë atë.“ E thjeshtë megjithatë nuk është, thekson aktivisti i ri, dhe mund të zgjasë shumë.