Një refugjat sirian bën karrierë në Shqipëri
1 Prill 2016Lufta në Siri e shkatërrimet në qytetin e tij, Alepo e detyruan Samer Darvishin të largohej nga vendlindja. Si mijëra refugjatë të tjerë ai shkoi fillimisht në Turqi, pastaj me një gomone ia doli të mbërrijë në Greqi e të vazhdojë rrugën në itinerarin ballkanik në Hungari. Këtu Sameri bën kërkesën për azil dhe jeton disa muaj derisa motra me familjen e saj, që kishte mbetur në Shqipëri e ftoi vëllanë. Fati i tij mori një kthesë të papritur duke e çuar në Tiranë. Tani Samer Darvishi jeton prej katër muajsh në kryeqytet, madje ka hedhur edhe hapat e parë me shumë sukses, pas hapjes së një dyqani të veshjeve të përdorura. Një dyqan tërësisht të rinovuar, ku me gërma shtypi në fasadën e qelqit shkruhet "Veshje të përdorura". Brenda pronari Sameri, i veshur mirë, me fytyrë të nxirë nga dielli. Sameri ndjehet mirë në Tiranë dhe është optimist. "Nuk ishte e vështirë të hapja biznesin, sepse Shqipëria u ofron të huajve kushte të mira, ky vend fton për të investuar në vend që të ngrejë barriera burokratike: Këtu gjen sidomos punë dhe para."
"Krenarë për drejtuesin tonë"
Biznesin Sameri e njeh mirë. Në Siri ai tregtonte automjete të përdorura, në Tiranë veshje. Ide, të cilën ai e kishte filluar si biznes edhe në Hungari, nga ku ai sjell tonelata veshjesh, i lan, hekuros dhe i shet tek klientët mirënjohës për çmime kaq të leverdisshme. Fatjoni, një djalë 26 vjeçar nga Tirana është njëri nga punëtorët e tij. "Punoj këtu që nga 1 dhjetori dhe ndjehem shumë mirë. Çmimet që ofrojmë ne janë shumë të ulta, krahasuar me dyqanet e tjera. Jemi krenarë për drejtuesin tonë."
Po kaq e kënaqur shprehet edhe Ana, një vajzë 23 vjeçare që ka gjetur punë në dyqanin e Samer Darvishit. Një shans i mirë, thotë ajo, sepse papunësia në Shqipëri është shumë e lartë dhe për shumë vetë nga zonat rurale që kanë zbritur në lagjen periferike Babrru, veshjet e përdorura janë e vetmja mundësi për të blerë.
Plane për zgjerimin e biznesit në qytetet e Shqipërisë
Ndërkohë Samer Dervish ka hapur edhe katër dyqane të tjerë në qendër të Tiranës dhe mendon të shtrahet edhe në qytete të tjera në Shqipëri. Problemi kryesor është gjuha, thotë ai. Por i pyetur se si i duket Tirana, tani pas katër muajsh ai përgjigjet në shqip, megjithëse jo rrjedhshëm. "Shumë mirë. Tirana është shumë mirë. Shqiptarët janë njerëz të mirë, edhe djemtë punojnë shumë mirë."
Pas kësaj përvoje në Tiranë, ai nuk e di nëse do të kthehej në Siri, po qe se lufta do të përfundonte. "Po shoh që puna këtu po shkon shumë mirë, prandaj do qëndroj fillimisht në Shqipëri. Do t'u thoja edhe të tjerëve të investojnë këtu. Siç e thashë: Këtu ka punë dhe para."