1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Myslimanët në botë festojnë përfundimin e muajit të Ramazanit

30 Gusht 2011

Me një festë triditore rreth 1,5 miliardë myslimanë në të gjithë botën mbyllin muajin e shenjtë të agjërimit, Ramazan.

https://p.dw.com/p/12Q57
Festa e Fiter Bajramit në kalendarin iranian.
Festa e Fiter Bajramit në kalendarin iranian.Fotografi: DW

Në dy vendet më të mëdha islame, Indonezi dhe Pakistan, festa e ndërprerjes së agjërimit, Fiter Bajrami, nis të mërkurën (31.08.201). Edhe në Indi, ku jeton bashkësia e tretë më e madhe myslimane në botë, si dhe në Iran, besimtarët duhet të agjërojnë deri në perëndim të Diellit të martën.

Pazari i Egjiptit ose ndryshe Pazari i Erëzave në Stamboll.
Blerjet për festën e madhe - Pazari i Egjiptit ose ndryshe Pazari i Erëzave në Stamboll.Fotografi: AP

Ndërsa në pjesën më të madhe të vendeve arabe si në Arabinë Saudite dhe në Egjipt festa ka filluar që të hënën pasdite. Në kryeqytetin e Libisë Tripoli, mijëra njerëz kërcyen në sheshin e Martirëve. Ata festuan fundin e sundimit 42 vjeçar të ish-pushtetmbajtësit Gaddafi. Në Turqi Fiter Bajrami quhet ndryshe edhe festa e sheqerit për shkak të ëmbëlsirave të shumta që përgatiten me këtë rast.

Pjata tradicionale të festës së Bajramit në Bosnje.
Pjata tradicionale të festës së Bajramit në Bosnje.Fotografi: DW

Në Gjermani presidenti federal Christian Wulff e vlerësoi muajin e shenjtë të Ramazanit si një apel shoqëror për më shumë vëmendje për njëri-tjetrin. Ai nxit gatishmërinë për të dhuruar dhe për të hequr dorë nga konsumi vetjak, tha presidenti në një përshëndetje urimi të martën (30.08.2011) në Berlin, me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit. "Shpreh respekt për secilin që jeton në shoqëri me këtë frymë, me guxim dhe humanizëm", shprehet presidenti gjerman në përshëndetjen e tij. Shumë myslimanë e bëjnë këtë vazhdimisht duke kontribuar në koezionin social në Gjermani.

Urime për besimtarët myslimanë në Gjermani erdhën edhe nga qeveria gjermane. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert u uroi rreth 4 milionë myslimanëve në Gjermani gjithë të mirat me rastin e festës së Bajramit, një nga më të rëndësishmet në fenë islame.

Autor: E.Xhani (dpa, rtr)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora