1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteLindja e Mesme

Ndihma për refugjatët: Izraeli ndalon aktivitetet e UNRWA-s

Tania Krämer
29 Tetor 2024

Pavarësisht paralajmërimeve nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres: Izraeli ndaloi bashkëpunimin me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën ndaj Refugjatëve Palestinezë (UNRWA). Me pasoja të rënda.

https://p.dw.com/p/4mKl1
Qendra e UNRWA në Gaza - godina e dëmtuar pas sulmeve, shkurt 2024
Qendra e UNRWA në Gaza - godina e dëmtuar pas sulmeve, shkurt 2024Fotografi: AFP/Getty Images

Parlamenti izraelit ka miratuar dy ligje që u ndalojnë autoriteteve shtetërore izraelite të kenë çdo kontakt me UNRWA, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë ndaj Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Mesme. Përveç kësaj, UNRWA duhet të ndalojë punën e saj në Izrael vitin e ardhshëm. Kjo duhet të ndodhë brenda 90 ditëve nga publikimi i ligjit.

Me këtë shfuqizohet marrëveshja e vitit 1967 midis Izraelit dhe agjencisë, e cila kishte lehtësuar aktivitetet e organizatës dhe shkëmbimet me autoritetet qeveritare izraelite. Arsyeja e ndalimit: Izraeli akuzon anëtarët e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën ndaj Refugjatëve Palestinezë se mes kësaj agjencie gjenden organizatorë të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023.

Politika e ndalimit të kontakteve

Një nga pasojat e ligjit pritet të jetë mbyllja e selisë së UNRWA në Jerusalemin Lindor të aneksuar. Zyra ka shërbyer më parë si qendër menaxhuese dhe administrative për të gjitha aktivitetet në territoret palestineze. Sipas raportimeve të mediave izraelite, ambientet aty do të shndërrohen në hapësirë ​​banimi.

UNRWA shpërndan ushqime, një djalë me thes me miell
Në krizën e refugjatëve për ushqim, UNRWA shpërndan ushqimeFotografi: Ashraf Amra/Anadolu/picture alliance

Politika e ndalimit të kontakteve mund të nënkuptojë që Izraeli nuk do të lëshojë më leje pune dhe hyrje për stafin ndërkombëtar dhe lokal të UNRWA-s dhe nuk do të lejojë koordinimin me ushtrinë izraelite. Por pikërisht këto marrëveshja janë thelbësore, ndër të tjera, për dërgimin e ndihmave nëpërmjet pikave kufitare në Gaza, të cilat aktualisht kontrollohen plotësisht nga Izraeli.

Kërcënohet Izreali me përjashtim nga OKB?

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA ritheksoi kritikat ndaj ligjit të ri që gjatë zhvillimit të debatit parlamentar. SHBA-të janë thellësisht të shqetësuara për ligjin e ri dhe ia kanë komunikuar këtë edhe udhëheqjes izraelite.

Sipas raportimeve të mediave, edhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme izraelite thuhet se kanë shprehur gjithashtu shqetësime për ligjin. Në rastin më të keq, Izraeli mund të përjashtohet nga Kombet e Bashkuara. "Aktivitetet e UNRWA-s në territoret e pushtuara palestineze varen shumë nga koordinimi i vazhdueshëm me autoritetet izraelite në të gjitha aspektet e punës së tyre," shkroi organizata izraelito-palestineze për të drejtat e njeriut Adalahin në një letër drejtuar prokurorit të përgjithshëm të Izraelit dhe këshilltarit ligjor të Knesset. "Ky koordinim përfshin ngritjen e qendrave operacionale, procedurën e vizave, lejeve të qëndrimit dhe punës për punonjësit, si dhe koordinimin me autoritetet ushtarake për çështje operacionale.

Kryeministri izraelit, Netanjahu mes deputetëve izraelitë
Kryeministri izraelit, Netanjahu në parlamentFotografi: Maya Alleruzzo/AP/picture alliance

Cili është mandati i UNRWA-s?

Agjencia e ndihmës UNRWA u krijua fillimisht në vitin 1949 me një mandat të përkohshëm për të ndihmuar refugjatët palestinezë të zhvendosur gjatë dhe pas Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1948. Më 15 maj 1948, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Izraelit, shtetet arabe sulmuan Izraelin.

Si rezultat, qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga atdheu i tyre - pa asnjë perspektivë për t'u kthyer. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën filloi punën në vitin 1950. Deri më sot, nuk ka asnjë marrëveshje politike për kthimin e palestinezëve të zhvendosur.

