1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një sinjal që duhej dhënë me kohë - Këshilli i Sigurimit kërcënon Kartumin me sanksione duke iu referuar konventës kundër genocidit

Heinrih Bergstreser20 Shtator 2004

Këshilli i sigurimit në Nju Jork aprovoi të shtunën me 11 vota pro nga 15 një rezolutë me qëllim që t´u jepet fund dëbimeve të popullsisë afrikane nga luftëtatrët arabë. Një komision i posacëm duhet të hetojë, nëse sulmet në rajon mund të klasifikohen si genocid. Rezoluta e miratuar i referohet shprehimisht konventës së vitit 1948 kundër genocidit, një sinjal i qartë ky ndaj qeverisë në Kartum për t´u vënë në lëvizje, ose për të përballuar pasojat.

https://p.dw.com/p/ArSF
Refugjatë në Sudan
Refugjatë në SudanFotografi: AP

Këshilli i Sigurimit të OKB-së lëviz, ndonëse ngadalë si një gur mulliri, ai po lëviz në drejtimin e duhur. Zhgënjimi i disa qeverive perëndimore dhe i organizatave të ndryshme të ndihmës në Darfur lidhur me rezolutën për Sudanin në korrik ishte mjaft i madh. Por pas rezolutës 1564 të së shtunës papritur situata ndryshoi. Kjo rezolutë u miratua nën kapitullin VII të kartës së OKB-së, gjë që ndodh shumë rrallë. Kjo do të thotë që Këshilli i Sigurimit e konsideron gjendjen në Sudan si kërcënim për paqen në botë dhe për sigurinë ndërkombëtare e stabilitetin në rajon.

Kjo ishte një goditje e rëndë për regjimin në Kartum që ishte e bindur, se në vendin e vet, ose më saktë në territoret që vazhdojnë të kontrollohen prej qeverisë qendrore, mund të vazhdonte të bëntë si të donte. Nga Unioni Afrikan ajo s´kishte përse të frikësohej, sic kanë treguar deri më sot bisedimet pa rezultat të zhvilluara në Abuzha të Nigerisë. Madje dukej se këto bisedime konfirmonin strategjinë e diktatorit al-Bashir për të fituar kohë duke e shfrytëzuar për vete problemin e Darfurit nërpmjet lëshimeevtë vogla ndaj aksioneve humanitare. Madje qeveria ishte e bindur, se e kish në dorë xhokerin politik për ta zgjidhur në favor të saj problemin e Darfurit: me marrëveshjen e paqes të gatshme për nënshkrim me Sudanin e Jugut, e cila do t´i jepte fund luftës më të gjatë civile në Afrikë.

Por era fryu kundër Kartumit. Këtë e dëshmon edhe fakti që Këshilli i Sigurimit me një rezolutë për Sudanin për herë të parë në historinë e tij i referohet konventës kundër genocidit të vitit 1948. Qeveria gjermane ka marrë pjesë aktive që aspekti i genocidit dhe masat që rjedhin prej kësaj të përfshiheshin posacërisht kundër Sudanit. Akuzat për genocid të SHBA tashmë do të hetohen prej OKB-së në Sudan. Në këtë mënyrë do t´u kushtohet vëmendje edhe atyre që janë lënë pasdore nga OKB-ja përpara vitesh gjatë krizës në Ruanda. Që kjo konventë është pjesë e rezolutës, merita i takon kryesisht Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, i cili genocidin në Ruanda e konsideron edhe si një dobësi të madhe politike të tij gjatë veprimtarisë në OKB.

Mesazhi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj qeverisë sudaneze është mëse i qartë. Regjimit në Kartum i mbetet fare pak kohë për t´u tërhequr ose për të riskuar me sanskionet më të ashpra jo ushtarake, sic janë embargoja e naftës dhe masat e drejtuara direkt kundër antarëve të qeverisë. Nëse do të arrijë puna deri këtu është e lehtë të kuptohet se ç´fat e pret qeverinë.

Dy fuqitë e mëdha me të drejtë vetoje Kina dhe Rusia nuk e penguan këtë rezolutë të pazakontë pavarësisht se ato abstenuan. Vetë ky fakt do t´i shkaktojë kokëçarje të mëdha udhëheqjes sundaneze në Kartum për të gjetur mundësinë e daljes pa u rëzuar nga dilema e Darfurit, gjë për të cilën ajo vetë është përgjegjëse. Përgjigja është e kuptueshme: rezoluta duhet të zbatohet pa një pa dy, ajo që do të ishte po aq e rëndësishme është nënshkrimi i marrëveshjes së paqes me Sudanin. Njerëzit si kudo tjetër presin me padurim paqen në Sudan. Dhe ai që e shkel me këmbë këtë nevojë të njerëzve, duhet të ndëshkohet, mekanizmat dhe instrumentat për këtë ekzistojnë jo vetëm në rastin e Sudanit.