Në Kosovë kanë nisur zgjedhjet lokale
17 Tetor 2021
Në të gjitha komunat e Kosovës po zhvillohet normalisht procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale. Rreth 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote, zgjedhin udhëheqjen e re në 38 komuna të vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tha se procesi i zgjedhjeve në të gjithë teritorin e vendit po zhvillohet normalisht dhe qendrat e votimit do të jenë të hapuara deri në orën 19:00. Qendra votimi gjithandej Kosovës janë 883, me 2 mijë e 477 vendvotime. 166 kandidatë të partive politike garojnë për kryetarë komunash, ndërsa 5 mijë kandidatë të tjerë, garojnë për deputetë të kuvendeve komunale.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit vëzhgohen nga rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë. 200 vëzhgues janë nga Bashkimi Evropian dhe ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë. Mbarëvajtja e procesit zgjedhor po sigurohet nga mbi 3 mijë e 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës.
Osmani: Qytetarët votojnë për cilësinë e jetës
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se "qytetarët sot votojnë për kualitetin e jetës në komuna".
"Sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19”, shkroi presidentja në facebook.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se "qytetarët në Kosovë sot vendosin se kush do të vendosë, përcaktohet se kush do të jenë udhëheqësit e tyre. Inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë moment demokracie”, tha Kurti para mediave. Zgjedhjet e sotme lokale nga analistët shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosja, parti kjo që doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.