220611 Wohlhabende Griechen Krise
22 Qershor 2011Giorgos Flessas është një sipërmarrës model, që e ka ndërtuar çdo gjë vetë. Ai ka ecur me punën e tij dhe ka krijuar një grup sipërmarrjesh, aktiv në të gjitha fushat e reklamave dhe në marrëdhëniet me publikun, që po shtrihet edhe në vende të tjera të Evropës Juglindore. Por edhe sipërmarrësi athinas sjell lajme të këqija nga fronti i krizës. Së paku pesë deri në dhjetë vjet do të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme ekonomike në Greqi, thotë Flessas, sepse së pari mungojnë impulset për rritjen ekonomike dhe së dyti barra e krizës nuk është shpërndarë në mënyrë të barabartë.
Evazioni fiskal dhe ekonomia informale probleme qendrore
"Padrejtësia më e madhe është pafuqishmëria e shtetit para evazionit fiskal. Ndërsa nëpunësit, pensionistët dhe të punësuarit në firma private nuk kanë rrugë tjetër veçse të paguajnë tatime për gjithë të ardhurat e tyre, grupe të tjera, si ato në profesion të lirë, vazhdojnë të mos cënohen. Njërëzit e thjeshtë nuk janë krejtësisht të pafajshëm, sepse në radhë të parë biznesmenët e vegjël, lëvizin në një zonë të dyshimtë, përsa i përket shlyerjes së tatimeve, ndërsa firmat e mëdha bëjnë bilance dhe kontrollen nga auditorë të kualifikuar."
Pra të pasurit nuk duhet të jenë fajtorë për mjerimin ekonomik të vendit, edhe pse "brezi 700 euro" në Greqi pohon pikërisht këtë. Por si është puna me jetën e pasur të natës në Athinë, apo anijet luksoze në portin e jahteve të Pireut, që u bie në sy herë pas here vizitorëve gjermanë në Greqi? Flessas thotë se nuk duhen nxjerrë në mënyrë të përshpejtuar konkluzione.
"Edhe këtu e vërteta qëndron në mes. Natyrisht kjo e gjitha është një tregues i përmasave të ekonomisë informale, por duhet të keni parasysh edhe dy gjëra. Mentaliteti grekëve është i tillë, që më mirë kursejnë në ushqim dhe në veshje, për të pirë pastaj një gotë me shokët. Dhe sa u përket porteve të jahteve: Për shkak të ishujve të saj të shumtë Greqia tërheq jahte nga e gjithë bota dhe shumë prej tyre vendosen në Pire."
Politikanët nuk kanë kuptuar seriozitetin e situatës
Ndër pasanikët në vend numërohet edhe Panagis Karellas, pasardhës i një familjeje të njohur biznesmenësh, që kanë bërë para në industrinë e tekstileve. Sot ai drejton dhomën e tregtisë së Athinës dhe është gjithashtu në kërkim të një karriere të re në sektorin e shërbimeve. Që para krizës industria greke e tekstileve, dikur e lulëzuar, kishte humbur fuqinë konkurruese. Recesioni ka përfshirë edhe tregtinë me pakicë, thotë Karellas.
"Në qendër të Athinës një ndër katër dyqane ka qenë i detyruar të mbyllet, sepse konsumatorit nuk i mbeten më të holla për të blerë. Dhe pamja në rrugët e kryeqytetit grek momentalisht nuk të josh për të bërë pazar, sepse kudo ndeshesh me tregtarë të paligjshëm dhe lypës. Kjo nuk është shumë tërheqëse për një familje me fëmijë."
Karellas, ekonomist i diplomuar, nuk i jep vetes shumë rëndësi. Ekonomia nuk është aspak shkencë, pohon ai. Për të shumë gjëra varen nga politika, por politikanët nuk e kanë kuptuar aspak seriozitetin e situatës, mendon ai.
"Këta persona marrin vendime, që mund të na prekin të gjithë ne, por ata ose nuk duan ta shohin realitetin, ose na privojnë me qëllim nga e verteta. E kjo vlen për të gjithë politikanët për fat të keq, lufta për pushtet është më e rëndësishmja."
Autor: Janis Papadimitriu / Angjelina Verbica
Redaktoi: E. Xhani