1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dosjet e Stasit: Më shumë se një autoritet shtetëror

Marcel Fürstenau13 Prill 2016

Prej më shumë se 25 vitesh arkivohet e studiohet trashëgimia e ish-policisë sekrete komuniste në RDGJ. Pa guximin e aktivistëve gjermanë nuk do të kishim një histori suksesi: Në të ardhmen autoriteti do të riorganizohet.

https://p.dw.com/p/1ITzu
Symbolbild - Aktenschränke
Fotografi: picture-alliance/dpa

Asnjëherë nuk ka qenë e pakontestuar mënyra se si duhej të veprohej me Ministrinë për Sigurimin e Shtetit, (MfS) të Republikës Demokratike Gjermane, (RDGJ). Asnjëherë më parë nuk i është vënë kaq shumë bisturia, trashëgimisë së një shërbimi sekret policor në publik. Përpjekjet për ta ndalur këtë ka pasur në muajt e revolucionit paqësor në vitin 1989/1990 në të dyja pjesët e Gjermanisë, Perëndim e Lindje. Në Lindje, autorët kishin filluar të shkatërronin dokumentet. Me hapin e pushtimit të qendrës së Stasit në Berlin, aktivistët penguan më të keqen.

Pa ndërhyrjen e tyre të guximshme pas bashkimit të Gjermanisë, nuk do të ishte bërë i mundur themelimi i një autoriteti shtetëror për shqyrtimin e dosjeve të Stasit. Presidenti aktual gjerman, Joachim Gauck ka qenë nga viti 1991 deri në vitin 2000 i ngarkuari i parë për dosjet e ish-policisë sekrete të RDGJ-së, i zgjedhur nga parlamenti gjerman.

Gauck triumfon para gjyqit

Po të ishte bërë realitet vullneti i Helmut Kohl-it, kancelarit të bashkimit, dosjet e Stasit do të duhej të mbesnin të kyçura. E kjo jo patjetër për arsye personale apo politike. Thjesht ky qëndrim i përgjigjej pikëpamjes gjermanoperëndimore për drejtësisë, që dosjet shtetërore të një rëndësie të tillë t'i trajtonte si dosje të mbyllura, por aktivistët e të drejtave të njeriut të RDGJ-së, kërkuan që sidomos viktimave të diktaturës së RDGJ-së t'u mundësohej një vështrim në këto dokumente.

Stasi-Unterlagen-Behörde
Tabelë orientuese për tek autoriteti i dosjeve të StasitFotografi: picture-alliance/dpa

Në vitin 1992 Gauck arriti një fitore juridike para Gjykatës Administrative të Berlinit: Ligjit të krijuar për autoritetin e dosjeve iu dha prioritet para ligjit federal për mbrojtjen e të dhënave të individit. Kjo lehtësoi mundësinë e shqyrtimit të shumë dosjeve, të cilat në rast tjetër do të kishin mbetur të padepërtueshme, me shtojcën se janë informacione të lidhura me personin.

Nuk ka dyshim që në tërësinë e vet historia e autoritetit të dosjeve të policisë sekrete të RDGJ-së edhe 25 vite më pas është një histori suksesi. Për shumë vende në Amerikën Latine apo në Evropën Lindore ajo shërben si shembull për të mësuar se si të trajtohet historia e diktaturës në vend. Më ndihmën e tyre zbulohen autorët dhe mund të nxirren para drejtësisë, viktimat mund të provojnë se si u ndërprenë biografitë e jetës së tyre për arsye politike. Kështu mund të ecë përpara rehabilitimi, të paktën financiarisht.

Dosjet i shërbejnë rehabilitimit

Arkivimi, studimi dhe hapja e dosjeve të Stasit nuk kanë thjesht karakterin e një programi për rehabilitimin individual e shoqëror. Sepse sigurisht në RDGJ, krahas qindra mijëra spiunëve, ka pasur edhe njerëz që rezistonin ndaj sistemit dhe e refuzonin bashkëpunimin me shërbimin sekret të kudogjendur. Ndriçimi i kësaj ane të diktaturës ka qenë një nga detyrat e autoritetit sidomos në dhjetëvjeçarin e parë të krijimit.

Bildkombi Stasi-Unterlagen-Behörde
Fotomontazh: Drejtuesit e autoritetit - (nga e majta) drejtuesi aktual, Roland Jahn, ish-drejtuesit, Marianne Birthler dhe Joachim GauckFotografi: Reuters/Nacarino

Koha e zbulimeve të mëdha ka mbaruar: Pasuesja e Gauck-ut, Marianne Birthler, dhe drejtuesi i autoritetit nga viti 2011, Roland Jahn e kanë drejtuar fokusin në aspektin e studimit të diktaturës. Për këtë dosjet e Stasit ofrojnë material të bollshëm. Shumë studime janë bërë mbi këtë bazë, por ende ka gjëra për t'u zbuluar. Në të ardhmen kjo do të bëhet në struktura të reja organizative. Këtë të martë (12.04) një komision ekspertësh me kërkesë të Bundestagut do të paraqesë rekomandimet e tij.

Dosjet ndoshta do të kalojnë në arkivin federal. dhe ndoshta nuk do të ketë një të ngarkuar të posaçëm si deri më tani. Pritet të ketë debat për zbatimin e strukturës së re. Por është e pabazë frika se me fundin e autoritetit të dosjeve, mbyllet edhe kapitulli i Stasit: Edhe në të ardhmen gjithsekush ka të drejtë për të parë dosjet. Studiuesit edhe në të ardhmen mund të kërkojnë faktet e t'i publikojnë ato.