1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga kampi Al Hawl drejt Shqipërisë edhe 13 persona të tjerë

28 Maj 2022

Një grup nështetasish shqiptarë prej 13 vetësh është nxjerrë nga kampi famëkeq i refugjatëve Al Hawl, që ndodhet në Sirinë Veriore, në kufi me Irakun.

https://p.dw.com/p/4BzZq
Albanien | Ankunft Rückkehrer aus Syrien
Rikthim i refugjatëve nga kampi Al HawlFotografi: Ministry of Internal Affairs Albania

Burime zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë bëjnë të ditur të shtunën, (28.05) se një grup nështetasish shqiptarë prej 13 vetësh është nxjerrë nga kampi famëkeq i refugjatëve Al Hawl, që ndodhet në Sirinë Veriore, në kufi me Irakun. Grupi përbëhet nga 9 gra dhe 4 fëmijë të moshës nga 6 deri në 16 vjeꞔ. Të gjithë pjesëtarët e tij janë familjarë të "luftëtarëve të huaj” nga Shqipëria, që iu bashkuan grupeve ekstremiste islamike që luftonin në Siri dhe Irak.

Autoritetet siriane të kampit ia dorëzuan autoriteteve shqiptare të Anti-Terrorit, në Policinë e Shtetit, një ditë më parë, (27.05) grupin prej 13 vetësh. 

Sipas burimeve të sipërpërmendura ky grup ka mbërritur në aeroportin "Adem Jashari” të Prishtinës nga ku pritet të mbërrijë në aeroportin”Nënë Tereza” të Tiranës, për t'u riatdhesuar. Përveꞔ grupit prej 13 nështetasish shqiptarë, në sajë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, nga kampi Al Hawl janë nxjerrë edhe nënshtetas kosovarë. Operacioni i nxjerrjes nga Al Hawl u koordinua dhe u mbështet nga selitë diplomatike të SHBA, në Prishtinë dhe Tiranë. 

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi, i pranishëm në dorëzimin e 13 shqiptarëve nga autoritetet e kampit, citohet të ketë deklaruar që "do të vijojë puna për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të tjerë që kanë mbetur ende në Siri.”

Gra dhe fëmijë-viktima të "luftëtarëve të huaj"

Operacionet për nxjerrjen nga kampi "Al Hawl” të grave dhe fëmijëve të "luftëtarëve të huaj” nga Shqipëria, të vrarë në luftime për të ngritur ISIS, Shtetin Islamik në Irak dhe Siri, (Islamic State in Iraq and Syria) nisën para dy vitesh, në tetor 2020. Deri tani Shqipëria ka kryer 4 operacione të tilla. Autoritetet e saj kanë deklaruar se do të vijojnë punën deri në nxjerrjen nga kampi Al-Hawl dhe riatdhesimin e gjithë nënshtetasve shqiptarë që ndodhen atje.

Albanien | Premierminister Rama Treffen mit Flüchtlingskindern
Kryeministri Rama me fëmijë të kthyer nga kampi Al-Hawl, tetor 2020Fotografi: Press Office, Premiership

Sipas shifrave zyrtare, brenda 2 vitesh, 2012-2014, nga Shqipëria ISIS iu bashkuan 114 vetë, nga të cilët 40 janë kthyer, 20 janë vrarë dhe për pjesën tjetër, autoritetet e Tiranës nuk kanë të dhëna.

ISIS i vlerëson refugjatët në kampin "Al Hawl” si burimin kryesor të mbështetësve të tij nga e gjithë bota. Sipas shifrave zyrtare në "Al Hawl” ndodhen rreth 12 mijë vetë, mes tyre gra dhe fëmijë nga familjet e "luftëtarëve të huaj”, të kapur gjatë luftimeve kundër ISIS dhe të sjellë në këtë kamp. Mes tyre llogaritet të jenë edhe 70 fëmijë dhe gra nga Shqipëria dhe Kosova.

Fëmijët e "luftëtarëve të huaj” të vrarë në luftime apo të kapur dhe të sjellë në këtë kamp mbeten viktimat më të pafajshme të burrave dhe grave nga Shqipëria apo vendeve të tjera që u rekrutuan dhe u përfshinë në luftën për të ngritur ISIS.

Sipas shifrave zyrtare në kampin "Al Hawl” numri i refugjatëve të zhvendosur nga vende të ndryshme ka arritur në rreth 60 mijë vetë, mes tyre gra dhe fëmijë nga familjet e "luftëtarëve të huaj”. Kampi Al Hawl administrohet dhe është nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane, (SDF), të mbështetura nga SHBA.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana