1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nisni Vettingun, të nisim negociatat për anëtarësim në BE!

Ani Ruci'
4 Mars 2017

Gjatë vizitës në Tiranë e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme e Sigurinë, Federica Mogherini bëri thirrje për zgjidhjen e problemeve në parlament. Bllokim i Kuvendit do të thotë bllokim i vettingut, tha ajo.

https://p.dw.com/p/2YdUh
Deutschland Münchner Sicherheitskonferenz 2017 Federica Mogherini
Fotografi: Reuters/M. Rehle

Në orët e pakta të vizitës në Tiranë, në mbrëmjen e djeshme (3 Mars 2017), në kuadër të një turi në Ballkan, Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Zv. Presidente e Komisionit Europian shprehu qartë dhe prerë qëndrimin e BE ndaj bllokimit të fillimit të procesit të rivlerësimittë gjykatësve dhe prokurorëve ose si njihet ndryshe Vettingut.  Bojkoti i parlamentit nga opozita, e cila ka 50% të komisionerëve në komisionet e Vettingut ka sjellë  bllokimin konkret të zbatimit të reformës në drejtësi. Pasi ata nuk mund të fillojnë nga puna pa miratimin nw Parlament edhe me votat e opozites. "Bojkoti i opozitës është qartazi një bllokim i reformës dhe i vettingut, bllokim i procesit të anëtarësimit të  Shqipërisë në BE”, tha Mogherini në Tiranë, pas takimit me kryeministrin Rama.

Edi Rama
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Dilkoff

Mogherini - Loja e futbollit  bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj

Opozita braktisi Parlamentin më 16 shkurt si kundërshtim ndaj përjashtimit për 10 ditë nga punimet e parlamentit të deputetit demokrat, Flamur Noka, për shkak se qëlloi me letër gjatë seancës plenare një deputet socialist.  Dy ditë më pas opozita nisi protestat përballë zyrës së kryeministrit Rama, të cilat po vazhdojnë. Kërkesat e PD, që drejton protestën, janë një qeveri teknike që të  kryejë vettingun dhe njëherazi të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por rrruga e bojkotit të Parlamentit është kritikuar  nga Mogherini. Ajo i beri thirrje opozites të kthehet në Parlament dhe të realizojë në rrugë institucionale kërkesat e saj si për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ashtu edhe për kryerjen e vettingut. "Loja e futbollit bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj. Betejat duhet të bëhen brenda institucioneve, Parlamentit në këtë rast. Politikanët kanë përgjegjësinë për të punuar brenda institucioneve.” theksoi ajo në Tiranë.

Bojkoti i  Parlamentit – rrezikon integrimin në BE

Kthimi i opozitës në Parlament, votimi i komisionerëve në komisionet përkatëse të vetting-ut , fillimi i funksionimit të tyre do të hapte dritën e gjelbër edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë. "Reforma në drejtësi  ndikon edhe në hapjen e negociatave. Ne jemi  besimplotë që vettingu do të zbatohet në Shqipëri  Ata që po përpiqen të rrezikojne reformën apo të ulin ritmin e saj do të rrezikojnë integrimin në BE. Bllokim i Kuvendit do të thotë bllokimi i komisionit të vettingut dhe kjo pengon edhe integrimin në BE në një kohë kur Shqipëria ka vërtet mundësi të ecë përpara në procesin e integrimit”, theksoi Mogherini. 

Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana | Lulzim Basha, Demokratische Partei
Fotografi: Reuters/F. Goga

Politika  të ndërmarrë hapa për zbatimin e vettingut.

Mogherini i ka bërë thirrje politikës- maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të gjejnë zgjidhje për të zhbllokuar zbatimin e reformës në drejtësi. "Reformën në drejtësi nuk e kërkon Brukseli, por qytetarët e Shqipërisë. Qytetarët kërkojnë drejtësi të pavarur. Reforma në drejtësi do të sjellë besimin te drejtësia. Është përgjegjësi e institucioneve që ta përmbushin këtë reformë. Një sistem i pavarur i drejtësisë lufton krimin e organizuar, korrupsionin, do të tërheqë të rinjtë e interesuar për biznes dhe investitorët. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e duhura, ne nga ana jonë jemi gati të hapim negociatat”, ka thënë Mogherini.

A do të fillojë dialogu mes palëve dhe kthimi i opozitës në Kuvend?

Sinjalin e ka dhëne i pari koalicioni qeverisës, dje, në ditën e vizitës së Mogherimit në Tirane. Ky koalicion fton opozitën të ulen në tryezën e bisedimeve " në Kuvend apo tryezë dialogu” për të parë propozime konkrete dhe realiste të opozitës për procesin zgjedhor”, thuhet në deklaraten e mazhorancës. Por opozita në përgjigjen ndaj ftesës kushtëzon dialogun me krijimin e një pakti kombëtar dhe qeverie teknike si të vetmet rrugë për zgjidhje të lira dhe të ndershme dhe për zbatimin e vettingut.

Federica Mogherini u takua me autoritetet më të larta të Tiranës: kryeministrin Rama, Ministrin e Jashtëm Bushati, Presidentin Nishani dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha. Të shtunën, (4 mars 2017) Mogherini do të niset nga Tirana drejt Kosovës, vend me të cilin ajo përfundon turin ballkanik në Mal të Zi, B-H, Serbi, Shqipëri, Kosovë.