1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

081208 Muslime Weihnachten

24 Dhjetor 2009

Në Gjermani feja e krishterë ka rrënjë të thella dhe festat kristiane janë tradicionalisht pjesë përbërëse e jetës sociale. Krishtlindjet kanë një rol qendror. Po si i kalojnë fëmijët myslimanë ethet e Krishtlindjeve?

https://p.dw.com/p/LCyA
Dekori i Krishtlindjeve në një rrugë të Bonit
Dekori i Krishtlindjeve në një rrugë të BonitFotografi: Presseamt Bundesstadt Bonn

Atmosfera e Krishtlindjeve ndihet kudo në Gjermani. Megjithëse, e parë nga pikëpamja teologjike, ka festa fetare që për fenë e krishterë kanë rëndësi më të madhe, Krishtlindjet janë padyshim festa më e dashur.

Veçanërisht fëmijët e presin me padurim festën e Krishtlindjeve. Ndizen qirinj për ardhjen e Krishtit, çdo ditë fëmijët hapin një kuti të re në kalendarin me ëmbëlsira për ardhjen e Krishtit, me zell ata shkruajnë lista me dëshira për fëmijën e Krishtit. Krishtlindjet janë dita në të cilën festohet lindja e Jezu Krishtit. Si edhe herë të tjera në raste ditëlindjesh, për shumicën e fëmijëve është e natyrshme pritja e dhuratave.

Dhurata per Krishtlindje
Fotografi: AP

Kjo vlen edhe për tetëvjeçarin Filip: "Eshtë bukur, sepse mblidhet e gjithë familja. Unë gëzohem para së gjithash për dhuratat, sepse atëherë kam lodra të reja për të luajtur."

Edhe Kristinës 12-vjeçare i shkëlqen fytyra kur tregon për Krishtlindjet në shtëpi: "Po, unë i kam qejf Krishtlindjet, sepse atëherë ne mblidhemi të gjithë bashkë, dhe sepse ka dhurata, dhe ne jemi të gëzuar dhe qeshim dhe hamë gjëra të shijshme."

Pjesë e Krishtlindjeve edhe ritualet që përsëriten çdo vit

Për shumë njerëz në Gjermani ka simbole të shumta që janë që nga fëmijëria pjesë e pandashme jo vetëm e biografisë së tyre, por edhe e një ndërgjegjeje kolektive: për Krishtlindjet në qendër të vëmendjes nuk është vetëm familja, por në njëfarë mënyre janë të gjithë bashkë.

Të gjithë bashkë? Pothuajse të gjithë. Sepse edhe Kristina ka në klasë disa bashkënxënës që nuk i festojnë Krishtlindjet: "Dy fëmijë nga klasa jonë janë myslimanë. Para pak kohësh i thashë një shoqeje: po të jap një dhuratë për Ditën e Shën Kollit. Por ajo nuk e dinte se çfarë është Shën Kolli, sepse nuk e festojnë."

Kristina, 12-vjeçare: "Më duket se ishte festa e sheqerit"

Se pse pikërisht myslimanët nuk festojnë Krishtlindjet, këtë Kristina nuk e dinte. Por që ka dallime kulturore, kjo i bie në sy edhe asaj: "Së fundi ata festuan një festë që ne nuk e kemi fare. Më duket se ishte festa e sheqerit"

Meqenëse Krishtlindjet janë në Gjermani një ngjarje shoqërore me rrënjë të forta kristjane, shumë myslimanë që jetojnë këtu kanë qendrim ambivalent ndaj tyre: nga njëra anë ata duan të marrin pjesë në të, sepse ndihen pjesë e kësaj shoqërie, nga ana tjetër ata nuk kanë asgjë të përbashkët me krishtërimin.

Tregu i Krishtlindjeve
Fotografi: Maksim Nelioubin

Por Krishtlindjet në Gjermani mund t'i festosh edhe pa qenë fetar. Vendimi ka të bëjë në fund të fundit me atë se cilin aspekt preferon vetë personalisht. Armini nga Bosnjë-Hercegovina i feston Krishtlindjet: "...sepse ne jetojmë midis gjermanëve dhe ata janë në shumicë."

Fqinja e tij boshnjake, Emina, e cila thotë se është myslimane shton: "Unë nuk e festoj, nuk është festa ime"

Edhe për fëmijë nga familje myslimane nuk është gjithmonë e thjeshtë që të rrinë mënjanë, kur shumica e atyre që kanë pranë entuziazmohen për pemët e Krishtlindjeve, tregjet e Krishtlindjeve dhe dhuratat e Krishtlindjeve, thotë Hylia, prindërit e së cilës vijnë nga Turqia: "Po, unë jam pak xheloze, sepse mua nuk më japin dhurata. Por kur e rri e vras mendjen them: as fëmijët gjermanë nuk marrin dhurata për festën e sheqerit"

Festa e sheqerit ose Ramazan Bajrami është për fëmijët myslimanë një lloj Krishtlindjeje. Me këtë fest merr fund muaji islamik i agjërimit, ramazani. Mblidhet e gjithë familja për të festuar, hahet mirë, fëmijët marrin dhurata.

Por megjithatë mbetet për diçka që mungon, thotë Hylia: "Ne nuk kemi pemë Krishtlindjesh. Në fakt mua më pëlqejnë shumë pemët e Krishtlindjeve. Po do të ishte budallallëk, sikur ne myslimanët të kishim një pemë Krishtlindjesh në shtëpi."

Kjo në një kohë, kur pema e Krishtlindjeve përshtatet si pemë e lidhjes. Fillimin ajo e ka në zakone të kulturave të ndryshme dhe nuk është simbol kristian. Vetëm në kujtimet e fëmijërisë ajo është pjesë e pandashme e Krishtlindjeve, e gjelbër, e zbukuruar, që vezullon.

Autor: Zoran Arbutina/ Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani