Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale
17 Tetor 2021Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë demokratike dhe pa incidente, bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas të dhënave të KQZ, në zgjedhje dolën 43 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, një dalje e ngjashme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017. KQZ thotë se mbi 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës. Procesi i numërimit të votave po vazhdon dhe nuk ka ndonjë njoftim të saktë se kur mund të priten rezultatet paraprake.
Mirëpo, sipas shumë parashikimeve të zhvilluara gjatë ditës nga organizata joqeveritare dhe mediet, në shumicën e komunave të Kosovës thuhet se do të ketë balotazh. Sipas ligjit për zgjedhjet lokale dhe sistemit të aplikuar zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Raundi i dytë pritet të mbahet me 14 nëntor.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, e cila vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore në Kosovë, konstatoi se në zgjedhjet e së dielës nuk ka pasur incidente serioze, që mund të komprometonin integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve. Eugen Cakolli nga DnV, tha se "në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit. Ndërsa në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident , që do të mund ta cënonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.
Dalje e jashtëzakonshme e qytetarëve në zgjedhje në veri
"Karakteristikë e komunave veriore, e në veçanti e Mitrovicës së Veriut është dalja e jashtëzakonshme e qytetarëve në zgjedhje, e cila është të paktën dy fish më e lartë se mesatarja e vendit gjatë pjesës së ditës”, tha Eugen Cakolli nga demokracia në veprim.
Rreth 1.9 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote. 166 kandidatë të partive politike garuan për kryetarë komunash, ndërsa mbi 5 mijë kandidatë të tjerë, garuan për deputetë të kuvendeve komunale.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit u vëzhguan nga rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë. 200 vëzhgues ishin nga Bashkimi Evropian dhe ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë. Mbarëvajtja e procesit u sigurua nga mbi 3 mijë e 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës.
Votimet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit u mbajtën në kohë pandemie, ku vendosja e maskave, distanca fizike dhe kufizimet për tubimet e më shumë se 50 personave mbeten në fuqi, ndonëse përgjatë gjithë fushatës njëmujore zgjedhore nuk janë respektuar nga partitë politike.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, dhe ajo pati bëri thirrje për proces të qetë dhe pjesëmarrje sa më të gjerë në votime. Zgjedhjet lokale të 17 tetorit nga analistët shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosja, parti kjo që doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.