1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka shenja për përgatitjen e një testi bërthamor nga Koreja e Veriut

(dpa) Angelina Verbica8 Prill 2013

Koreja e Veriut vazhdon kërcënimet, provokimet dhe sharjet. Tani regjimi njoftoi mbylljen e parkut industrial Kaesong. Koreja e Jugut tërhoqi spekullimet lidhur me provën bërthamore koreanoveriore.

https://p.dw.com/p/18BiI
Fotografi: Reuters

Koreja e Veriut ka bërë të ditur tërheqjen e 53.000 punëtorëve të saj nga zona ekonomike Kaesong, në të cilën operojnë së bashku të dy Koretë. Kim Yang Gon, një nëpunës i rangut të lartë i partisë në pushtet, pohoi sipas një njoftimi të agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA, se kompleksi industrial do të mbyllet provizorisht.

"Nuk ka veprime, që flasin për test bërthamor"

Koreja e Jugut hodhi poshtë këtë të hënë supozimet, se Koreja e Veriut është para kryerjes së një testi të ri bërthamor. Lëvizjet e njerëzve dhe të automjeteve të konstatuara pranë lokacionit kryesor koreanoverior të kryerjes së provave bërthamore nuk janë veprime të pazakonshme, që flasin për një test bërthamor, tha një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes në Seul.

Postbllok kufitar në zonën industriale Kaesong
Postbllok kufitar në zonën industriale KaesongFotografi: Reuters

Ministri i Ribashkimit, Ryoo Kihl Jae, kishte deklaruar më parë, duke iu referuar të dhënave të shërbimeve sekrete, se ka të dhëna për një test të tillë. Në mediat koeanojugore kishte pasur informacione për shtimin e aktiviteteve në Punggye Ri, në territorin më të rëndësishëm të kryerjes së provave bërthamore në Veri. Mediat njoftonin, duke iu referuar një përfaqësuesi të qeverisë, se edhe në shkurt para testit të tretë bërthamor ishin regjistruar aktivitete të tilla. Në shkurtin e kaluar Pheniani testoi për herë të tretë një armë bërthamore, duke shkaktuar tensione të reja në gadishullin Korean, të cilat kanë ardhur duke u rritur.

Merkel dhe Putin bëjnë thirrje për maturi

Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin i bënë thirrje Koresë së Veriut që t'i japë fund provokimeve ushtarake. Merkel tha, se është e një mendimi me Putinin, që efekti i bashkësisë ndërkombëtare mbi zhvillimet në lidhje me Korenë e Veriut duhet të jetë qetësues, kështu deklaroi kancelarja gjermane pas vizitës së përbashkët me presidentin rus Putinin në panairin e Hanoverit në Gjermani. Që të dy theksuan se duhen ndërmarrë masa që edhe Korea e Veriut të ndërpresë "provokimet". Edhe qeveria kineze shfaqi shqetësim lidhur me situatën aktuale dhe u bëri thirrje palëve për dialog.