1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një histori suksesi - 30 vjet programi Erasmus

26 Janar 2017

Programi Erasmus - programi më i madh në botë për këmbimet universitare dhe akademike me jashtë - feston 30-vjetorin.

https://p.dw.com/p/2WPDo
Erasmus Studenten
Fotografi: DW/Banchón

"Në qoftë se Evropa ka bërë gjëra që funksionojnë, atëherë programi Erasmus është një prej tyre", tha ministrja gjermane e Arsimit Johanna Wanka (CDU). Emri i programit të themeluar në vitin 1987 nga Bashkimi Evropian lidhet me Erasmusin e Roterdamit (1466-1536), një dijetar i kohës së Rilindjes. Programi u mundëson studentëve dhe të diplomuarve të rinj nga vendet anëtare të BE-jashtë që të shkojnë në universitete në shtetet e tjera anëtare. Sipas Komisionit të BE-së nga viti 1997 deri në fund të vitit 2016 me programet Erasmus kanë qenë jashtë vendit gati dhjetë milionë vetë, ndër ta më shumë se 1.2 milion gjermanë.

Erasmus Austausch Studium
Fotografi: DW

Pas fillimit modest në fund të Luftës së Ftohtë, sot ky është bërë programi më i madh në botë për këmbimet universitare dhe akademike me jashtë. "Është mbresëlënëse kur sheh shifrat konstaton se ç'efekt kanë pasur qëndrimet afatshkurtra apo më të gjatë jashtë vendit për të rinjtë tanë", tha Wanka. Në ceremoninë e organizuar në Berlin, ajo theksoi rëndësinë e shkëmbimeve në një kohë, kur "prirjet populiste dhe tendencat nacionaliste edhe në Gjermani" po e vënë Evropën nën presion.  Në qoftë se të rinjtë mund të përjetojnë "se ne kemi një kanun të njëjtë vlerash" kjo është një gjë shumë e mirë, tha ministrja.

Brexiti nuk përbën rrezik për programin Erasmus

Kancelarja Merkel vlerësoi në një videomesazh programin Erasmus dhe komisari i BE-së për Arsimin Tibor Navracsics e quajti këtë projekt si mjet të rëndësishëm për arritjen e "njësisë evropiane, identitit dhe kohezionit".

Berlin Fazit 2016 Denkraum Soziale Marktwirtschaft Johanna Wanka
Ministrja gjermane e Arsimit, Johanna WankaFotografi: Klaus Weddig

Ministrja Wanka tha se pas vendimit të britanikëve për t'u larguar nga BE-ja u shfaq frika se projekti Erasmus nuk mund të vazhdojë më. Për frikëra të tilla nuk ka vend, tha ministrja, sepse "Britania e Madhe ka nevojë për mobilitetin e studjuesve dhe të studentëve pavarësisht nëse është apo jo anëtare e BE-së."

Programi Erasmus ka një buxhet prej rreth 15 miliardë eurosh. Nga viti 2021 Komisioni i BE-së do të fillojë ristrukturimin e këtij projekti dhe puna për planifikimin e tyre ka nisur që tani.