1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Notre-Dame ka probleme me rindërtimin

Stefan Dege
7 Prill 2022

Tre vjet pas zjarrit të madh mungesa e kohës dhe mosmarrëveshjet e vështirësojnë rindërtimin e katedrales së Notre Dame, vëren mjeshtrja Barbara Schock-Werner, që ka qenë ngarkuar me rindërtimin e Katedrales së Këlnit

https://p.dw.com/p/49ZDL
Frankreich | Wiederaufbau Kathedrale Notre-Dame in Paris
Fotografi: Robert Schmiegelt/Geisler-Fotopress/picture alliance

"Kjo ngjarje është prezente edhe sot", thotë Barbara Schock-Werner, ish-mjeshtrja e ndërtimit në Katedralen e Këlnit, se cila kujton "kur pa në televizor krejtësisht e shokuar djegien e Katedrales së Parisit". Asaj, si historiane arti, i ka mbetur në mendje sidomos momenti kur u rrëzua maja e kullës së kalimit (kulla ku takohet aniata kryesore me transeptën e një kishe) dhe ra tek harqet e transeptës gotike të kishës: "Shoku ishte i madh për mua." Ajo e pati menjëherë të qartë se duhet të ofronte ndihmën e saj në rindërtimin e kishës.

Frankreich, Paris: Kathedrale Notre Dame
Fotografi: picture-alliance/AP/T. Mallet

Katedralja e Parisit njihet në gjithë botën dhe ka rëndësi të madhe kulturore. Romancieri francez, Victor Hygo (1802–1885) e ka përjetësuar madhështinë e kishës në një roman historik. Më vonë „Këmbanaxhiu i Notre Damit", në shqip i njohur si „Katedralja e Notre Damit", është kthyer shumë herë në film. Kompozitori austriak Franz Schmidt (1874-1939) shkroi duke u bazuar në romanin e Hygoit, operën romantike "Notre Dame". Napoleon Bonaparte (1769-1821) u kurorëzua në kishën gotike si monark i gjithë francezëve, siç pati bërë dikur më parë Mbreti angelz Heinrich VI (1421-1471). Efekti kulturor dhe identitar i kishës së ndërtuar nga 1163 deri 1345, është i madh sa më nuk bëhet. Silueta e saj ngrihet dhe sot mbi ishullin e Senës, Île de la Cité, në qendrën historike të Parisit.

Kur tre vjet më parë imazhet e katedrales në flakë u panë nga gjithë bota, ato shkaktuan hidhërim dhe një valë gatishmërie për ndihmë. Presidenti francez Emmanuel Macron, e shpalli restaurimin e katedrales projekt kombëtar. Dhe premtoi që rindërtimi të përfundojë brenda pesë vitesh. Vetëm donatorët francezë premtuan të japin 850 milionë euro për rindërtimin e Katedrales. 

Para dhe ekspertizë nga Gjermania

Oferta për të kontribuar u bënë edhe nga Gjermania, ku u mblodhën 700 000 euro. Tri ditë pas zjarrit të katedrales në Paris, Barbara Schock-Werner u emërua nga ish-ministrja gjermane e Kulturës në atë kohë, Monika Grütters, koordinatore e ndihmave gjermane.

Frankreich Paris | Emmanuel Macron besucht Baustelle von Notre Dame
Emmanuel Macron viziton punimet, prill 2021Fotografi: Benoit Tessier/AP/picture alliance

Kur mbrëmjen e incidentit alarmi ra për herë të dytë, atëherë zjarrfikësit e kuptuan çfarë e shkaktonte zjarrin. Në papafingon e çatisë dhe në kullën e kalimit ishin duke u kryer punime, dhe një pjesë e Notre Damit ishte e rrethuar me skela ndërtimi. Ende pa përfunduar evakuimi i kishës, flakët përfshinë të gjithë skeletin e çatisë mbi transeptën qendrore. Drama nuk morri fund këtu: Në orën 19.56 – kur qindra zjarrfikës ishin duke luftuar me zjarrin, rrëzohet kulla e kalimit, maja më e lartë e Notre Damit. Kamerat e televizioneve gumëzhinin. Notre Dame po digjet, e paimagjinueshme! Deti i zjarrtë ndriçoi qiellin e mbrëmjes mbi Paris. Njerëzit ndaluan në rrugë dhe vunë duart në kokë. A mund të shpëtojë „Zonja jonë e Parisit?" E gjithë bota e pa zjarrin – live – duke u dridhur bashkë me francezët. Mëngjesin e ditës tjetër, në orën 9:50, gati 12 orë pas shpërthimit të zjarrit, zjarrfikësit lajmëruan se zjarri u shua plotësisht. 

"Mrekullia e Notre-Dame"

Çfarë e kishte shkaktuar zjarrin katastrofal? Ndonjë kontakt fallco? Apo cigarja e ndonjë punëtori të ndërtimit? Edhe sot hetuesit nuk e kanë gjetur shkakun e fatkeqësisë.

