1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kishat në RDGJ

Wolfram Nagel27 Tetor 2014

Kishat luajtën një rol thelbësor në revolucion paqësor. Vite para revolucionit ato kishin nisur aksionet dhe lutjet për paqe. Opozita ngurruese u forcua në një protestë të masave, që çoi në rënien e Murit.

https://p.dw.com/p/1DcOL
Fotografi: Ökumenisches Informationszentrum Dresden

Katedralja St. Nikolai në ditën e reformacionit 2014: një artist e kthen një shpatë në plor. Aksioni synon të përkujtojë një ngjarje e cila ka ndodhur më shumë se 30 vjet më parë. Atëherë, në vitin 1980 famulltari për të rinjtë nga Saksonia Harald Bretschneider dhe kryeprifti nga Erfurti Heino Falcke kërkonin një simbol për dekadën e paqes. Ata gjetën çka kërkonin në Dhjatën e Vjetër të Biblës. Të profeti Micha thuhet se „shpatat duhet të kthehen në plorë“. Më parë RDGJ kishte futur në planin mësimor të shkollave lëndën e ushtarakes. Prindërit kundërshtonin edhe lodrat me temë nga lufta në kopshtet e fëmijëve. Një farkëtar, që me çekiçikin e tij ndryshon formën e shpatës u bë simboli i lëvizjes së krishterë për paqe.

Motivi mbështetet tek një skulpturë e artistit të njohur sovjetik Jevgeni Vutshetish. Dikur një dhuratë e ateistit Nikita Hrushov, kryetar i partisë dhe shtetit në Bashkimin Sovjetik, për OKB në Nju Jork. „Ishte e mrekullueshme kjo ide fantastike e kthimit të shpatave në plorë dhe pati një efekt të madh“, kujton Harald Bretschneider. Ai porositi edhe stampinim e emblemës në stof, duke zemëruar shumë pushtetin që megjithatë nuk mund ta ndalonte pasi kështu do të kishte ofenduar Bashkimin Sovjetik. Në veçanti të rinjtë e mbanin emblemën e qepur në formë të rrumbullakët. Dhe nganjëherë iu grisej me zemërim nga shokët e partisë.

EINSCHRÄNKUNG Kirche in der DDR - Rolle der Kirche beim Untergang der DDR
Fotografi: DW/W. Nagel

Kryesisht të rinj ishin edhe ata që në 1982 protestuan në heshtje para rrënojave të kishës Frauenkirche në Dresden kundër luftës, dhunës dhe militarizimit të fshehtë. Annemarie Müller, asokohe infermiere dhe sot drejtuese e Qendrës Ekumenike të Informacionit në Dresden, kujton: „Pati një thirrje për gratë që punonin në mjekësi. Ato duhet të merrnin një çertifikatë të ushtrisë. Disa prej shoqeve të mia dhe unë kundërshtuam. Kjo ishte pikënisja për t‘u marrë me aktivitetet pro paqes. Dhe këto aktivitete i vazhduam dhe ishim të pregatitura për atë që shpërtheu në vjeshtën e 1989-s.“

Të arrish paqe pa armë

Tre vjet pas aksionit të parë, në një ditë rajonale të kishës në 1983, ishte famulltari i Wittenbergut Friedrich Schorlemmer që në oborrin e shtëpisë së Luterit transformoi një shpatë. I pranishëm ishte dhe një ekip televizioni i kanalit ZDF dhe shumë spektatorë që brohorisnin. Ishte një arritje mjeshtërore pasi as drejtuesit e ditës së kishës nuk do të kishin lejuar kurrë një aksion të tillë spektakolar. „Fakti që ia dolëm mbanë megjithëse Stasi ishte në oborr është një nga mrekullitë që i paraprinë vjeshtës së ,89-s“, kujton inisiatori Schorlemmer.

Friedrich Schorlemmer, Wittenberg
Fotografi: Petra Schulze

Udhërrëfyes për aksionin ishte „Procesi konsiliar për drejtësi, paqe dhe ruajtjen e krijimit“, një lëvizje ndërkombëtare ekumenike, e cila që prej vitit 1983 bënte thirrje për kthesë edhe sa i përket stacionimit të armëve të shfarosjes në masë. Të krishterët e lëvizjes për paqe në RDGJ, thotë Schorlemmer, kërkonin një kthesë me motive të krishtera pa dhunë. Ata donin të demonstronin „kundër një dhune, që po shkatërronte gjithçka. Nuk duhet harruar se këtu në Gjermani gjendeshin të stacionuara raketat më të rrezikshme dhe aq pranë njëra-tjetrës sa nuk mund të kishte asnjë sinjal paralajmërimi.“

Lutjet e para për paqe

Në të njëjtën kohë të krishterët në Leipzig dhe shumë vende të tjera u angazhuan në kuadër të lutjeve për paqe për reforma në RDGJ, edhe si reagim ndaj një kërkesave të shumta për dalje jashtë vendit të atyre që nuk shihnin më asnjë perspektivë atje. Famulltarëve si Christian Führer nga kisha Nikolai e Leipzig-ut, nuk u interesonte të minonin socializmin. Vendi thjesht duhej të bëhej më i lirë, më demokratik dhe të respektonte më shumë ambjentin.

