Na ishte një herë një mur
Pikë kulmore në historinë gjermane: Formulimi i nxituar i Günter Schabowski-t më 9 Nëntor 1989 ngjalli euforinë në popull në RDGJ. Ishte parashikuar vetëm rregullore e përkohshme për vizat për shtetasit e RDGJ-së.
Muri, prej të cilit s’trëmbet më askush
48 orë pas hapjes muri i konsideruar si brezi i vdekjes humbet efektin e frikëngjallës. Përpara, pas dhe mbi murin e betonit mespërmes Berlinit festohet. Gjermano-lindorët dhe gjermano-perëndimorët e përjetojnë njëri-tjetrin si një popull.
Prologu
Më 2 maj 1989 ushtarët hungarezë filluan të presin telat me gjemba në zona të caktuara të kufirit mes Hungarisë dhe Austrisë. Këto janë të çarat e para përgjatë linjës që përcaktonte kufirin ideologjik mes Europës Lindore dhe asaj Perëndimore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Joachim Jauer, asokohe reporter televizioni në vendin e ngjarjes kujton.
Mashtrimi i organizuar elektoral
Më 7 maj 1989 shtetasit në RDGJ votuan për parlamentet rajonale. Rezultati ishte i parashikueshëm, sepse ai ishte i manipuluar. Sërish pushtetarët donin të merrnin 98% të votave. Por kësaj radhe opozita mbrohet. Një ditë më vonë nisin demonstratat nëpër rrugët e Lajpcigut.
Gorbaçovi thyen tabunë
Takimi i Traktatit të Varshavës në korrik 1989 në Bukuresht: Gorbaçovi hedh poshtë doktrinën Brezhnjev. Me këtë shfuqizohet e drejta e ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik ndaj vendeve të vëllazëruar socialiste. Që nga ky moment aleatët e Moskës duhet të gjejnë zgjidhje në nivel kombëtar për problemet e tyre. Kjo është një thyerje e tabusë.
Në arrati me laçkë e me plaçkë
Udhëtimi tradicional për pushimet e verës në Hungari për mijëra qytetarë të RDGJ-së në 1989 shënoi një pikëkthese në jetë. Fjalët për të çarat në brezin kufitar me Austrinë kanë mbërritur deri në Drezden e në Uzedom. Me far e fis e me laçkë e plaçkë ata nxitojnë përgjatë vijëa së gjelbër kufitare drejt lirisë. Ushtarët e kufirit bënin sikur nuk shikonin, kujton Walburga von Habsburg Douglas.
Oborri i ambasadës kamp refugjatësh
Për qytetarët e RDGJ-së në verën e vitit 1989 veçanërisht të preferuara ishin ambasadat gjermano-perëndimore në Europën Lindore. Shumë shpejt godinat e tyre u tejmbushën dhe kushtet higjenike u bënë të padurushme. Në Pragë arrin kulmi me masën e refugjatëve 5000 qytetarë që duan të largohen nga RDGJ-ja qëndrojnë në oborrin e pallatit Lobkowitz.
Fjala e Genscher-it
Më pas Hans-Dietrich Genscher do ta cilësojë këtë si përjetimin më emocional të jetës së tij. Ministri i Punëve të Jashtme të RFGJ-së më 30 shtator 1989 nga ballkoni i ambasadës u deklaron mijëra qytetarëve të RDGJ-së se mund të udhëtojnë menjëherë drejt Perëndimit. Ky është çasti më kulmor emocional përpara rënies së murit të Berlinit.
"Ne jemi populli!"
Në 40 vjetorin e RDGJ-së populli merr guximin. Lajpcigu kthehet në qytetin e demosntratave të republikës. Të ashtuquajturat demonstratat e të hënave kthehen në ritual të opozitës dhe kjo i bën pushtetarët e Berlinit Lindor të frikësohen. Në fund të shtatorit dalin në rrugë 8000 vetë, në mes të tetorit numri i tyre arrin në 70.000, në fund të muajit protestojnë 300.000 kundër Honecker & Co.
