1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hija e korrupsionit

Angelina Verbica2 Maj 2013

Deputetë të parlamentit të Bavarësisë kanë punësuar anëtarë të familjes në kurriz të shtetit. Pas kritikave të ashpra dy politikanë të CSU dhanë dorëheqjen. Sa i përhapur është fenomeni i 'nepotizmit' në Gjermani?

https://p.dw.com/p/18QYb
Foto simbolike e korrupsionit
Foto simbolike e korrupsionitFotografi: picture-alliance/CTK

Georg Schmid ka qenë deri vonë kryetari i grupit parlamentar të CSU bavareze. Të enjten e kaluar (26.04.13) ai dha dorëheqjen nga posti i tij, për shkak të një vendi pune të paguar shumë mirë të gruas së tij. Ai e kishte punësuar atë si sekretare, për një shumë mujore jashtëzakonisht të lartë prej 5500 eurosh në muaj. Në Bavari deputetëve që nga viti 2000 u ndalohet me ligj, që të punësojnë bashkëshortët apo fëmijët. Por Schmid shfrytëzoi një përjashtim për rastet ekzistuese, pra kontratat, që janë nënshkruar deri në hyrjen në fuqi të ligjit në vitin 2000. Këto kontrata mund të vazhdohen pafundësisht. Gjithsej 17 prej 92 deputetëve të CSU në parlamentin bavarez, kishte shfrytëzuar së fundi këtë përjashtim. Ndërkohë shumica i kanë larguar nga puna të afërmit e tyre.

Georg Schmid, shefi i grupit parlamentar të CSU dha dorëheqje
Georg Schmid, shefi i grupit parlamentar të CSU dha dorëheqjeFotografi: picture-alliance/dpa

Të hënën (29.09.13) dha dorëheqjen politikani i dytë i CSU, sepse punësonte anëtarë të familjes. Georg Winter, shefi i komisionit për buxhetin në parlamentin bavarez, ka punësuar të bijtë si informaticienë. Para nënshkrimit të marrëveshjes, pak para hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2000, djemtë e tij ishin 13 dhe 14 vjeç.

Nepotizëm i pastër

Aferën e zbuloi eksperti i së drejtës kushtetuese Hans Herbert von Arnim. Me librin e tij të botuar kohët e fundit, "Vetëshërbim", u bë e njohur se politikanët bavarezë fitojnë më shumë se homologët e tyre në landet e tjera të Gjermanisë. Von Arnim gjithashtu përmendi praktikën, që anëtarët e parlamentit bavarez punësonin të afërmit e tyre.

Christian Humborg, drejtor menaxhues i Organizatës Transparency International, që angazhohet në mbarë botën kundër korrupsionit, është i çuditur. "Që në Gjermani ekziston një formë e tillë e nepotizmit, nuk na e kishte marrë mendja." Megjithatë nuk ka shenja, se në Gjermani raste të tilla ndodhin shpesh.

Christian Humborg, drejtori i organizatës Transparency International
Christian Humborg, drejtori i organizatës Transparency InternationalFotografi: picture-alliance/dpa

I përhapur, por i pakapshëm

Transparency International publikon çdo vit një të ashtuqujatur indeks mbi korrupsionin. Aty Gjermania ndodhet në vendin e 13 në krahasim me 80 vende të tjera. Parë në rang ndërkombëtar ky është një posicion i mirë, mendon Christian Humborg. Por po të shohësh vendet fqinje evropiane, Gjermania lëviz në mes. Megjithatë statistikat bazohen në vlerësime.

Korrupsioni sipas vlerësimit të profesores së sociologjisë Ruth Linssen nga shkolla e lartë për kërkime sociale në Münster, është vështirë të matet. Sepse autorët e krimit bëhen të njohur në rastet më të rralla. "Mendohet, se vetëm pesë përqind e rasteve të korrupsionit janë zbuluar ndonjëherë."

Më shumë transparencë, ligje më të rrepta

Në Gjermani për shembull ligji për lirinë e informacionit është një frenim i dukshëm i korrupsionit. Përmes këtij ligji qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në të dhënat zyrtare dhe të verifikojnë punën e administratës. Eshtë në fakt gjë e rrallë, që me një vështrim në dosje të mund të zbulohen autorët, tha Humborg në bisedë me Deutsche Welle, "por vetëm fakti, që mundësia ekziston, e ndryshon sjelljen dhe vështirëson korrupsionin." Përsa i përket lirisë së informacionit në Gjermani ekziston një ndarje veri-jug.

"Katër nga pesë lande gjermane, që nuk kanë një ligj të tillë, ndodhen në jug: Bavaria, Heseni, Baden-Vyrtemberg und Saksonia", thotë Humborg. Në veri nëpunësit e korruptuar duhet të kenë më shumë frikë se mos zbulohen.

Prof. Dr. Ruth Linssen në Universitetin e Mynsterit
Prof. Dr. Ruth Linssen në Universitetin e MynsteritFotografi: Fachhochschule Münster

Edhe studiuesja e çështjeve sociale Linssen sheh në ashpërsimin e ligjeve një mënyrë për të frenuar korrupsionin. Këtu ka një deficit gjerman pikërisht në parandalimin e korrupsionit kriminal në politikë. "Konventa e OKB-së kundër korrupsionit është nënshkruar nga 140 shtete, Gjermania nuk bën pjesë aty, sepse ligjet tona janë shumë të buta kundër mitmarrjes së deputetëve." Megjithë këtë gjendje të turpshme koalicioni qeveritar nuk mund të bjerë dakord, që të ashpërsojë ligjet.

Ligje anti-korrupsion janë të nevojshme edhe në fusha të tjera. Nëse lobi farmaceutik u jep mjekëve të holla, kjo është krejtësisht ligjore. Mjekët lejohet të shiten, dhe ta japin një medikament të caktuar me shpesh. "Përveç kësaj Linssen kërkon ndarje më të madhe të biznesit nga politika. Lobimi është diçka krejtësisht ligjore., Por "kur sipërmarrjet i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në ministri dhe bashkëpunojnë në përpilimin e ligjeve, shpesh është koncerni farmaceutik, që i imponohet ministrisë së Shëndetësisë. "Edhe kjo, thotë Linssen, është për të korrupsion.