Në fund pushteti shtetëror në RDGJ nuk mund ta injoronte më lëvizjen paqësore të Kishës. Në 1987 u lejua madje edhe marshimi i paqes Olof Palme mes për mes vendit. Rreth 1000 pjesëmarrësit me pankartat e tyre ndaluan edhe në Dresden.

EINSCHRÄNKUNG Kirche in der DDR - Rolle der Kirche beim Untergang der DDR
Christoph ZimmerFotografi: Ökumenisches Informationszentrum Dresden

Ndërkohë lëvizja e paqes nuk gjente forcë vetëm tek fjalët e profetit Micha. Edhe predikimi në mal i Jezusit nga Dhjata e Re kishte një ndikim të fortë. Ish famulltari nga Saksonia Harald Bretschneider është ende sot i habitur se çfarë fuqie shpalosën në atë kohë premtimet e Biblës. „Të lumturuar qofshin pacifistët, aktivistët e paqes se ata do të quhen fëmijët e Perëndisë. Kjo do të thotë: në besim bëhet fjalë vërtet për një opsion prioritar të mungesës së dhunës, në mënyrë që mund të thuhet vërtet se nga vizioni biblik buroi një revolucion paqësor.“

Nëse për një kohë të gjatë lëvizja e krishterë për paqe në RDGJ kishte kryesisht karakter protestant, në Takimin Ekumenik të vitete 1988 dhe 1989 u arrit të bashkoheshin atje të gjitha kishat. Tri periudhat e takimit në Dresden, Magdeburg dhe sërish Dresden vlerësohen si përgatitje fetare dhe shpirtërore e vjeshtës së kthesës.

Dialog i suksesshëm me pushtetin

„Ne do të qendrojmë - Ne jemi populli – Gorbi, Gorbi“. Koret që thërrisnin në tetor 1989 në rrugët e Plauen-it, Dresdenit, Leipzig-ut apo Berlinit kishin të njëjtat slogane. Por më e rëndësishme ishte thirrja: „Jo dhunës“. Shumë aktivistë për të drejtat e njeriut druanin se shteti do të ndërhynte me dhunën e armëve dhe nuk do të trembej të derdhte gjakun e qytetarëve, aq më pak pasi në 7 tetor në Berlin dhe Dresden qindra demonstrues paqësorë u arrestuan. Christoph Zimmer, asokohe klerik i lartë në Dresden dhe sekretar i Asamblesë Ekumenike, thotë se ishte e rëndësishme që „kjo mungesë e dhunës ishte praktikuar për vite me radhë. Kur është fjala për të arritur ndryshime, duhet të pyesësh se me çfarë mjetesh mund ta bësh. Dhe për ne ishte gjithnjë e qartë: të gjitha mjetet janë të përshtatshme me përjashtim të dhunës."

Së bashku me ipeshkvin protestant të landit të Saksonisë Johannes Hempel, në 8 tetor 1989 Ziemer kishte mbrojtur me sukses një dialog paqësor me kryebashkiakun Wolfgang Berghofer, për të qetësuar situatën e tensionuar në metropolin e Elbës. Në të njëjtën kohë dy klerikë katolikë arritën të hynin në bisedime me policinë. Njëri prej tyre ishte Frank Richter, sot drejtor i qendrës së landit për edukim politik në Saksoni. Ai pati guximin t‘i drejtohej policisë, gjeti një bashkëbisedues që e pranoi propozimin e tij. „Brenda dy orësh konfrontimi u kthye në dialog për kërkimin e një rruge të re“, kujton ai.

DDR - Friedensgebet in Nikolaikirche
Lutje për paqe në kishën Nikolai në DresdenFotografi: picture-alliance/ ZB

„Grupi 20“ i themeluar nga Frank Richter i prezantoi temat e tij në bashkinë e Dresdenit. Liri mendimi, shtypi, udhëtimi, lirimi i të burgosurve, lejimi i forumit të ri, shërbim social në vend të atij ushtarak - të gjitha pika, që më e vonëta me demonstrimin e madh të 70.000 vetëve në 9 tetor në Leipzig, u kërkuan në gjithë vendin.

Kishat luajtën një rol unik ndërmjetësimi në atë situatë historike, thotë teologu katolik: „Në procesin që sot e quajmë revolucioni paqësor, ato vunë në dispozicion hapësirë dhe kohë për të përcjellë në fjalë të lirë diskutimet shoqërore.“

Pas rënies së Murit të Berlinit, kishat e humbën megjithatë shpejt këtë rol. Prej atij momenti nuk ishte pakica e të krishterëve të lëvizjes së paqes që përcaktonte drejtimin por shumica e qytetarëve të RDGJ të palidhur me kishën. Dhe temat e tyre ishin ribashkimi dhe marka gjermane.