Nën vëzhgimin e "trojanëve" - Sa larg kanë shkuar autoritetet bavareze?
11 Tetor 2011Lajmi i bërë publik nga rrjeti i ekspertëve "Chaos Computer Club" kanë rënë si bombë në opinionin publik gjerman që në fundjavë. Një trojan bavarez është futur për efekt spiunazhi në kompjutera të dyshuarish dhe jo vetëm që ka grumbulluar të dhëna për personin, përfshi të dhëna intime, po kompjuteri i pushtuar mund të telekomandohet dhe tek ai mund të shkarkohen çfarëdolloj programesh të tjera po ashtu përgjuese. Ky trojan mund të dërgojë çdo 30 sekonda pamje të kompjuterit të përgjuar tek autoritetet përkatëse, në momentin që personi futet në internet apo përdor telefonin përmes internetit.
Deri ku mund të shkojë përgjimi nga shteti?
Ministri i brendshën i Bavarisë, Joachim Hermann ka mbrojtur të martën në gazetën "Passauer Neue Presse" përdorimin e trojanëve. Zyra kriminalistike e landit ka përdorur vetëm ato "masa që janë ligjërisht të lejueshme dhe që janë lëshuar me urdhër nga gjykatësit e hetimeve", ka thë ai. Programi i spiunazhit është përdorur fillimisht në vitin 2009 në kuadër të një procedure hetimi. Hermann premtoi se i ngarkuari për mbrojtjen e të dhënave të landit, do të kontrollojë nëse në këtë procedim janë shkelur rregullat ligjore.
Qeveria premton hetime të hollësishme dhe mbrojtje të qytetarëve
Qeveria gjermane e hodhi poshtë përdorimin ilegal të trojanëve në nivel federate, madje lidhur me aferën e trojanëve ka shprehur shqetësimin e saj edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. "Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert ka pohuar se "kancelarja po ndjek me vëmendje rezultatet e hetimeve që po bëhen lidhur me këtë çështje."
"Është shumë e rëndësishme që qytetaret dhe qytetarët të kenë besim që aty ku përdoren software për përgjimin e telekomunikacionit, të respektohen në mënyrën më strikte rregullat që ka përcaktuar ligji. Kjo duhet të jetë e garantuar, dhe pikërisht këtë po përpiqemi të zbardhim tani."
Përdorimi i trojanëve bëhet në kuadër të rregullores së kodit penal dhe është rregulluar me ligj vetëm për rastet e hetimit të krimeve të rënda. Në debatin e trojanëve ka thënë fjalën e saj edhe sindikata e policisë (GdP) duke kërkuar kuadër të qartë ligjor, sepse pjesë të këtij programi software blihen në tregun e lirë në botë ka thënë Bernhard Witthaut, kryetari i sindikatës për radion gjermane Deutschlandradio. Ka një gabim juridik dhe një hapësirë ligjore të pasigurt që duhet plotësuar, pikërisht kjo duhet korrigjuar në të ardhmen, kërkon ai.
"E them edhe njëherë - duhet të përpilohet një kuadër ligjor i qartë, kam përshtypjen se këtu është testuar. Le të shohim njëherë, të shkojmë sa të shkojmë dhe të presim ku do të na kufizojë gjyqi. Pra këtu është përdorur ajo pjesë e paqartë e ligjit dhe ja ku u mblodhën informacionet."
Shefi i sindikatës gjermane të policisë, përmend edhe anët pozitive të këtij përgjimi. Trojanët kanë qëllim edhe mbledhjen e informacioneve për shembull në rastet e përgatitjes së akteve terroriste. Nëse ata nuk do të përdoreshin, atëherë individë të caktuar që planifikojnë akte të tilla do të qarkullonin të gjitha informatat me njëri-tjetrin pa problem në internet. "Bëhet fjalë për të mënjanuar rrezikun që mund t'i kanoset vendit tonë, por edhe krimet, dhe në këtë konteskt mund t'i përdorim mundësi të tilla të teknikës."
Autor: Lindita Arapi (dpa)
Redaktoi: E. Xhani