Tren i posaçëm drejt Perëndimit
Në fillim të tetorit ambasada në Pragë është e mbushur sërish me qytetarët të RDGJ-së. Edhe në përfaqësinë e RFGJ-së në Varshavë dynden gjermano-lindorët. Eshtë koha e diplomacisë aktive dhe të heshtur mes Bonit dhe Berlinit Lindor. Në fund mbi 6000 qytetarë të RDGJ-së largohen nga ambasadat drejt Gjermanisë Perëndimore.
Honecker as pas 40 vjetësh nuk ka ndryshuar aspak
Erozioni i brendshëm në RDGJ merr përmasa masive në 40 vjetorin e themelimit të republikës. Nëse në fillim të valës së protetstave nga lëvizje të ndryshme opozitare tërhiqej vëmendja për reforma, në tetor ato kanë avancuar mjaft me objektivat e tyre: kërkohen zgjedhje të lira, kufij të hapur, mirëqenie. Por Honecker-i nuk lëshon pe. Në të kundërt Gorbaçovi e ka kuptuar pulsin e kohës.
Egon mbërrin shumë vonë
Erich Honecker, kryetar i shtetit dhe i partisë, tregohet tërësisht i ngrutë deri në fundin e tij politik. Tek ai kthesa politike kalon pa u vënë re. Më 18 tetor Honecker-i deri tani i pakontestueshëm rrëzohet prej këshillit të partisë dhe të shtetit. Egon Krenz merr pushtetin. Ai përpiqet ta mbajë në jetë RDGJ-në përmes premtimeve për reforma. Por më kot.
Popullit i ka ardhur në majë të hundës
Në fillim të nëntorit lëvizja e protestës arrin në kryeqytetin e shtetit të punëtorëve dhe fshatarëve. Disa qidnra mijëra njerëz demonstrojnë për reforma dhe kundër qeverisë së tyre. Motoja e tyre është: Jo dhunë! Kjo është dhe mbetet demonstrata më e madhe në historinë 40 vjeçare të RDGJ-së.
Opozita merr formë konkrete
Demonstrata në sheshin Alexander në Berlinin Lindor transmetohet drejtpërdrejtë. Një sensacion, që paralajmëron paaftësinë e qeverisë së Egon Krenz. Kërkesat e opozitës e prekin në substancë botëkuptimit socialist: Liri lëvizjeje, shtypi dhe organizimi në grupe. Ndërsa sulmet e Sigurmit të Shtetit, Stasi, duhet të hetohen.
Lapsusi i historisë
Pak fjalë, që ndryshuan botën: Një Günter Schaboëski i lodhur dhe i përgatitur keq ngatërrohet duke komunikuar rregulloren e re të përkohshme për udhëtimin jashtë vendit të qytetarëve të RDGJ-së. I pyetur konkretisht për hapjen e kufirit ai deklaron se është „menjëherë“ e vlefshme. Në orën 19.03 më 9 nëntor 1989 ajgencia e lajmeve Reuters për herë të parë njofton sensacionin historik.
Veturat gjermano-lindore Trabant në bulevardin e Berlinit Kurfürstendam
Nata nga 9 në 10 nëntor 1989 është një nga përjetimet, që njerëzit e përshkruajnë me fjalët "kur ëndrrat bëhen realitet". Brenda 48 sekondave qindra mijëra qytetarët të RDGJ-së erdhën më këmbë, me biçikleta apo me veturat e tyre gjermano-lindore Trabant në Berlinin Perëndimor dhe në RFGJ. Në pikëkalimin Check-Point-Charlie dyndja ishte si në ditët e karnavaleve në Këln.
Ata nuk e donin aspak atë
Se si tigri kthehet në postiqe, këtë e përjetuan me habi e përçmim teleshikuesit në Lindje e në Perëndim të Gjermanisë katër ditë pas rënies së murit të Berlinit: Erich Mielke, shefi i Stasi-t dhe përfaqësuesi i vijës së fortë në Byronë Politike rënkonte duke u lutur për mirëkuptim para deputetëve të kuvendit popullor. Një prezantim i fundit mjeran i të pagdhendurit, që i kish lyer duart me gjak.