UNRWA siguron shërbimet bazë për miliona refugjatë palestinezë të regjistruar dhe pasardhësit e tyre në Gaza, Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor të aneksuar, Jordaninë, Sirinë dhe Libanin. Kjo organizatë drejtonte  kampe refugjatësh, shkolla dhe spitale dhe ishte një punëdhënëse e rëndësishme për mijëra palestinezë.

Donatorët ndërpresin pagesat

Megjithatë, funksionarët izraelitë dhe grupet lobuese kanë bërë presion mbi UNRWA-n prej vitesh. Pasi Izraeli akuzoi organizatën, se disa nga punonjësit e organizatës ishin të përfshirë në sulmet terroriste të 7 tetorit kundër Izraelit, disa shtete ndaluan ndarjet e tyre për organizatën e ndihmës në fillim të vitit 2024.

Pasi Kombet e Bashkuara kryen hetimin e tyre, nëntë punonjës të agjencisë së ndihmës u pushuan nga puna. Shumica e vendeve donatore ndërkombëtare kanë rifilluar tani financimin - Izraeli, megjithatë, dëshiron t'i japë fund punës së organizatës plotësisht.

Rrënojat e një shkolle të UNRWA-s në kampin palestinez Nuseirat
Shkollë e UNRWA-s në kampin palestinez NuseiratFotografi: Evad Baba/AFP

Forcat izraelite kanë sulmuar edhe shkollat ​​e UNRWA, ku palestinezët e zhvendosur kishin kërkuar strehim. Sipas Izraelit, këto shkolla shërbenin si qendra komanduese të Hamasit dhe për të mbrojtur luftëtarët e Hamasit që fshiheshin mes civilëve.

Në shkurt, sipas gjasave u zbulua poshtë selisë së UNRWA në qytetin e Gazës një qendër kompjuterike e supozuar si qendër nëntokësore e Hamasit. UNRWA i mohoi akuzat. Por të premten e kaluar (25 tetor), ushtria izraelite njoftoi se një komandant i lartë i Hamasit, përgjegjës për rrëmbimin dhe vrasjen e izraelitëve më 7 tetor 2023 në një bunker mbrojtës në anë të rrugës pranë Kibbutz Re'im ka qenë i punësuar nga UNRWA në 2022. Organizata konfirmoi se ky person ishte një nga punonjësit e saj. Hamasi konsiderohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera. Qeveria izraelite gjithashtu ka akuzuar vazhdimisht agjencinë për nxitje të urrejtjes kundër Izraelit në institucionet e saj arsimore dhe në tekstet shkollore të përdorura në shkollat ​​që organizon organizata.

"Pasoja të mëdha" pas ligjit

Planet e parlamentit izraelit, Knesset-it u kritikuan ashpër nga shumica e vendeve donatore të UNRWA-s, Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe organizata të shumta të ndihmës dhe të drejtave të njeriut. Të dielën, ministrat e jashtëm të Kanadasë, Australisë, Francës, Gjermanisë, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Britanisë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur "shqetësim të thellë" për projektligjin e Knesset.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e quajti miratimin e ligjit një katastrofë. Kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se Bashkimi Evropian u shpreh më parë se §ky projektligj, nëse miratohet, do të ketë pasoja shkatërruese".

Burra të tronditur e në dëshpërim pas vdekjes së kolegut të tyre në UNRWA, pas sulmit ajror pranë magazinës së UNRWA-s
Palestinezët në dëshpërim pas humbjes së një kolegu në afërsi të një magazine të UNRWAFotografi: Abed Rahim Khatib/dpa/picture alliance

Organizata e pavarur e të drejtave të njeriut Adalah, me qendër në Haifa, argumentoi se ligji do të shkelte gjithashtu ligjin ndërkombëtar që kërkon që shtetet anëtare të OKB-së si Izraeli të mbështesin Kombet e Bashkuara në punën e tyre. Sipas Haifas,  kufizimi i aktiviteteve të UNRWA në Rripin e Gazës do të shkelte edhe masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në janar 2024 dhe përsëri në mars 2024 për të mundësuar ofrimin e shërbimeve thelbësore dhe ndihmës humanitare.

Megjithatë deputetët izraelitë votuan në favor të projektligjit në seancën e dytë të hënën (28.10.) me një shumicë dërrmuese prej 92 votash pro, me dhjetë anëtarë që votuan kundër tij. Edhe pse një projekt-ligj shtesë që do ta klasifikonte UNRWA-n si një "organizatë terroriste" nuk u mor parasysh, nuk dihet, se si do të zëvendësohen shërbimet e rëndësishme të agjencisë në të ardhmen e afërt.

Me bashkëpunimin  e Andreas Noll.