1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndahet nga jeta Mihail Gorbaçov

31 Gusht 2022

Në atdheun e tij jo fort i dashur, në Gjermani i shumëvlerësuar. Në moshën 91 vjeçare u nda nga jeta ish-presidenti sovjetik, Mihail Gorbaçov, sipas të dhënave të agjencisë ruse të lajmeve.

https://p.dw.com/p/4GFIB
Russland Politiker Michail Gorbatschow
Fotografi: Jörg Carstensen/dpa/picture alliance

Mihail Gorbaçov ka karakterizuar zhvillimet politike të shekullit të 20-të. Rëndësia e tij e madhe historike është e padiskutueshme. Veçanërisht gjermanët e vlerësojnë nobelistin e paqes 1990 duke e konsideruar si një ndër etërit e ribashkimit të Gjermanisë.

Mihael Gorbaçovin e vlerësojnë dhe nderojnë pa pamasë në Gjermani për meritat që ai ka dhe rolin që ka luajtur në ribashkimin e Gjermanisë. Mihael Gorbaçov ishte i pari kryetar shteti që vizitoi Gjermaninë pas ribashkimit. Në nëntor 1990 në Bon u nënshkrua marrëveshja për fqinjësinë e mirë, partneritetin dhe bashkëpunimin, kjo ishte e para marrëveshje ndërkombëtare në Gjermaninë e ribashkuar.

I vlerësuar në Perëndim, i lënë në hije në atdhe

Bashkimi i Gjermanisë i fiksuar në 12 shtator 1990 në të ashtuquajturën marrëveshje dy-plus-katër u nënshkrua në Moskë nga ministrat e jashtëm të RFGJ dhe RDGJ si dhe të katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore - BRSS, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca. Dokumenti me shtatë faqe "mbi rregulloren përfundimtare në lidhje me Gjermaninë" i dha fund ndarjes së Gjermanisë pas më shumë se 40 vjetësh.

Por ka dhe një notë tragjike, që Mihail Gorbaçovi nuk ka përjetuar të njëjtin vlerësim në atdheun e tij. Trashëgimia politike e kreut të fundit të shtetit sovjetik, Mihail Gorbaçov, është kritikuar vazhdimisht në Rusi.

Jeta dhe ngjitja në karrierë

Michail Sergejeviç Gorbaçov lindi më 2 mars 1931 në rajonin e Kaukazit Verior, sot Stavropol si biri i një rusi dhe një ukrainasje (Sergei Andrejeviç Gorbaçov dhe Marija Pantelejevna Gopkalo). Prindërit e tij ishin bujq në një kolkoz në Privolnoje. Në moshën 21 vjeçare më 1954 Gorbaçovi hyri në partinë komuniste të BRSS duke vepruar për 22 vjet në rajonin e tij Stavropol. Në moshën 35 vjeçare ai mbaroi studimet në fushën e ekonomisë agrare në Institutin Bujqësor. Ai bëri karrierë në radhët e partisë duke u ngjitur deri në Byronë Politike, ku në vitin 1980 u bë anëtar me të drejta të plota i saj. Gjatë veprimtarisë së tij në byronë politike Gorbaçovi u njoh me shefin e KGB-së Juri Andropov, i cili vinte gjithashtu nga Stavropoli dhe në vitet pasuese e mbështeti atë në karrierën e tij në aparatin partiak.

Më 11 mars 1985, ditën pas vdekjes së ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Konstantin Çernienko, në moshën 54 vjeçare Gorbaçovi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste. Ai nisi shumë shpejt kursin e reformave dhe u distancua prej gabimeve të partisë që nga koha e Stalinit dhe krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me ngjitjen e tij në krye të Sovjetit Suprem më 1988 u distancua  qartazi edhe nga doktrina e Brezhnjevit. Me zgjedhjen president i BRSS më 14 mars 1990 Gorbaçovi iu përmbajt kursit të reformave për liberalizim duke i hapur kështu rrugën ndryshimeve në BSSR e gjithashtu edhe ndryshimeve në të gjithë bllokun lindor. Ai u tërhoq nga posti i presidentit të Bashkimit Sovjetik më 1991. Pas kthesës në vitin 1992 ai themeloi fondacionin e tij Gorbaçov.

Me fjalimin e tij të lamtumirës nga politika në Rusi Gorbaçovi e humbi peshën politike. Si kandidat në zgjedhjet presidenciale në vitin 1996 ai nuk mori as 0,5 përqind të votave. Ndërsa në Perëndim edhe pas tërheqjes nga politika ai ka qenë i preferuar dhe i vlerësuar. Mbetet të shpresohet që një ditë edhe në Rusi figura e Gorbaçovit do të përjetojë një kujtim më të mirë. Sidoqoftë në librat gjermanë të historisë ai do të zerë gjithmonë një vend të rëndësishëm.