1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nacionalistët skocezë diskutojnë për pavarësinë dhe Brexit

Peter Geoghegan
14 Tetor 2016

Të dy temat e largimit i japin tonin kongresit të partisë Nacionale skoceze, SNP. Kryetarja e partisë, Sturgeon foli që në fillim të kongresit për një referendum të ri për pavarësinë.

https://p.dw.com/p/2RCse
Schottland Regierungschefin Nicola Sturgeon in Glasgow
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J. Linton

Në kongresin e partisë konservatore britanike javën e kaluar, kryeministrja Theresa May deklaroi se nuk do të lejonte asnjëherë "që nacionalistë që nxisin mungesë uniteti të minojnë bashkimin me vlerë të Mbretërisë së Bashkuar". Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon u përgjigj me kritikën se May kishte mospërfillur frikërat dhe shqetësimet skoceze për daljen nga Bashkimi Evropian.

Sturgeon dëshiron një referendum të ri

Brexit dhe një referendum i mundshëm i dytë janë temat kryesore për të cilat do të diskutojnë 3000 delegatët e kongresit të SNP, që filloi punimet të enjten.

Përsa i përket referendumit për pavarësinë, që në krye të kongresit në Glasgow Sturgeon tha se do të hartohet një projektligj për një referendum të dytë. Projektligji do të paraqitet javën e ardhshme, pastaj mund të nisin konsultimet për planin. "Unë jam e vendosur, që Skocia të fitojë mundësinë për ta menduar edhe njëherë çështjen e pavarësisë së saj dhe ta bëjë këtë para se Britania e Madhe të jetë larguar nga Bashkimi Evropian, po të jetë kjo e nevojshme që të mbrojmë interesat e vendit tonë", tha kryeministrja e Skocisë.

Në shtator 2014 skocezët votuan njëherë për pavarësinë nga Londra. Atëherë, 55 përqind votuan për të qendruar në Mbretërinë e Bashkuar. Referendumi i Brexit i 23 qershorit i ka ndryshuar rrënjësisht parakushtet, tha Sturgeon.

Pavarësi si përgjigje për Brexit

Në votimin për Brexit, më shumë se dy të tretat e skocezëve u shprehën që Britania e Madhe të qendrojë në Bashkimin Evropian.

Kur në mëngjesin pas votimit u qartësua rezultati, kryeministrja Sturgeon deklaroi se një referendum i dytë për pavarësinë e Skocisë nga Britania e Madhe tani është bërë "shumë i mundur".

Vështirësitë e Anglisë - shansi i Skocisë?

Në rrugët e Skocisë, zemërimi për daljen e detyruar nga BE nuk është manifestuar në kërkesa të reja për pavarësi. Me përjashtim të periudhës pas Brexit, miratimi për të qendruar pjesë e Britanisë së Madhe vazhdon të jetë 55 përqind - sa në vitin 2014. Dhe më shumë se gjysma e skocezëve është kundër një referendumi të dytë.

Në të gjitha përgatitjet për referendumin e ardhshëm, nacionalistët skocezë megjithatë gjithmonë u treguan të gatshëm edhe për kompromise me Westminsterin, për daljen nga BE. U lanë të kuptohen marrëveshje të tilla si një qendrim i Skocisë në tregun e brendshëm të BE si dhe ruajtja e qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Londra kundërshton rrugën e veçantë

Por mundësia e këtyre kompromiseve duket se tani është bërë e largët. May bëri të qartë para disa ditësh se edhe për skocezët nuk do të ketë dalje nga Brexit. Skocia nuk ka të drejtë vetoje, kur marsin e ardhshëm Britania e Madhe të nisë procesin e daljes nga BE.

Nëse Brexit e bën politikisht më atraktive një pavarësi për skocezët, pasojat ekonomike ai i ndërlikon shumë. Më shumë se 65 përqind të marrëdhënieve të saj ekonomike Skocia i ka me Anglinë. Disa nacionalistë thonë se pavarësia krijon mundësi për marrëdhënie ekonomike me shtete të tjera. Kjo mund të jetë e saktë, por kjo nuk do të ndodhë brenda natës e as do të zëvendësojë tregtinë kufitare midis Skocisë dhe Anglisë.