Pasaporta të vendeve të BE në shitje!
19 Prill 2013Paratë sigurisht që nuk mund të blejnë dashurinë, por nëse paguan sa duhet mund të marrësh nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian. Ajo është e dëshiruar nga njerëz që kërkon të ikin nga një vend në krizë apo të kenë më shumë liri në lëvizje. Rregullat e forta për të marrë një vizë në këtë mënyrë bëhen zero.
Me marrjen e nënshtetësisë së BE, gjithashtu të krijohen mjaft lehtësira për biznes në Europë. Në të ardhmen, për të marrë një pasaportë të Qipros duhet të investosh atje tre milion Euro. Kështu deklaroi Presidenti Nikos Anastasiades gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve ruse në Limasol.
Deri tani ka qenë e mundur të “blihej” një pasaportë qipriote, por kandidatët duhej të investonin të paktën 15 milion euro në pesë vjet. Jan Philipp Albrecht rregulla të tilla i sheh si të papërshtashme. Politikani i Partisë së Gjelbër dhe Europarlamentar kërkon rregulla të njëjta për të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
"Unë mendoj ka gjithmonë dyshime kur vendet vendosin në mënyrë arbitrare dhënien e shtetësisë, e kjo veçanërisht në vendet e BE. Në Europë ka shumë njerëz që janë në pritje të natyralizimit dhe të gjithë duhet të trajtohen njësoj”, tha Albrecht në një intervistë për DW.
Bli një shtëpi, merr një pasaportë
Vende të ndryshme të Europës kanë politika të ndryshme imigracioni. Në Irlandë, prioritet në vitin 2001 ishte ekonomia, nënshtetësia mund të merrej shumë lehtë nëse investoje në vend. Tani një investim prej 500,000 eurosh për një projekt publik mund të të sigurojë vetëm rezidencën e qëndrimit.
Në Portugali, imigracioni është i lidhur me blerjen e një prone dhe Spanja kërkon të institucionalizojë një gjë të tillë. Plani është që kushdo që mund të blejë një pronë minimumi 160 mijë euro, do të pajiset me rezidencë qëndrimi. Në Hungari mund të marrësh nënshtetësinë nëse ble bonot e shtetit dhe blerësit më të shumtë janë nga Rusia, Kina dhe India.
Por vendi që bën përpjekjen më të madhe të tërheqë klientë është Austria. Qeveria atje sipas ligjit ka të drejtë të japë nënshtetësinë dikujt “ për shkak të shërbimeve që ai jep, arritjeve të tij dhe kontributit të tij të ardhshëm në interesin e veçantë të Republikës”. Përshembull mediat thonë se një investitor saudit dhe këngëtarja ruse Anna Netrebko morën pasaportën austriake në këtë mënyrë.
Rrezik për BE?
"Unë mendoj se është problematike, por nuk ka rrezik për Bashkimin Europian”, thotë Dietrich Thränhardt, profesor në Universitetin e Mynsterit dhe specialist në politikat e emigracionit. Ka patur vetëm një numër të vogël të njerëzve që kanë marrë nënshtetësinë në mënyrë të tillë, thotë ai në një intervistë për DW. Asnjeri nuk është natyralizuar në Austri në vitin 2012 për shkak të investimeve, sipas Statistics Austria.
Në kontrast me të gjithë ata që ndjekin rregullat normale të natyralizimit, Austria është mes vendeve ku marria e nënshtetësisë është më e vështirë. Pagesat janë shumë të larta dhe koha pritjes shumë e gjatë.
“Duke parë politikat e imigracionit të Bashkimit Europian në tërësi, vemë re se të gjithë vendet krijojnë lehtësira për ata që sjellin të ardhura të mira”, thotë Thränhardt. Ndërsa Gjermania ka procedura më të lehta për njerëzit e kualifikuar.
Çështja e natyralizimit në Bashkimit Europian duket se do të ndryshojë shumë shpejt. "Çështjes së dhënies së nënshtetësisë në Bashkimin Europian nuk i është kushtuar rëndësia e duhur dhe mendoj se ky është një problem”, thotë Albrecht.