1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Jemi duke e shqyrtuar nivelin e angazhimit me FSK-në

14 Shkurt 2019

Në ditën e dytë të takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s (14.02) ka vazhduar diskutimi për nivelin e angazhimit të aleancës me Forcën Kosovare të Sigurisë pas transformimit të saj në ushtri më 2018.

https://p.dw.com/p/3DNuq
NATO Jens Stoltenberg PK zum Ministertreffen in Brüssel
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës tha, se ata janë duke e rishikuar këtë përkrahje. Misioni i KFOR-it do të vazhdojë angazhimin e pandryshuar bazuar në rezolutën 1244, sa i përket FSK-së: "Ne jemi duke shikuar nivelin e angazhimit me FSK-në. Bisedimet janë në vazhdim dhe ne do të marrim vendim dikur më vonë”, tha Jens Stoltenberg.

Fjala është për angazhimin e NATO-s në përkrahjen e Forcave të Sigurisë të Kosovës me trajnime dhe bashkëpunime të tjera, të cilat kanë qenë duke u bërë në vazhdimësi me FSK-në ndërkohë që ajo ka pasur mandat tjetër.

Ky diskutim po bëhet në kuadër të takimit ministror, ku diskutohen edhe shume çështje të tjera, si Afganistani, Ukraina dhe dalja e Rusisë nga marrëveshja e çarmatimit.

Sa i përket vendosjes së FSK-së në Veri të Kosovës, Stoltenberg tha se NATO ka marrëveshje që FSK-ja të mos shkojë në veri të Kosovës dhe aleanca pret që kjo të vazhdojë të respektohet.

Këtu bëhet fjalë për një marrëveshje që është bërë në bazë të një letërkëmbimi mes Hashim Thaçit, kur ky ka qenë kryeministër i Kosovës në vitin 2013, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë Rasmussen.

Presidenti Thaçi tash nga pozita e shefit të shtetit ka thënë më herët se ai ka dërguar një letër të re në NATO në lidhje me vendosjen e trupave në veri të vendit. Stoltenberg as nuk e konfirmoi dhe as nuk mohoi marrjen e një letre të tillë, por kërkoi që marrëveshja nga viti 2013 të respektohet.

Më tej Stoltenberg dha komente rreth taksës doganore 100 për qind duke e vlerësuar atë si të lartë dhe bllokadë për vazhdimin e dialogut.