Direkt pas zjarrit, Barbara Schock-Werner bëri një bilanc të dëmeve. Sot ajo e di se përmasat e katastrofës janë shumë më të mëdha se sa u kujtua fillimisht. "Për fat të mirë nuk janë rrëzuar të gjitha harqet.” Vetëm tre prej tyre kanë rënë. Në altar shihet një e çarë. Në fillim ajo kujtoi se me siguri që Madona gotike ishte shkatërruar. "Megjithëse kulla e kalimit ka rënë pranë saj, asaj nuk i ka ndodhur gjë,” thotë ekspertja nga Këlni.

Por pasojat e zjarrit janë të konsiderueshme. Dhe një problem që nuk u pa në fillim: "Prej ujit që është përdorur për shuarjen e zjarrit, ndërtesa është gjithë lagështirë, edhe sot.” Deri sa të thahet e gjitha mund të duhen nja dhjetë vjet. Ogur jo i mirë për rindërtimin, sepse koha nuk pret në kantierin e ndërtimit. "Ajo që lyhet, gërryhet ose zbardhet me gëlqere nuk do të mbajë gjatë,” thotë Barbara Schock-Werner, "sepse do të shkëputet nga lagështia në mure.”

Dombaumeisterin - Barbara Schock-Werner
Mjeshtrja Barbara Schock-WernerFotografi: picture-alliance/dpa/O. Berg

Restaurimi i Notre-Dame tregoi shpejt se është një projekt gjigand, si nga pikëpamja financiare, ashtu edhe nga pikëpamja organizative dhe ajo politike. "Në fillim kolegët e Parisit duhet të ngrinin një ekip. Të gjitha bisedat e para u zhvilluan në një lokal që ndodhet aty afër." Pastaj e rëndësishme ishte që të ruhej pjesa që ka mbetur e pa prekur nga zjarri: Të gjitha dritaret duhet të nxirreshin përjashta, vendet e dritareve duhet të përforcoheshin, presioni që ushtrojnë krahët mbajtëse mbi mure duhet të ulej. Ngarkesat e para duhet të vendosnin ekuilibrin. Lëndët e shkrira nga zjarri që i ishin ngjitur skeletit duhet të hiqeshin me kujdes. "Këto u bënë vitin e parë, sepse ekzistonte rreziku që të rrëzoheshin edhe harqet e tjera.”

Edhe marrëdhëniet gjermano- franceze nuk kaluan në vaj. "Gjermania do të restaurojë dritaret e Notre Damit,” njoftoi zyra e ndërtimit të Katedrales së Këlnit, në përvjetorin e parë të zjarrit. "Kjo shkaktoi indinjatë tek kolegët francezë, që kujtuan se po u merrej puna nga duart,” tregon Schock-Werner. Po ajo i qetësoi duke u shpjeguar se: "Jo, ne nuk mund dhe nuk do e bëjmë një gjë të tillë, ne do të merremi vetëm me një pjesë të punës.” Deri më sot katër, nga 300 xhamat e dritareve të bëra nga mjeshtri i qelqit Jacques Le Chevallier (1896-1987), nuk kanë mbërritur në Këln. Barbara Schock-Werner kërkon "më shumë kujdes diplomatik”.

Punimet në organon kryesore

Tani, tre vjet pas zjarrit të madh ka filluar restaurimi i organos kryesore. Ajo nuk u prek as nga zjarri, as nga punimet për shuarjen e zjarrit. Por ajo u mbyt nga pluhuri helmues. 19 krahët e saj janë duke u restauruar në një atelie. Një punishte tjetër është duke pastruar 8000 tubat e instrumentit nga lëndët helmuese. Hap pas hapi do të bëhet restaurimi i gjithë pjesëve të tjera të organos. Në verë do t'u vijë radha katër pjesëve të fryrjes së ajrit.

Frankreich Kathedrale Notre-Dame de Paris | Ausgrabung, Sarkophag 14. Jahrhundert
Fotografi: Julien de Rosa/AFP/Getty Images

Premtimit të Emmanuel Macronit, që Katedralja të hapet për vizitorët gjatë Lojërave Olimpike në pranverë 2024, ekspertja nga Këlni i shton me zë të ulët pakënaqësinë e saj. "Ky afat ekziston. Këtë e ka vendosur presidenti”, thotë Barbara Schock-Werner, "kjo gjë e bën punën edhe më të vështirë se sa është.”

E pasigurt është nëse ndërtimi i skeletit të çatisë do të përfundojë deri atëherë. Deri në pranverë 2023 pritet të vendosen sërish të gjitha dritaret. Pastaj duhet prishur skela dhe nxjerrë jashtë, duhet instaluar organoja e restauruar dhe duhet bërë akordimi i saj.

Pra do kohë deri sa Notre-Dame të shkëlqejë sërish. "Por e hapur për vizitorët katedralja do të jetë që më 2024”. A do quhet ato ditë presidenti i shtetit ende Emmanuel Macron, këtë e tregojnë zgjedhjet që zhvillohen në mes të muajit prill.