1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale

Bekim Shehu
17 Tetor 2021

Zgjedhjet lokale zhvillohen në 38 komuna të Kosovës. 94 subjekte politike, iniciativa qytetare me 165 kandidatë konkurojnë për të udhëhequr në 38 komunat e Kosovës.    

https://p.dw.com/p/41lY2
Kosovo Parlamentswahlen
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Sot (17.10.) në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe asamblistë komunalë. Zgjedhje zhvillohen në 38 komuna të Kosovës, përfshirë edhe ato në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe. Numri i qendrave të votimit në të gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bëri të ditur se ka çertifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021.

“Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që u mbajtën më 14 shkurt 2021”, njofton KQZ.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit garojnë 94 subjekte politike. 32 prej tyre janë parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare e 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar në këto zgjedhje është 4.920, ku  165 nga ta do jenë kandidatë për kryetarë komunash.

Në Kosovë akoma janë në fuqi masat anti-covid dhe ndalim qarkullimi nga ora 22:00, deri në gjashtë të mëngjesit, por, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi,  ka thënë se kanë bërë kërkesë në Qeveri për heqjen e përkohshme të orës policore, për 48 orë për të shtunën dhe dielën, gjatë kohës sa vendi është në procesin zgjedhor.
Nga prokuroria e shtetit kanë thënë se kanë krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë me mision mbrojtjen e votës së qytetarit.

“Kemi 80 prokurorë kujdestarë në 38 komunat e Kosovës. Nëse do të ketë keqpërdorim të votës, prokuroria dhe policia do të ndalojnë dhe arrestojnë qytetarët, por edhe ata që mundësojnë këtë”, tha prokurorja Laura Pula.

Edhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë, se "policia ka krijuar urdhër-planin operativ në nivel vendi për mbajtjen e rendit dhe qetësisë për sigurimin e vendvotimeve, qendrave të votimit, sigurim dhe shpërndarje të materialit sensitiv”. 3553 policë do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi, se 35 gjyqtarë, kujdestar në nivel vendi do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve.

Kommunalwahlen im Kosovo 2021
Fotografi: Central Election Commission in Kosovo

Zëdhënësi i KQZ Valmir Elezi, tha se në ditën e heshtjes zgjedhore  u shpërnda materiali zgjedhor për t’u bërë gati që të dielën në mëngjes të jetë në qendrat e votimit në vend.

“Gjatë të shtunës bëjmë shpërndarjen e materialit zgjedhor edhe të fletëvotimeve nga depoja qendrore e KQZ për nëpër të gjitha komunat. Të dielën në mëngjes nga këto depo të komisioneve komunale, materiali zgjedhor shpërndahet në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Kosovën”, tha Elezi.

Votuesve nuk do t’u kërkohet dëshmia se janë vaksinuar apo testet për COVID-19. Por, masa të tilla do të ketë për vëzhguesit dhe stafin zgjedhor. Këta do të jenë të detyruar që mbikëqyrjen e procesit zgjedhor ta bëjnë duke ofruar një nga dëshmitë.

Tash për tash në Kosovë numri i infektimeve me Covid-19 është shumë i vogël. Në Kosovë raste aktive me koronavirus janë 924. Te këta qytetarë, KQZ-ja është përkujdesur që të dërgojë ekipet mobile ku ata mund të votojnë nga shtëpia apo vendi ku po qëndrojnë të izoluar.

“Në ditën e zgjedhjeve KQZ angazhojn ekipet mobile që do të jenë prezent në adresat e qytetarëve të infektuar. Do jenë 87 ekipe mobile me 348 anëtarë që janë të emëruar të lëvizin nëpër të gjitha komunat”, ka thënë Valmir Elezi.
Zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit, ndërsa, Bashkimi Evropian tashmë ka dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Kërkesa drejtuar BE-së për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e mëhershëm të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka emëruar deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas Borrelit, “Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike”.

“Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen”, ka thënë Josep Borreli.