1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi gjermano-indian e perspektiva

Mahesh Jha5 Tetor 2015

Kancelarja Merkel ka mbërritur për konsultime me qeverinë indiane në Nju Deli. Në bisedimet me kryeministrin Modi në qendër të bisedimeve janë para së gjithash marrëdhënie ekonomike dhe tregtare.

https://p.dw.com/p/1Girl
Indien Angela Merkel und Narendra Modi in Neu-Delhi
Kancelarja Angela Merkle dhe kryeministri i Indisë Narendra ModiFotografi: R. Schmidt/AFP/Getty Images

Në "Konsultimet e 3-ta qeveritare gjermano-indiane", siç quhen ato në zhargonin diplomatik, krahas anëtarëve të qeverisë - midis tyre ministrja e Kërkimeve Shkencore Johanna Wanka - ka udhëtuar edhe një delegacion i madh ekonomik. Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri indian Narendra Modi duan të intensifikojnë marrëdhëniet bilaterale, të cilat në të kaluarën kanë vuajtur shpesh nga vendosja e pikërëndesave të ndryshme. Ky është synimi i kësaj vizite triditore.

Potencial i madh

Bilanci tregtar midis Gjermanisë dhe Indisë në vitin 2014 ishte rreth 16 miliardë Euro. Me këtë India ndodhet shumë pas shteteve të BRIC-ut, si Kina (153 miliardë Euro), Rusia (67 miliardë Euro) de Brazili (20 miliardë Euro).

Kryeministri Modi e ka shpallur krijimin e vendeve të punës si detyrën kryesore politike të tij dhe dëshiron ta bëjë Indinë një komb modern industrial - me ndihmën e fushatës: "Make in India". Veç kësaj Modi shtyn përpara ndërtimin e "qyteteve inteligjente" (Smart Cities). Kancelarja Merkel në anën tjetër ka në bagazh me vete "Industrinë 4.0" gjermane - ndërthurrjen digjitale të prodhimit industrial. Sipërmarrjet gjermane duan të tërheqin vëmendjen për kontributin që mund të japin ato në epokën e "qyteteve inteligjente".

Indien Angela Merkel in Neu-Delhi
Fotografi: A. Singh/AFP/Getty Images

Përpjekjet e të dyja vendeve plotësojnë njëra-tjetrën: Gjermania ka nevojë për forcat e specializuara të teknologjisë informative IT, të cilët shkollohen në Indi. Në dallim, India është shumë e interesuar për produktet High-Tech nga Gjermania. Anandi Lyer, përfaqësues i Institutit Fraunhofer në Indi i thotë DW: "Në fokus të përpjekjeve të përbashkëta duhet të jetë nxitja e bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik". Ditën e fundit të vizitës Modi dëshiron t'i tregojë kancelares "Silicon Valley të Indisë" në Bangalore, në jug të vendit me 1,2 miliardë banorë.

Marrëveshje e tregtisë së lirë BE- Indi?

Megjithatë, bilanci tregtar midis Gjermanisë dhe Indisë në vitin 2014 për herë të parë shënoi rënie, pas viteve të rritjes së vazhdueshme. Anupam Chaturvedi, përfaqësuesi në Indi i Bankës Qendrore të Kredive (DZ Bank) i sheh shkaqet në pasojat e vonta të krizës së përbotshme financiare. "Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Indisë dhe Bashkimit Evropian është problemi kryesor. Deri sot ajo nuk është nënshkruar", thotë Chaturverdi. Marrëveshja duhet t'u japë më shumë siguri investorëve.

Që në takimin e tyre të fundit, Merkeli dhe Modi zhvilluan konsultime për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë. Këtë herë do të kërkohen mundësi për të rigjallëruar bisedimet e ngecura në vend. Që prej vitit 2007 India negocion me BE për një hapje të mëtejshme të tregut. Deri tani planet kanë dështuar për shkak të mendimeve të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të autorit si dhe të aspekteve të ambjentit dhe sociale në prodhim.

Kërkohen investorë gjermanë

Në Indinë, një shtet në ekspansion ekonomik, ekonomia vitet e shkuara është rritur në mënyrë konstante. Për vitin 2015 pritet një rritje prej shtatë përqind. Kjo në një kohë kur India është shumë e varur nga investimet direkte të huaja. Aktualisht, produkti social bruto i Indisë është 1,8 bilionë dollarë. India është e interesuar të tërheqë investorë gjermanë, para së gjithash në fushat e infrastrukturës, kimisë dhe industrisë farmaceutike. Modi ka premtuar që do ta përmirësojë përmes reformave klimën e investimeve.